E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zjarret shkrumbojnë banesa dhe kullota

Zjarret po bëhen gjithnjë e më kërcënuese në këtë sezon të nxehtë vere në gjithë territorin e vendit. Mëngjesin e të martës është shënuar vatra e tretë e zjarrit në rrethin e Sarandës brenda pak javësh. Pas rasteve në vendin e quajtur Volloder, dhe atij në Komunën e Dhivrit, zjarri më i fundi i regjistruar, ka qenë ai në një banesë të fshatit Llazat të Komunës së Livadhjasë, 40 km nga Saranda, por që brenda disa orësh flakët kanë përfshirë edhe dy fshatra të tjerë fqinjë me të. Shuarja e zjarrit ka kërkuar një operacion për gati 14 orë nga shërbime të specializuara, të mbështetura nga dy avionë cisternë, të ardhur nga Greqia. Shkak është bërë pakujdesia e treguar gjatë pastrimit dhe djegies së barërave nga një familje e fshatit në kopshtin e shtëpisë. I favorizuar nga era, zjarri ka kaluar kufirin e fshatrave, duke u shpërndarë në Llazat-Kalcat dhe në fshatin Kodër të Komunës së Livadhjasë. Shefi i shërbimit zjarrfikës në Sarandë, Rakip Muzhai, thotë për "Shqip" se operacioni për shuarjen e zjarrit ka zgjatur prej orës 10 të paradites së të martës deri afër orës së parë të ditës së djeshme. Bilanci i dëmeve të regjistruara nga ky zjarr është djegia e 550 rrënjëve ullinj prodhimi, 50-vjeçarë, në fshatin Kodër, si dhe e 600 ha kullotë. Sipas Muzhait, dëmi mund të kishte qenë disa herë më i madh, nëse në operacion nuk do të përfshiheshin edhe dy avionë cisternë, të ardhur nga Greqia. Ndërkohë, djegia e banesës në fshatin Pllan të Lezhës ka lënë në qiell të hapur 16 anëtarët e një familjeje. Zjarri i rënë në banesë për shkak të një shkëndije elektrike në linjën e lagjes, ka shkaktuar dëme të mëdha materiale duke dëmtuar plotësisht banesën dykatëshe të Lek Therçajt. Shkak i rënies së zjarrit është bërë një shkëndijë elektrike në linjën e lagjes, ku si pasojë e kontaktit të telave me pemët, kanë marrë flakë disa dru që ndodheshin afër banesës. Ndërsa në Kukës, brenda 48 orëve të fundit janë regjistruar dy vatra zjarri. Kështu, flakët e zjarrit kanë përfshinë mbrëmjen e së martës, një sipërfaqe të masivit pyjor të malit të Korintikut, në afërsi të bjeshkëve të fshatit Bardhoc, rreth 13 kilometra larg Kukësit. Sipas drejtorit të Ndërmarrjes së Shfrytëzimit Pyjor të rrethit të Kukësit, Fatmir Gjana, zjarri ka djegur një sipërfaqe rreth 2 ha kullotë. Ende nuk dihen shkaqet e rënies së këtij zjarri, por mendohet se ka qenë një pakujdesi e barinjve, të cilët kullosin bagëtitë e tyre në bjeshkë. Ndërkohë po dje, është shënuar djegia e një banese në Komunën e Ujmishtit. Burimet nga komuna flasin se zjarri, i shkaktuar nga një shkëndijë elektrike është bërë shkak që të marrë flakë e gjithë banesa e Shaip Totës, në fshatin Malqene.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›