"Zjarrin e shuanim me kova uji"
Tirane-Ne Gjykaten e Shkalles se Pare ne Tirane, edhe dje kane vazhduar rrefimet e ish punetoreve te fabrikes se demontimit te municioneve ne Gerdec. Ne seancen e radhes, kane deshmuar 5 ish-punetore, te cilet kane rrefyer te gjithe ate cfare kane pare diten e tragjedise, por edhe momente te tjera te procesit te punes ne fabrikes. Lutfi Gerdeci, i cili mban edhe mbiemrin e fshatit ku ndodhi tragjedia, tha se ishte punesuar ne fabrike, bashke me gruan, nenen, vellain dhe kunaten e tij. Personi me te cilin kishte kontaktuar per te nisur pune, ishte ish-drejtori i fabrikes, Dritan Minxolli, te njejten gje qe kane pohuar edhe te gjithe deshmitaret e tjere ne seancat e meparshme. "Nisa pune ne 15 qershor te 2007", ka nisur te tregoje deshmitari. Ai tha se kishte punuar ne te dyja fazat e demontimit, si ne demontimin e fishekeve, ashtu edhe ne ate te predhave. Ish-punetori tha se diten e tragjedise eshte larguar per t'i shpetuar vdekjes, ndersa gruaja kishte mbetur pas. "Ate dite isha ne pune se bashku me gruan time. Ne momentin, kur shpertheu zjarri u mundova te largohesha. Gruan e gjeta nje dite me pas ne spital. Ajo kishte djegie ne 30 % te trupit, ndersa pasojat e asaj tragjedie, ajo vazhdon t'i vuaje dhe sot", ka treguar ish- punetori. Sikurse e kane pohuar edhe te gjithe deshmitaret e tjere te procesit, edhe Lutfi Gerdeci tha dje se nuk kane bere asnje lloj trajnimi para se te nisnin pune, apo edhe per te vepruar ne cdo rast rreziku te zjarrit. "Kemi firmosur nje flete te bardhe, na thane se ishte rregullore por nuk kishte asgje te shkruar ne te", ka thene deshmitari. Sikurse edhe personat e tjere jane thirrur ne gjykate per te deshmuar, edhe Lufti Gerdeci, tha se ne fabrike nuk kishte asnje element sigurie, apo dhe mjete te tjera per shuarjen e zjarrit. Ai tha se ne fabrike kishte pare te binte zjarr edhe ne nje rast tjeter, por qe eshte vene menjehere nen kontroll. "Ne nje rast kur ra zjarri ne fabrike, e fikem me kova uji",-tha Gerdeci. Te njejten gje pohoi edhe nje seance me pare, Caje Ciku, edhe kjo ish-punetore e fabrikes se demontimit.
Nje deshmi me mjaft interes, ka dhene dje Nikolin Azizaj, edhe ky i punesuar ne fabrike. Vec te tjerash ai ka pohuar se diten e tragjedise, ka pare karrocen qe transportoheshin predhat, te merrte flake. "Pashe karrocen qe mori flake", ka thene Azizaj. Me pas ai tha se ndodhi edhe shperthimi i fuqishem, qe shkaktoi ate tragjedi te rende. Ne seancen e djeshme, kane qene serish te pranishem te pandehurit Dritan Minxolli, ish-drejtori i fabrikes se demontimit, si dhe Sokol Ngjeci. I pandehuri Minxolli ka thene dje se nuk eshte marre ne pyetje asnjehere nga prokuroria, per te treguar per punen qe behej tek shtepia e Qemal Deliut, aty ku saldoheshin karrocat e demtuara. Seanca e djeshme ne Gjykaten e Tiranes filloi me 40 minuta vonese, per shkak te pritjes se disa prej avokateve mbrojtes te te pandehurve.