E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zjarret, një i vdekur, një i plagosur

Disa zjarre kanë ndodhur në qytete të ndryshme si pasojë e pakujdesisë dhe mbingarkesës në rrjet nga moti i ftohtë

Që në ditën e dytë të këtij viti zjarret shënuan viktimën e tyre të parë. Në qytetin e Vlorës një zjarr aksidental çoi në vdekjen e një shtetasi dhe plagosjen e një tjetre. Ndërsa dje në qytetin e Shkodrës një zjarr nga pakujdesia rrezikoi tre familje që banonin në një shtëpi dykatëshe. Edhe në Gjirokastër një pallat rrezikoi përfshirjen nga flakët pas marrjes zjarr të një kabine elektrike. Moti i ftohtë duket se ka qenë “nyja lidhëse për tri incidentet.

VLORË

Një zjarr i rënë ditën e premte në katin e katërt të një pallati në lagjen “28 Nëntori” të qytetit të Vlorës ka shkaktuar një viktimë dhe një të plagosur rëndë. Zjarri mendohet se ka qenë aksidental, i shkaktuar nga një bombolë gazi ndërsa si pasojë e flakëve është dëmtuar rëndë 33-vjeçari Daut Selimaj, dhe njëkohësisht femra me të cilën bashkëjetonte, Klodiana Hoxha, 25 vjeçe. Zjarri ka përfshirë menjëherë dhomën e ndjenjies në banesë ndërsa dy personat që jetonin me qira aty prej një viti nuk kanë mundur t’iu shpëtojnë flakëve. Ka qenë ndërhyrja e zjarrfikëses që ka evituar shkrumbimin tërësor të banesës. Dy të lënduarit janë transportuar me urgjencë në spitalin ushtarak të Tiranës, por mëngjesin e së shtunës 33-vjeçari Duat Selimaj ka ndërruar jetë si pasojë e djegieve të shumta në pjesë të ndryshme të trupit. Klodiana Hoxha është ende në gjendje kritike për jetën. Ngjarja është dokumentuar si aksidentale, ndërsa mësohet se zjarri është shkaktuar aksidentalisht, vijon hetimi për zbardhjen tërësore të ngjarjes.

SHKODËR

Pakujdesia gjatë ngrohjes ka shkaktuar zjarr në një banesë dykatëshe në lagjen “Partizani” në qytetin e Shkodrës, ku jetojnë tre familje. Ka qenë ora 13:00 e së dielës, kur kati i dytë i banesës ku jeton familja e Adnand Bashajt është përfshirë nga flakët. Familjarët kanë zbritur me shpejtësi në katin e parë dhe kanë dalë jashtë, ndërsa ndërhyrja e shpejtë e zjarrfikësve ka bërë të mundur që të shpëtohet një fëmijë, i cili ndodhej në dhomën ku kishte rënë zjarri dhe në momentet e para nuk ka mundur të largohet bashkë me pjesëtarët e tjerë të familjes. Pjesëtarët e dy familjeve të tjera që jetojnë në katin e parë të shtëpisë janë përpjekur ta shuajnë zjarrin me mjete rrethanore, ndërsa ndërhyrja e dy mjeteve zjarrëfikëseve ka qenë efikase duke lokalizuar dhe më pas shuar flakët që kishin përfshirë duke djegur plotësisht njërën prej dhomave të banesës. Dëmet materiale kanë qenë të mëdha.

GJIROKASTËR

Afro 16 familje të një godine banimi në lagjen “18 Shtatori” në qytetin e Gjirokastrës në afërsi të Universitetit “Eqrem Cabej”janë rrezikuar pas rënies së një zjarri të rënë në kabinën e rrjetit elektrik. Ngjarja ka ndodhur gjatë orëve të mbasdites së të shtunës kur një shkëndijë elektrike ka sjellë shpërthimin e kabinës duke ngjallur panik tek banorët. Pallati në lagjen më të populluar të qytetit është ndërtuar kohët e fundit dhe nuk ka shkallë emergjente, çka ka bërë që banorët të qëndrojnë në apartamentet e tyre të frikësuar. Forcat zjarrfikëse kanë ndërhyrë menjëherë të cilat në pamundësi për të evakuuar banorët e gjendur në apartamente, kanë thyer vetratat e fasadës së përparme dhe të korridoreve me qëllim qarkullimin e ajrit për të shmangur asfiksinë e banorëve nga tymi, ndërsa vetë banorët kanë dalë nëpër ballkone të frikësuar duke kërkuar ndihmë. Shkëndija elektrike që solli një shpërthim të rëndë, ka shkatërruar krejtësisht kabinën e rrjetit elektrik shpërndarës të energjisë duke lënë në “black out” në këtë mënyrë një pjesë të mirë të kuartierit ku ndodhej pallati. Burime fillestare kanë konfirmuar se incidenti ka ndodhur si rjedhojë e mbingarkesës elektrike, e cila mbetet sërish problem në Gjirokastër, edhe pse u ndërtua nënstacioni të ri elektrik. Kabina elektrike e shpërthyer ishte vendosur e pastudiuar nga ana e specialistëve të OSSH-së dhe kjo me sa duket ka ndikuar që asnjë banor i këtij pallati nuk ka mundur të dalë nga porta kryesore, për shkak se telat e energjisë elektrike ishin vendosur fare pranë shkallës së parë të pallatit. Fatmirësisht, kjo ngjarje ka kaluar pa pasoja në njerëz.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›