E Diel, 1 Nëntor 2026

PS: Svotojmë asnjë ligj pa u miratuar Kodi

PS nuk voton asnjë projektligj që kërkon shumicë të cilësuar votash, në rast se PD nuk sjell në Kuvend Kodin Zgjedhor

TIRANË- Partia Socialiste nuk do të votojë në Kuvend asnjë projektligj përsa kohë mazhoranca nuk do të sjellë për miratim Kodin Zgjedhor. Kur kanë mbetur më pak se një javë nga përfundimi i mandatit të shtyrë disa herë të komisionit të posaçëm parlamentar për Reformën Zgjedhore, socialistët vendosin të mos tolerojnë më në këtë drejtim, dhe kërkojnë nga mazhoranca që ti jap fund vonesave të pajustifikuara dhe të përcaktojë një datë konkrete kur do të bëhet diskutimi dhe miratimi i Kodit të ri Zgjedhor.

Leskaj

Deklarata është bërë dje nga kryetarja e grupit parlamentar socialist, Valentina Leskaj, vetëm pak momente para votimit të projektligjit “Për disa ndryshime në Kodin Civil”. Duke marrë shkas pikërisht nga numri i cilësuar i votave që kërkon për tu miratuar një projektligj i tillë, kryetarja e grupit socialist ka bërë të qartë se deputetët që ajo drejton nuk do të votonin asnjë nismë tjetër ligjore që kërkon të miratohet me 3/5 e votave pa miratuar më parë Kodin e ri Elektoral. “Ne parimisht jemi gati të votojmë ndryshimet e sotme në Kodin Civil. Por po ju them se ne nuk do të votojmë asnjë projektligj tjetër që kërkon një shumicë të cilësuar votash, pra me 3/5 në rast se ju nuk sillni në Kuvend Kodin Zgjedhor. Duhet të ndani një datë se kur ne do ta miratojmë në Kuvend”, - tha Leskaj gjatë fjalës së saj. Ndërkohë ajo ka shpjeguar pas seancës se një hap i tillë shtrëngues nga ana e PS-së është ndërmarrë për shkak se koha që kalon nuk lejon më vonesa pa fund. Sipas Leskajt, shtyrja e punës në komisionin e reformës, ka çuar procesin në limitet e tij kohore. “Prandaj, - ka vlerësuar ajo-, çdo shtyrje e mëtejshme e punës në këtë drejtim do të cenonte rëndë cilësinë e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare”.

“Kam kërkuar që të përshpejtohet puna për miratimin e Kodit Elektoral për shkak se çdo vonesë mund të cenojë cilësinë e procesit zgjedhor sepse jemi në limitet kohore”, - shtoi Leskaj.

Reforma

Pavarësisht ultimatumit të socialistëve, duket se komisioni i posaçëm për Reformën Zgjedhore është gati që ta mbyllë punën e tij brenda datës 31 tetor, kur dhe është limiti i mandatit të tij. Burime pranë dy partive të mëdha bënë të ditur se grupi i ekspertëve pothuajse ka mbyllur punën për hartimin e draftit për kapitujt e mbetur të Kodit dhe pritet që brenda ditës së hënë të jenë paraqitur për diskutim dhe më pas për miratim në komision. Bëhet fjalë për disa kapituj me rëndësi të veçantë sidomos në drejtim të përcaktimit të statusit të institucioneve që do të merren me administrimin e zgjedhjeve, siç është KQZ, komisionet e votimit, komisionet e numërimit të votave, apo dhe çështjet që kanë të bëjnë me ndarjen e zonave dhe mandateve për secilën prej tyre. Gjithashtu mbeten për tu përcaktuar dhe një sërë dispozitash të tjera kalimtare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›