E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prishtina do t'i kërkojë KS largimin e UNMIK-ut

Prishtina zyrtare do të kërkojë nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së që misioni i UNMIK-ut të përfundojë mandatin e tij në Kosovë. Udhëheqësit politikë kosovarë presin që shefi i UNMIK-ut, Lamberto Zannier, të paraqesë raportin real në Këshillin e Sigurimit për zhvillimet në Kosovë dhe të theksojë qartë se misioni i UNMIK-ut tashmë është i konsumuar. Ata shprehen se misioni i Kombeve të Bashkuara nuk duhet të ketë ndonjë rol vendimmarrës në Kosovë, madje as të interesohet për bisedimet e mundshme teknike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, përpjekje kjo e UNMIK-ut, që po vazhdon prej disa muajsh. Ndërsa zyrtarë të UNMIK-ut thonë se shefi i tyre, ka mandat që të ndihmojë në bisedimet e mundshme teknike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, sepse këtë angazhim ia kërkon Këshilli i Sigurimit. Mirëpo autoritetet kosovare nuk dëshirojnë që UNMIK-u të jetë në rolin ndërmjetës në bisedimet e mundshme teknike Prishtinë-Beograd. Liderët kosovarë madje as nuk kanë pranuar që të takohen me shefin e UNMIK-ut për të biseduar këtë çështje. Zëvendëskryeministri i Kosovës Hajredin Kuci thotë se qeveria nuk ka asgjë kundër shefit të UNMIK-ut. "Qeveria respekton zotin Zannieri, dhe gjithashtu misionin e UNMIK-ut e cilëson të suksesshëm. Por sipas nesh, UNMIK-u nuk ka nevojë për një mandat të ri dhe nuk ka nevojë që të ngarkohet me aktivitete që do t'ia zgjasnin jetën", ka deklaruar Kuçi. Autoritetet e Prishtinës nuk shqetësohen fare për brengosjen e mundshme të Këshillit të Sigurimit për mosfillimin e dialogut teknik Prishtinë-Beograd. Përkundrazi ata do të kërkojnë që misioni i UNMIK-ut të përfundojë tërësisht mandatin në Kosovë. Këtë kërkesë do ta bëjë ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Skender Hyseni, i cili tashmë është konfirmuar se do të jetë i pranishëm në seancën e Këshilli i Sigurimit. Në këtë seancë do të flitet edhe për punën tre mujore të misionit europian EULEX.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›