Gjirokastër, policia bllokon 194 kg drogë
Tre vetë u vunë në pranga, ndërsa dy të tjerë janë ende në kërkim për trafikim të lëndëve narkotike
GJIROKASTËR- Në dy aksione të njëpasnjëshme, të parat për vitin 2009, policia e Gjirokastrës ka sekuestruar një sasi të konsiderueshme lëndësh narkotike dhe ka vënë në pranga tri persona. Operacionet janë zhvilluar nga të dy drejtoritë, përkatësisht Drejtoria Rajonale e Kufirit dhe Migracionit dhe ajo e qarkut. Sasia e lëndës narkotike llogaritet në 194 kilogramë dhe në njërin prej rasteve droga ishte destinuar për në Greqi. Burimet zyrtare të policisë bëjnë të ditur se droga vinte nga Lazarati, ndërsa dy transportuesmësohet të jenë në kërkim.
Aksioni i parë
Sasia e parë e lëndës narkotike u bllokua në afërsi të kufirit me shtetin grek nga policia kufitare. Policia bëri të ditur se përballë fshatit Pepel të komunës Dropull i Sipërm, në vendin e quajtur diga e liqenit Pepel, u konstatuan 2 persona, të cilët po transportonin me një mushkë disa çanta shpine dhe po lëviznin në drejtim të kufirit jeshil me shtetin grek. Në momentin që njësiti i shërbimit të policisë kufitare është afruar dhe u ka bërë thirrje të ndalojnë, këta shtetas kanë lënë mushkën me gjithë ngarkesë dhe janë larguar me vrap në drejtim kodrave, duke përfituar nga errësirra dhe moti shumë i keq. Megjithëse forca shtesë të policisë kanë bërë rrethimin dhe krehjen e të gjithë zonës, ende nuk është bërë i mundur ndalimi i transportuesve të drogës. Ndërkaq, pas këqyrjes ka rezultuar se sasia e përgjithshme e drogës ishte 96 kilogramë, e ndarë në katër çanta shpine me ngjyrë të zezë.
Aksioni i dytë
Orët e para të mëngjesit të djeshëm shënuan edhe operacionin e dytë antidrogë, të koduar “Starkingu”. Në bazë të informacioneve të grumbulluara në rrugë operative për një sasi të konsiderueshme lënde narkotike që po transportohej nga fshati Lazarat në drejtim të Korçës, u bë e mundur që në vendin e quajtur përballë Kafe Borës, në aksin rrugor Gjirokastër-Kakavijë, të kapeshin në flagrancë shtetasit Erion Latka, 26 vjeç, Elton Hodollari, 38 vjeç dhe Gerti Miho, 29 vjeç, të tre nga Korça. Blutë sekuestruan mjetet e tyre dhe lëndën narkotike. Mësohet se sasia e lëndës narkotike prej 98 kilogramësh ndodhej e fshehur në mjetin tip furgon me targa KO 7149 A, pronë e shtetasit Erion Latka, ku mbrapa sediljes ishte improvizuar një dhomë e fshehtë e salduar me fletë llamarine. Ajo ishte ndarë në 98 pako në formë cilindrike të mbështjella me letër natriban me peshë një kilogram secila. Ndërkaq, dy të arrestuarit e tjerë po udhëtonin me mjetin “BMV” me targa KO 6828 A, pas furgonit, duke bërë shoqërimin e drogës. Pas arrestimit, ndaj tyre u ngrit akuza e “trafikimit të lëndëve narkotike”.