E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çfarë po ndodh me NATO-n?!



“Nuk mund të ketë tregti në raport me shqetësimet tona për Kosovën”, - tha dje Xho Bajden (zv.president i SHBA-ve).

Çka po ndodh? Para disa ditëve, si rrufeja në pikë vere, Xhuzepe Emilio Geji (komandant i KFOR-it), paralajmëroi në mënyrë paushalle “reduktimin” e trupave të KFOR-it në Kosovë. “Paushalli” shihet në mosidentifikimin e Gejit se cilat trupa nacionale do të “reduktohen”. Sipas tij, duket se i gjithë KFOR-i do të “reduktohet”, e jo vetëm trupat e shteteve që nuk janë aleate me Rusinë. Pasoi reagimi shumë kategorik (gati nervoz) i Jap de Hup Sheferit që përgënjeshtroi deklaratën e “individit” (si tha ai) “qoftë edhe i uniformuar”, duke mos “denjuar” ta përmendë emrin e Emilio Gejit. Pastaj, detaje plotësuese të “nervozës” së Sheferit ofroi zëdhënësi Xhejms Apaturai. Nuk vonoi shumë pas “dhënies shpjegim” të zëdhënësit të NATO-s (si për inat të tij) dhe disa shtete paralajmëruan “reduktimet” e trupave të tyre në KFOR si një demant tipik ndaj deklaratës së Sheferit dhe Apaturait.

Çfarë tregtie po ndodh në NATO? Para se ta kishim bërë këtë pyetje, duhet të jepeshin këtu dy “konstatime kategorike”: 1. Reduktime të trupave të tyre në KFOR nuk paralajmëruan Spanja dhe tri shtete tjera të NATO-s, që nuk e pranojnë Republikën e Kosovës dhe 2. Reduktime (dhe madje largime) paralajmërojnë shtetet që jo vetëm e kanë pranuar pavarësinë e Kosovës, por këtë punë nuk e kanë bërë vetëm si një formalitet politik (Gjermania, Çekia, Suedia, Britania).

Jap de Hup Shefer, në qershor 2008, duke folur për “paqartësitë” e rikonfigurimit të UNMIK-ut, paralajmëroi se NATO-ja pranon të gjitha kriteret e rikonfigurimit, që do të thotë se komandant i KFOR-it në Kosovë do të jetë UNMIK-u, përkatësisht OKB-ja, ashtu si ishte që nga Marrëveshja e Kumanovës. Qëndrimet e Sheferit ishin identike me ato të Solanës, që do të thotë kategorikisht shprehet ndikimi i BE-së në NATO, e jo edhe i SHBA-ve. BE-ja pranoi që në Kosovë të veprojë nën ombrellën e UNMIK-ut, OKB-së. Nënshtrimi i BE-së nën OKB-në përcakton superioritetin e OKB-së mbi NATO-n. Kjo nuk do koment. Pra, jokonsensusi në BE lidhur me statusin e Kosovës, zbulon edhe jokonsensusin në NATO të shteteve të BE-së, dhe jo vetëm për “çështjen e Kosovës”. ǒështë e vërteta, përçarja “konspirative” në NATO nuk pranohet në formë deklarative zyrtare, por veprimet dhe qëndrimet politike të disa shteteve evropiane anëtare të saj, më shumë shprehin dhe dëshmojnë aleancë me Rusinë dhe shumicën e shteteve latino-amerikane sesa me NATO-n, përkatësisht me SHBA-të dhe me shtetet evropiane aleate të SHBA-ve. A ka nevojë të përsëritet se NATO-ja është aleancë ushtarake euroatlantike? Si është e mundur atëherë, në çfarëdo lloj varianti politik, që ajo të komandohet nga OKB-ja, kur dihet se në këtë organizatë ndikimin politik e kanë të gjitha shtetet e Lindjes me në krye Rusinë?

Rikonfigurimi i UNMIK-ut nënkupton vazhdimin e rolit të supremitetit të OKB-së mbi NATO-n (KFOR-in). “Reduktimi” (ose edhe largimi i pritshëm) i trupave të KFOR-it të shteteve aleate të SHBA-ve nënkupton refuzimin e komandës së OKB-së mbi NATO-n. Qëndrimi i Spanjës ndaj Kosovës është lexuar si “sindromi bask”, por në realitet ky shtet i NATO-s haptas vihet në aleancë me Rusinë, jo më për Kosovën, por për fushatën antiamerikane proruse që bëjnë disa shtete të NATO-s në Evropë.

NATO-ja nuk është më aleancë euroatlantike, siç ishte në themelimin e saj. Lufta që bëjnë kundër SHBA-ve disa shtete brenda kësaj aleance, paraqet një imperativ që së shpejti secili shtet i fuqishëm të mbrohet në mënyrë të njëanshme. Rusia filloi haptas etapën e dytë të Luftës së Ftohtë, duke krijuar shtete të fuqisë atomike (Iranin, Korenë Veriore etj.). Aleatët e Rusisë brenda NATO-s do ta detyrojnë krijimin e një fuqie të re botërore të njëanshme. Pra, nuk ka më NATO dhe OKB, po shtete aleate të fuqive të mëdha të njëanshme. Luftën do ta fitojë Rendi i Ri Botëror!

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›