Zjarret në vend, Olli: Ska përkeqësim, nën kontroll Dajti dhe Bozdoveci
Tiranë- Zv/ministri i Brendshëm, Leonard Olli ka bërë me dije se situata e zjarrit në Priskë të Tiranës tashmë është vënë nën kontroll duke shmangur çdo rrezik për Parkun Kombëtar të Dajtit.
Sipas zotit Olli nën kontroll janë vënë edhe vatrat e zjarrit në parkun e Bozdovecit në Korçë dhe afro 1200 trupa janë vënë në aksion dhe në gadishmëri për të shuar flakët e zjarrëve në zonat verilindore të vendit, kryesisht Pukë dhe Kukës.
Në përgjithësi situata nuk ka evoluar dhe është mbajtur nën kontroll nga forcat zjarrfikëse dhe forcat e emergjencës. Në parkun e Bozdovecit kemi situatë nën kontroll. Kemi ndryshim të drejtimit të erës dhe kjo ka bërë pengimin e zjarrit, situata është duke u ndjekur nga afër dhe mbetemi me lajmet më të reja. Në këtë çast që flasim informacionet janë për një zjarr të kontrolluar. Sa i takon Dajtit nuk kemi patur rrezik në afërsi të parkut kombëtar. Vatra ka qënë në lartësitë e Priskës, nga dita e djeshme në bashkëpunim me shtabin e FA-ve janë vënë në shërbim të emergjencave civile 800 forca të armatosura. Githashtu janë 400 forca të armatosura në dispozicion. Në pjesën verilindore në Kukës dhe Pukë kanë operuar 200 efektivë në ndihmë të forcave të shërbimit pyjor. Situata në Orosh problematik dhe shikohet mundësia e operacioneve nga ajri,- tha Olli.
Ministria e Brendshme ka njofuar se ende 29 vatra zjarri janë aktive në vend teksa po punohet intensivisht nga toka dhe ajri për shuarjen e plotë të tyre.
/IDEA/