Zjarri pushton fshatin që kundërshtoi ndërtimin në KakomeNga Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë ditën e djeshme zonën e Kakomesë, ndërsa flakët kanë shkrumbuar një pjesë të mirë të ullishtës, e i janë afruar shumë shtëpive të zonës. Fshatarët, të ci
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Zjarri pushton fshatin që kundërshtoi ndërtimin në KakomeNgaNjë zjarr i fuqishëm ka përfshirë ditën e djeshme zonën e Kakomesë, ndërsa flakët kanë shkrumbuar një pjesë të mirë të ullishtës, e i janë afruar shumë shtëpive të zonës.
Fshatarët, të cilët po kundërshtojnë prej kohësh, ndërtimin e një fshati turistik në zonën ku ata deklarojnë se kanë pronat e tyre, të terrorizuar nga kjo ngjarje, thonë se pas saj fshihen investitorët e dyshimtë, të cilët nuk kanë lënë gjë pa përdorur për të bërë që fshatarët të heqin dorë nga kërkesa e tyre për tokat.
Kryetari i kësaj komune, Vladimir Kume, tha dje se fshati po bëhet i pabanueshëm dhe se ka dyshime se pas kësaj fshihen investitorët shqiptarë që po ndërtojnë në mënyrë të paligjshme mbi pronën e tyre.
Para disa kohësh, kompania e njohur franceze, “Club Med”, deklaroi zyrtarisht se ajo nuk ka asnjë lidhje me projektin e ndërtimit të një fshati turistik në zonën e Kakomesë.
Drejtori Rajonal për Zhvillimin pranë kompanisë së njohur, Florence Le Gall, në një komunikim përmes e-mail-it me pronarët e tokave në Kakome, sqaron se kjo kompani ka studiuar disa kohë më parë një projekt në këtë zonë, por gjithçka u anulua e madje çështja e pronës ishte një nga arsyet.
“Siç ju thashë dhe më parë, nuk ka një projekt të “Club Med” në Shqipëri. Ne kemi studiuar pak vite më parë një projekt në Kakome. Projekti është ndaluar nga ana jonë për shkak të disa çështjeve të pazgjidhura, dhe pronësia mbi tokën është një prej tyre. Ne nuk jemi në marrëveshje me kompaninë “Riviera”. Ne nuk jemi në dijeni se çfarë po ndërtohet apo jo momentalisht në atë zonë. Kështu që ju lutem mos më dërgoni më e-mail-e për një projekt që nuk ekziston”, - thuhet në përgjigjen e Le Gall për banorët e zonës.
Pak përpara se të vinte në pushtet kryeministri, Sali Berisha, premtoi se nuk do lejonte ndërtimin e këtij fshati turistik në zonën e Kakomesë. Ai madje deklaroi se fshati turistik ishte një biznes i Fatos Nanos. Një gjë e tillë ndihmoi që PD të merrte vota e madje të drejtonte njësi vendore në zonën ku jetonin pronarët e tokës së Kakomesë.
Por, pas ardhjes së Berishës në pushtet premtimet ndryshuan. Firma e ndërtimit nis punimet në mënyrë ilegale në këtë zonë, duke e pushtuar atë. Banorët e zonës, pronarë të tokës, u dhunuan nga policia, e cila komandohej nga lart.
Vetë kryetari i komunës u vu nën presion, duke i ofruar një ryshfet të majmë prej 1 milion eurosh.
Punimet në atë zonë kanë vijuar, ndërsa kryetari i komunës ishte i pari që shprehu dyshimet se pas ndërtimit të kësaj firme nuk ishte “Club Med”, por vetëm kompania shqiptare.
Gazeta “TemA” ka zbuluar se pas projektit qëndron pronari i ri i ARMO-s, Rezart Taçi dhe pronari i TV Klan, Aleksandër Frangaj. Ata janë bërë mbështetësit e pronarit të kompanisë “Riviera”, Dritan Çela, duke i ofruar atij suportin e kryeministrit, Sali Berisha.
Banorët kanë ngritur paditë përkatëse ndaj këtij pushtimi.
Firma ka nisur punimet duke bërë një masakër të vërtetë mjedisore në këtë zonë, një nga më të bukurat në gjithë Mesdheun. Ajo akoma nuk ka bërë një studim të mirëfilltë për punimet që ka ndërmarrë, por vazhdon të zhdukë bimësinë e zonës e të ndërhyjë në strukturën e saj.
Policia ka përkrahur në çdo krah këta pushtues të Kakomesë. Siç ka ndodhur dhe në rastin e Jalës, ajo është vënë në dispozicion të Familjes Berisha.