Zoelik:Ekonomia globale do pësojë rënie

"Ekonomia globale do të pësojë rënie nga një në dy përqind gjatë këtij viti". Kështu ka deklaruar Presidenti i Bankës Botërore Robert Zoelik, duke shtuar se intensiteti i ngadalësimit ekonomik ishte i paprecedent që nga koha e depresionit të madh të viteve '30, të shekullit XX. Duke folur nga Brukseli, Zoelik tha se 2009-a do të jetë një vit shumë i rrezikshëm. Ai theksoi se FMN-ja ka publikuar një parashikim, sipas të cilit ekonomia botërore do të pësojë rënie dhe se situata do të përkeqësohet. "Unë mendoj se 2009-a do të jetë një vit shumë i rëndësishëm. Dhe për t'iu dhënë disa të dhëna, mund t'iu them se Fondi Monetar Ndërkombëtar ka dalë me një parashikim të ri, që thotë se rënia do të jetë të paktën një përqind. Ne si Bankë Botërore do të nxjerrim së shpejti të dhënat tona, që do të jenë pak a shumë të ngjashme. Këto shifra nuk janë parë në ekonominë botërore që nga koha e depresionit të madh", u shpreh Zoelik. Më tej, ai propozoi që G-20-ta, që është grupi i 20 vendeve më ekonomi më të zhvilluar në botë, të shqyrtojë mundësinë nëse janë të nevojshme masat e mëtejshme stimuluese financiare, për ta kthyer situatën në normalitet. Më 2 prill, në kryeqytetin britanik Londër do të mbahet samiti i G20-ës, ku do të mblidhen për të diskutuar rreth krizës liderët kryesore botërorë.