E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kupa, sot zbardhen gjysmëfinalistët



Ecuria fantastike e Dinamos në drejtimin e Shkëlqim Muçës mund të shndërrohet e tëra në pluhur nëse kampionët në fuqi të Shqipërisë nuk do të arrijnë të kualifikohen me Vllazninë, fituesen në fuqi të Kupës së Shqipërisë. Dinamo-Vllaznia është përplasja më e madhe në turin çerekfinal të edicionit të 57-të të Kupës së Shqipërisë, pasi, me përfundimin e 90-të minutave të dyta, njëra prej dy skuadrave, që renditen aktualisht në vendet 2-3 të kampionatit, do t’i japë fund së paku ëndrrës për fitimin e kompeticionit të dytë më të rëndësishëm të futbollit në Shqipëri. Dinamo luan në shtëpi me avantazhin e fitores (1-2) të siguruar në “Loro Boriçi” dy javë më parë, ndërkohë që skuadrës shkodrane, tashmë të drejtuar nga malaziasi Dervish Haxhiosmanoviç, i duhet të fitojë në kryeqytet me të paktën dy gola diferencë për të mbyllur kualifikimin brenda kohës së rregullt ose 2-1 për ta çuar atë në shtesa e për ta zgjidhur nga pika e bardhë e penalltisë. Besa-Shkumbini është një tjetër sfidë e nxehtë e çerekfinaleve, pasi të dyja skuadrat e shohin kupën si mundësinë e vetme për të dalë në Europë. Në ndeshjen e parë në Peqin, takimi u mbyll në barazim 1-1, por Nora e Dervishi të Shkumbinit u ndëshkuan me karton të kuq. Goli i Fitim Halitit në fushë kundërshtare mund të vlejë shumë në takimin e kthimit në Kavajë. Në grupin B, të dy takimet janë të hapur. Tirana, kryesuesja e kampionatit, do të përballet me Elbasanin në “Ruzhdi Bizhuta”, në një sfidë tërësisht të hapur, pasi ndeshja e parë në kryeqytet përfundoi e bardhë pa gola. Ndeshja do të ketë një spektator “VIP”, trajnerin e Kombëtares, Ari Han, i cili do të ndjekë në aksion Vrapin, Agollin e Lilën. Elbasani shpenzoi më shumë se 200 mijë euro në merkaton dimërore dhe e shef Kupën si mundësinë e vetme për të justifikuar faturën e madhe financiare e shpëtuar sezonin. Trajneri Faruk Sejdini ende nuk e ka arritur fitoren e parë në pesë javë drejtim, por nuk është çudi që “xhaxhi”, i njohur për kurthet e tij, ta bëjë këtë kundër Tiranës, me të cilën ka barazuar dy herë në dy përballjet e fundit. Partizani ka përballë Flamurtarin, ndaj të cilit humbi në Vlorë me një penallti të diskutueshme. Dy skuadrat nuk kanë shumë diferenca midis tyre, të paktën nga ajo që duket në renditjen e kampionatit. Të “kuqtë”, që janë dhe rekordmenët e Shqipërisë në këtë aktivitet (15 trofe), e shohin si të mundshëm kualifikimin e kalimin në mes të katër më të mirave të vendit.

KUPA E SHQIPËRISË
Çerekfinalet
Ndeshjet e kthimit
11.03.2009, 14:30

GRUPI A
Dinamo-Vllaznia 2-1*
Besa-Shkumbini 1-1

GRUPI B
Elbasani-Tirana 0-0
Partizani-Flamurtari 0-1

* Rezultatet e ndeshjeve të para

11 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›