Qershori, mes evolucionit dhe revolucionit
Edhe pse dita e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare duket të jetë një stinë larg, vetë sondazhet e përmuajshme të Zogbit, periodike të Bobit dhe të përjavshme të SHNT-së (Sharlot Network Communication) tregojnë se "ftohma" e zgjedhjeve është aq virusale, sa “teshtimës” së saj të mbetet t'i thuash “shëndet” apo “plaç”. Sondazhet e kryera në Perëndim, në një kohë kur kriza financiare ka përfshirë të gjitha tregjet botërore, tregojnë se të anketuarit e debitojnë në të majtë të bilancit zërin "krizë", edhe pse kjo nuk çekuilibron bilancin faktik të forcave qeverisëse në Perëndim, të majta apo të djathta qofshin. Më konkretisht. Në Gjermani, CDU-ja e Merkelit, si forca kryesore e koalicionit qeverisës të djathtë, ruan të pacenuara kuotat e saj - bazuar në anketime - ndërkohë që socialdemokratët e majtë po humbin kuotimet e tyre si kurrë ndonjëherë në historinë e tyre politike. Në Itali, edhe pse kriza ka kohë që ndihet, e majta joqeverisëse humbi thellë edhe në zonat më të varfra të jugut (rasti i Sardenjës), aq sa mediat e pavarura e konsiderojnë tashmë Berluskonin qeverisës si triumfator të betejës për "hegjemoni sociale". Në Francë, edhe pse efektet e krizës kanë dhënë efektet e saj - sipas "Le Figaro" - Nikola Sarkozi e ka rritur brenda disa ditëve audiencën e tij nga 15 milionë në 17 milionë, kur deklaroi në dy emisione televizive se «En période de crise, les Français veulent que le capitaine 'soit sur le pont', qu'il fasse tout, qu'il prenne des paquets de mer sur les épaules et ramène le bateau au port!» (Në periudhë krize francezët duan që kapiteni të qëndrojë në kuvertën e anijes, të përballet me gjithçka, të hedhë mbi shpinë salvaxhenten e ta kthejë anijen në liman). Ndërkohë që partia e Segolenit është duke përjetuar një krizë të thellë integriteti dhe çarjeje brenda radhëve të socialistëve, aq sa dëshirat e saj për të ardhme obamiane - "desirs d'avenir" - kanë rezultuar me parcelizim si dhe kanë paralizuar efektin politik të së majtës joqeverisëse - pasojë e konfliktit permanent të vjetër-të rinj, sipas analistëve dhe opinionistëve francezë. Në Spanjën e udhëhequr nga koalicioni i majtë - sipas anketave - Zapatero ka mbajtur të pandryshuara kotat e tij politike gjatë krizës 38.6% - ka rezultuar me rënie vetëm me disa presje dhjetore krahasuar me sondazhin e një muaji më parë sipas "El Pais" - edhe pse e djathta e Rahoit, që ka rënë edhe ajo me presje dhjetore - e ndjek pas me më pak se 2% diferencë, edhe pse partia e këtij të fundit është nën akuzë të supozuar për korrupsion - sipas edhe "El Periodico". Ndërsa në Shqipëri, ku kriza botërore nuk gjen shumë terren në një vend që është në epikrizë - si pasojë 'e zgjedhjes' fataliste të bërë në vitin 1945 - nuk ka asnjë arsye logjike që kriza financiare të kuotohet në debitin e bilancit të qeverisë aktuale. Të paktën besoj e gjykoj se shqiptarët nuk janë përjashtimi i rregullit që mbizotëron në Perëndim, në të cilin jemi me një këmbë jashtë e me një këmbë brenda. Ajo që i mbetet elektoratit që beson se mandati i dytë është një kafshatë që kapërdihet për një qeverisje aktuale, është se i gjithë faji nuk është i Berishës, kur një i majtë e gjen 'të panguar' të shoqen e tij - perifrazoj Çikën në shkrimin e tij të fundit - por edhe faji nuk është as edhe jetim. Nuk do të jetë as faji i Edi Ramës dhe Gjinushit dhe kloneve të tij, ruajna o Zot, nëse 'revolucionarët e pangimit' qershorizohen. Sepse "portokollët modernë do ta kthejnë çdo zyrë qeveritare a joqeveritare në kopsht "mandakallesh" - siç thirrej disa dekada më parë fruti në fjalë. "Ne nuk e kemi problemin me të majtën, por sfidën e kemi mes vetes, e për këtë vlen të përpiqemi fort deri në qershor". Ishin pak a shumë këto fjalët e zemrës së një figure stoike politike dhe mediatike të së djathtës qeverisëse, gjatë pirjes së një kafeje mëngjesi, gjë që në çast më sollën ndërmend analizën e gazetarit e publicistit andaluzian, Miguel Mora të "El Pais", kur analizonte se Berluskoni tashmë nuk mund të kritikojë më opozitën "si fole e të kuqve", pasi nuk ka më as opozitë e nuk janë më as të kuq. Dhe kjo nuk vlen vetëm si një "zë flamengoje", por... Në Shqipëri, e djathta në progres e sidomos elektorati i saj i larmishëm, vlen të sjellë në kujtesë se fatalizmi është një sindrom recesiv i totalitarizmit, ashtu siç edhe moria e fragmentuar dhe 'idiosinkrazia ndaj vetes', siç shprehet shkrimtarja ruse antistaliniste, Maria Zgustova në një shkrim të saj të botuar së fundmi në "El Pais". Një kundërshti deri në alergji në jo pak raste të manifestuara brenda radhëve mazhoritare. Kësisoj, për t'ia dalë mbanë kësaj sfide brenda radhëve, vlen që gjithkush të mos shohë më qimen në syrin e përbriut, por traun - në të gjitha kuptimet e kësaj fjale - te kundërshtari pa shtëpi politike e pa katandi morale. Së këtejmi, gjykoj se shqetësimi i kolegut tonë gazetar e njëherazi politikan, do të jetë me vend dhe do të zërë vendin e duhur në popull. Do të zërë më shumë vend tek ata që nga njëra anë mendojnë se dhe sa ditë do që të vijë dita e zgjedhjeve, nga ana tjetër vrasin mendjen se edhe sa ditë ka që të vijë dita e rrogave. Por këta janë mazhorancë në popull dhe pa mazhorancë nuk mund të flitet për fitues mazhoritar të qershorit, evolucionist qoftë apo revolucionar mos qoftë.