Meta: LSI, gati për qeverisjen e vendit
Kryetari i LSI, Ilir Meta, prezantoi në Shkodër dhe në Pukë Planin për Veprim të LSI dhe kandidatët për deputetë të saj në qarkun e Shkodrës. I shoqëruar nga nënkryetari i LSI, Prof. Sokol Axhemi, që udhëheq edhe listën e kandidatëve të LSI në qarkun e Shkodrës, Meta garantoi se LSI ka plan konkret për nxjerrjen e vendit nga kriza, luftën kundër varfërisë, duke hapur 100 mijë vende të reja pune dhe rritjen e mirëqenies. Meta u shpreh se Plani për Veprim është përmbledhja e programit të plotë elektoral dhe qeverisës të LSI për zgjedhjet e 28 Qershorit për katër vitet që vijnë. Është një plan konkret dhe realist, është një plan i bazuar mbi mundësitë aktuale që ka vendi ynë dhe mbi prioritetet e zhvillimit të tij. Duke folur për koston e shtrenjtë të jetesës së shqiptarëve, Meta theksoi se LSI do të marrë masa për lehtësimin e saj. Kështu ai u shpreh se, “do të subvencionojmë energjinë për 300 kilovat/orë në muaj për konsumatorët familjarë të varfër dhe do të përgjysmojmë TVSH nga 20% deri në 10% për produktet e shportës, si vaji, orizi, makaronat etj. Ndër të tjera, Meta ka premtuar se do të nxjerrë bujqësinë nga kriza, duke subvencionuar deri në 25% për qind për inputet, si farërat, fidanët, pesticidet, plehrat kimike, karburantin për punimet në bujqësi. Meta garantoi se përmes një politike të tillë mbështetëse dhe subvencionuese, synohet që brenda 4 viteve gati 60-70% e importeve të sotme të zëvendësohen me prodhim vendi.