E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vonesa në meremetimin e rrugëve të Podujevës

Podujevë, 1 gusht – Paralajmërimet e zyrtarëve komunalë të Podujevës se në pjesën e dytë të muajit maj do të fillojnë të meremetojnë rrugët dhe pusetat, nuk kanë dalë të jenë të sakta. Sipas tyre, arsyeja është se në tenderin e shpallur për këtë punë ka pasur kompani që janë ankuar, kurse shqyrtimi i ankesave ka marrë kohë.

Zyrtarët e prokurimit në Podujevë thonë se së pari ato ankesa i kanë shqyrtuar ata, pastaj i janë dërguar Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) dhe tashti janë duke pritur përgjigjen e tij.
“Këto ditë presim të na kthejnë një përgjigje”, ka thënë menaxheri i Departamentit të Prokurimit, Salih Hoxha.

Në faqen zyrtare të OSHP-së thuhet se është marrë vendim për refuzimin e ankesës (si të pabazuar) të kompanisë konkurruese lidhur me aktvendimin e prokurimit të tenderit “sanimi i asfaltit, nivelimi i pusetave, ujëmbledhësve, skajoreve në rrugët e qytetit dhe fshatrave”. 

Shumë rrugë të qytetit të Podujevës janë “gropuar”, pa e përjashtuar edhe rrugën kryesore të saj. Rruga që duket se ka pësuar më së shumti është ajo “Ali Ajeti”, në lindje të qytetit. Komunarët e Podujevës patën deklaruar në muajin prill se janë në përgatitje të tenderit për rregullimin e pusetave në qytet dhe meremetimin e rrugëve të asfaltuara në qytet dhe në fshatra, aty ku ka nevojë.
“Ne kemi ndarë një buxhet prej mbi 140 mijë eurove me të cilat mendojmë t’i mirëmbajmë rrugët këtë vit. Rruga ‘Ali Ajeti’ do të rishtrohet tërësisht, pasi është shkatërruar shumë. Ndërsa në rrugët tjera, aty ku ka nevojë, do të intervenohet duke i kthyer në një gjendje më të mirë. Mendojmë se punët do të fillojnë diku në pjesën e dytë të muajit maj”, kishin thënë ata.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›