Zola ishte më i miri

Ish-mesfushori i West Ham Unitedit, Valon Behrami beson se klubi nuk është dashur ta shkarkojë menaxherin Gianfranco Zola dhe mendon se Avram Grant ishte zgjedhje e gabuar si pasardhës i italianit.
Behrami u largua nga Upton Park në janar për te klubi italian, Fiorentina, pasi asnjëherë nuk dukej rehat në Angli, por theksoi se ishte kënaqur me punën e tij me Zolën. “Ata e shkarkuan atë pa arsye”, u tha Behrami gazetarëve.
“Kishim një sezon të vështirë, por siguruan mbijetesën dy ose tri ndeshje para përfundimit të kampionatit, edhe pse kaluam periudhë të vështirë me shitjen e klubit. I gjithë ekipi ishte me Zolën. Ne e ndjenim atë si menaxher dhe mund të përmirësohemi. Andaj futbollistët ishin shumë, shumë të mërzitur që ai u shkarkua dhe menaxheri i ri ishte i vështirë për t’u pranuar”, shtoi kosovari.
Grant zëvendësoi Zolën në West Ham dhe Behrami beson se izraeliti gjithmonë ishte duke luftuar një betejë të humbur.
“Ne kërkonim diçka të re, por nuk e ndjenim atë”, theksoi Behrami, i cili edhe pse nuk pëlqen taktikën e menaxherit të ri të West Hamit, Sam Allardyce, ai beson se ky strateg mund t’i ndihmojë ekipit të kthehet në Premierligë.
“Nuk më pëlqen ajo mënyrë e lojës, sepse më tepër pëlqej atë të Zolës, gjithmonë me top dhe lojë atraktive. Por, Allardyce është menaxher i mirë me personalitet dhe kjo i nevojitet West Hamit për të bërë reagim të mirë, reagim të madh”, përfundoi Behrami.