E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zjarrvëniet e qëllimshme alarmojnë zyrtarët e sigurisë

Lipjan, 31 korrik -  Këshilli Komunal i Sigurisë në Bashkësi i Lipjanit, në mbledhjen e fundit ka dalë me rekomandime për masa të shtuara parandaluese kundër zjarreve të verës që po ndodhin në këtë komunës. Zjarrvëniet e qëllimshme, sidomos nëpër stërnishta e që nuk janë të pakta në numër, gjithsej 25 sish në muajin korrik, kanë alarmuar me këtë rast zyrtarët e sigurisë, të cilët kanë diskutuar për masat e mëtejme drejt parandalimit të kësaj dukurie.
Hasan Hajdini, zyrtar në Drejtorinë e Emergjencës dhe Mbrojtjes Civile në Lipjan, ka deklaruar se tash për tash ka rënie të numrit të zjarreve nëpër male, por sipas tij ka shtim të zjarreve nëpër stërnishta.
“Gjatë muajit korrik kemi pasur 33 intervenime, ndërsa në 25 raste është intervenuar
vetëm në stërnishta”, ka thënë ai. Duke marrë parasysh këtë telash, që mund të shkaktojë jo pak dëme, kryetari i Lipjanit, Shukri Buja ka kërkuar prezencë më të madhe të policisë në raste të tilla. “Në zonën e fshatrave Gushtericë – Smallushë ka zjarrvënie të qëllimshme dhe do të ishte mirë që policia të intervenojë me në këto fshatra për të parandaluar këtë fenomen negativ, sepse po këto zjarrvënie të qëllimshme po rrezikojnë në masë të madhe edhe qytetarët e pafajshëm”, ka thënë ai.
Në ndërkohë, udhëheqës të policisë në Lipjan deklarojnë se janë në proces të identifikimit të rasteve të tilla, ndërsa njoftojnë se deri tashti janë zbuluar pesë raste që kanë të bëjnë me zjarrin e qëllimshëm. “Tashmë kemi identifikuar ato raste të zjarrvënies që janë kryer me qëllim dhe po bëjmë të pamundurën që niveli operacional i ynë të jetë sa më efikas në drejtim të parandalimit dhe kapjes së autorëve”, ka thënë Bajram Ademi, komandant në Stacionin Policor të Lipjanit.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›