E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjakova bëhet gati për universitet në ish-kazermën

Gjakovë, 1 gusht- Bordi i drejtorëve i Komunës së Gjakovës ka marrë vendim për fillimin e procedurës për kthimin e pronësisë së ngastrës ku dikur ishte e vendosur kazerma e Ushtrisë Jugosllave, në perëndim të qytetit të Gjakovës, dhe e njëjta të shndërrohet në kompleks universitar. “Qeveria lokale ka marrë vendim që të fillojë procedurat për kthimin e kësaj pasurie të patundshme në pronësi të Komunës, dhe të fillojë hartimin e planit rregullues për një kompleks të Universitetit të Gjakovës”, ka thënë Leonora  Raci, drejtoreshë e Drejtorisë së Urbanizmit në KK të Gjakovës.
Parcela me një sipërfaqe prej 13 hektarë e 21 arë, në vitin 1981 është eksproprijuar nga 23 pronarë individualë dhe me vendimin nr. 463-9/1981 është bartur në pronësi të shtetit të atëhershëm RSFJ, për nevojat e ish-APJ-së. Zyrtarët komunalë kanë thënë se me gjithë kërkesat dhe ankesat e disa pronarëve që të ju kthehen parcelat e tyre përsëri në pronësi, kjo nuk do të jetë pengesë që mund të shkaktojë probleme që Komuna të bëhet zot i kësaj hapësire tokësore, pasi kjo formë e pronësisë i garanton Komunës të drejtën e zotërimit të saj. 
Sipas Racit, kryetari i Gjakovës, Pal Lekaj ka dhënë vizën për fillimin e zhvillimit të procedurës që kjo sipërfaqe sa më shpejtë të bartet në pronësi të Komunës. “Kryetari Lekaj ka urdhëruar që sa më shpejtë të përfundojë kjo çështje dhe të hartohet projekti për ndërtimin e qendrës universitare, në mënyrë që Gjakova vitin e ardhshëm të jetë e gatshme me objekt dhe kompleks universitar”, ka thënë të dielën Raci.
Ndërkohë kryetari Lekaj ka premtuar të dielën se së shpejti do të paraqitet në rend të 
Ditës në Asamblenë Komunale për të marrë një vendim të plotfuqishëm. “Ne i kemi gjetur donatorët, por edhe mjetet nga buxheti komunal do t’i ndajmë për hartimin e planit ideor urbanistik dhe për fillimin e ndërtimit të ambientit universitar”, ka thënë ai.
Ish-pronarët e parcelave që kanë paraqitur kërkesë dhe ankesë për kthimin e pasurisë, në kushte anonimiteti kanë thënë se “do të ndjekim rrugën ligjore për kthimin e pasurisë tonë, por nëse është në pyetje universiteti, do të kërkojmë kompensim të pasurisë”.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›