Murinjo: “Do të qeshim të gjithë bashkë”
“Presion? Jo. Asnjë presion. Por gëzim e të qeshura. Nëse lojtarët janë me mua, dhe e di që janë, ne do të bëhemi kampionë të Europës”. Këtë deklaroi trajneri i Interit, Hoze Murinjo, pas stërvitjes njohëse në “Old Traford”, në prag të sfidës me Mançester Junaitid. Pasi i bëri ballë performancës dominuese të Mançester Junaitid dy javë më parë, Interi ka shansin të mërkurën të përzërë kampionët në fuqi të Ligës së Kampionëve dhe të mbërrijë në çerekfinale. Trajneri i Interit, Hoze Murinjo, ka historinë në anën e tij, teksa do të përballet kundër Mançesterit në “Old Traford”. Ai ka humbur vetëm një nga 13 përballjet me Junaitidin e Aleks Fergusonit. Fitorja më e paharrueshme e Murinjos mbetet ajo e vizitës së parë të Murinjos në “Old Traford” pesë vjet më parë, kur ai udhëhoqi Porton drejt fitimit të titullit kampion të Europës. Mançester Junaitid është i pathyer në 20 ndeshjet e fundit në Ligën e Kampionëve, ndërkohë që në shtëpi nuk humbet prej 18 ndeshjesh dhe është në gjueti për të koleksionuar pesë trofe këtë sezon. Murinjo u bashkua me Interin verën e kaluar pas një të kaluare te Çelsi, ku ai e mundi dy herë Fergusonin në luftën për titullin e Premier Ligës.
Trajneri i Mançester Junaitid, Aleks Ferguson, bëri të ditur se Rio Ferdinand dhe Xhoni O’Shi janë në gjendje të mirë fizike dhe do ta nisin lojën nga minuta e parë kundër Interit. Ferdinand la fushën i dëmtuar gjatë ndeshjes së fituar 4-0 kundër Fulhamit në Kupën e Anglisë dhe ekzistonte frika se ai nuk do të ishte gati të luante kundër formacionit të Hoze Murinjos. Gjithsesi, Ferdinand mori pjesë plotësisht në stërvitjen e djeshme, ndërkohë që dhe O’Shi reagoi pozitivisht pas trajtimit të problemit me kofshën.
"Të dy janë në gjendje fizike të mirë dhe të dy do të luajnë”, - tha Fergusoni. “Të dy u stërvitën për herë të parë në mëngjes (dje) dhe kjo është e rëndësishme për ne”. Ferdinand do të jetë partneri i Nemanja Vidiçit në qendër të mbrojtjes. Mbrojtësi serb mungoi në ndeshjen e parë të luajtur në “San Siro”, por tashmë e ka shlyer pezullimin.
“Djajtë e kuq” luajtën më mirë se liderit e Serisë A në “San Siro”, por nuk shkuan më shumë se 0-0, duke mos krijuar dot ndonjë avantazh nga goli në fushën kundërshtare. Kjo e vendos në një presion ekstra mbi mbrojtjen e mrekullueshme të Junaitid, që duhet të japë maksimumin për të ndaluar Zlatan Ibrahimoviçin dhe Adrianon. Mbrojtësi Nemanja Vidiç do të rikthehet pas pezullimit në ndeshjen e parë. “Ai është një lojtar i madh, është duke luajtur shumë mirë këtë vit”, - tha Ibrahimoviçi. “Nuk është problem për mua të luaj më të mirin, pasi kjo është pjesë e sfidës. Lojtarët kërkojnë gjithmonë raste të mëdha. Ju duhet t’i shijoni ato. Ne duhet të fitojmë ose të barazojmë dhe të shkojmë më tej, por unë nuk mendoj se secili nga ekipet do të luajë për barazim. Ne do të shohim se si do të shkojë loja”. Mbrojtësi i Junaitid, Patris Evra, është i bindur se do të dijë të mbajë larg sulmin e Interit. “Ne me të vërtetë e ndiejmë që askush nuk mund të shënojë kundër nesh, qoftë në shtëpi apo jashtë”, - tha francezi. “Na bën të ndihemi në mënyrë të pabesueshme të sigurt. Ne e dimë se mund të fitojmë duke shënuar qoftë dhe një gol të vetëm pasi ne jemi të aftë të mbajmë rezultatin”.
Evra ishte një nga humbësit kur Monako e tij u ndesh në finalen e vitit 2004 me Porton e Murinjos. “Murinjo është nga ai lloj trajneri që gjithkush dëshiron ta mundë”, - tha Evra. Unë humba një finale të Ligës së Kampioneve kundër tij me Monakon, por unë e fitova atë më pas me Junaitid. Ishte një fitore e bukur. Unë nuk mendoj për hakmarrje, por në të vërtetë unë dëshiroj ta mund atë”.
Ekipet e mundshme
Mançester Junaitid:
Van der Sar; Nevil, Vidiç, Ferdinand, Evra; Kerrik, Skols, Runi, Park, Ronaldo, Berbatov
Inter:
H.Cesar; Maikon, Samuel, Kordoba, Santon; Zaneti, Kambiaso, Muntari, Stankovic; Ibrahimoviç, Adriano
Gjyqtar: Stark (Gjermani)
Ibra: “Interi do të triumfojë”
Sulmuesi i Interit, Zlatan Ibrahimoviç, këmbënguli se formacioni i tij do të triumfojë mbi Mançesterin kur të dy ekipet do të përplasen të mërkurën në mbrëmje për Ligën e Kampioneve. Kjo ndeshje konsiderohet si më e madhja e vitit dhe zikaltërit e Murinjos, në mënyrë të veçantë ndërkombëtari suedez, mezi pret të gjëmojë kundër “Djajve të kuq”. Interi ndodhet në Mançester, duke përgatitur shkatërrimin dhe Ibrahimoviçi mund të shohë vetëm një fitues. “Ne kemi përqendrimin e duhur në përballimin e ekipeve si Mançester Junaitid”, - tha ylli suedez për gazetën “Expressen”. “Ne do të bëjmë gjithçka për të fituar dhe kaluar në çerekfinale. Unë nuk jam i shqetësuar dhe i besoj trajnerit tonë. Murinjo është i madh dhe ai e njeh ambientin anglez”. Ndeshja e parë në “San Siro” dy javë më parë përfundoi në barazim 0-0. Interi ka nevojë të shënojë në “Old Traford” dhe Ibra shpreson se do të jetë ai që do ta dëmtojë Mançesterin.
Venger: “Roma, skuadër e rrezikshme në sulm”
Atmosfera në “Olimpiko” nuk është shumë miqësore, teksa Roma do të presë në shtëpi Arsenalin. “Topçinjtë” britanikë fituan ndeshjen e parë 1-0, falë golit të Robin van Persit nga pika e bardhë në “Emirates”. Arsenali ka kujtime të bukura nga katër udhëtimet e tij të fundit në Itali, duke mundur Romën me tre gola të Tieri Henrit në sezonin 2002-2003, shkatërruar Interin 5-1 në 2003-2004, barazuar me Juventusin 0-0 në edicionin 2005-2006 dhe duke fituar 2-0 kundër Milanit gjatë sezonit të shkuar, me dy gola historikë të Sesk Fabregasit e Emanuel Adebajorit. “Roma është një skuadër shumë e mirë sulmuese, kështu që nëse do t’i lejojmë ata të shpenzojnë 90 për qind të kohës të bëjnë si të duan, atëherë do të rrezikojmë veten tonë. Kështu, ne do të përpiqemi të diktojmë lojën tonë, si pjesë e personalitetit të ekipit”, - tha trajneri i Arsenalit, Arsen Venger.
11 Mars 2009