E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deputeti Neranxi, në prokurori për kontrabandën

Deputeti i LSI-së, Nikollaq Neranxi, u paraqit vullnetarisht në organin qendror të akuzës për të sqaruar veprën penale të kontrabandës, që rëndon ndaj kompanisë së tij. Dje, rreth orës 11, deputeti ka hyrë në organin qendror të akuzës për t‘u drejtuar më pas në zyrën e prokurorit Arben Kraja. Para Krajës, Neranxi ka paraqitur një dëshmi me shkrim në lidhje me qëndrimin e tij për akuzat e ngritura nga organi i akuzës. Burime nga prokuroria deklaruan se dëshmia është administruar në fashikullin hetimor dhe tashmë pritet një qëndrim i Kuvendit. Kuvendi, sipas procedurës, brenda tre muajve duhet të vlerësojë nëse kërkesa e prokurorisë për heqjen e imunitetit është e ligjshme ose jo. Ndërkohë, gazeta "Shqip" ka kontaktuar dje me deputetin e LSI-së, i cili ka pranuar se është paraqitur vullnetarisht në organin qendror të akuzës, pas ftesës së kryeprokurores Ina Rama. Neranxi ka hedhur poshtë çdo pretendim të prokurorisë, duke i cilësuar ato si të paligjshme.

Reagimi i Neranxit
Deputeti i Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, Nikollaq Neranxi, i kontaktuar dje pasdite me telefon nga gazeta "Shqip", ka pranuar se është paraqitur vullnetarisht para prokurorit Arben Kraja për të sqaruar akuzën e kontrabandës me mallra të tjerë. "Po isha në prokurori, pasi Prokurorja e Përgjithshme, znj.Ina Rama, më kishte dërguar një letër ku më parashtronte se duhet të paraqitesha para prokurorit Arben Kraja në datën 26 mars ora 11:00" tha ai, duke shtuar se është paraqitur rreth orës 11 pa pesë minuta dhe ka qëndruar deri në orën 11:25. "Gjatë kësaj kohe, kam takuar prokurorin Kraja, të cilit i kam paraqitur një dëshmi timen që e kisha përgatitur më parë, në lidhje me akuzat që ka ngritur organi i akuzës ndaj personit tim", saktësoi deputeti, duke shtuar se në dokumentin që i ka paraqitur organit të prokurorisë i ka parashtruar të gjithë ngjarjen për të cilën akuzohet. Ai tha se akuzat e ngritura nuk i pranon dhe i cilëson si të paligjshme. "Pas qëndrimit 30 minutash jam larguar, pasi në të njëjtën orë në Kuvendin e Shqipërisë ishte seanca plenare ku do të votohej për protokollin e anëtarësimit në NATO dhe nuk doja ta humbja një seancë historike për popullin e Shqipërisë", përfundoi Neranxi.

Prokuroria
Disa ditë më parë, Prokuroria e Përgjithshme i kërkoi Parlamentit të Shqipërisë heqjen e imunitetit për deputetin e LSI-së, Nikollaq Neranxi, i cili dyshohet se ka konsumuar elementet e veprës penale të kontrabandës me mallra të tjerë. Shkresa është nisur nga organi qendror i akuzës dhe është protokolluar në sekretarinë e Kuvendit, ku pritet të kalojë në këshillin e mandateve për verifikim. Sipas rregullores, përfaqësuesit e Kuvendit brenda tre muajve duhet të marrin një vendim. Nëse vërtetojnë se Neranxi ka shkelur ligjin, atëherë çështjen e dërgojnë për votim në sallën e Parlamentit. Ndërkohë, organi i prokurorisë deklaron se ka prova të pakontestueshme që vërtetojnë abuzimin e deputetit dhe kërkojnë "ndihmën" e Kuvendit për të vazhduar hetimet, pasi personi i dyshuar se ka shkelur ligjet e shtetit, është deputet në Parlamentin e Shqipërisë. Shkresa e dërguar nga prokuroria në drejtim të Kuvendit të Shqipërisë për heqjen e imunitetit ndaj deputetit Neranxi është firmosur nga Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama. Me cilësinë e drejtueses së organit të akuzës, ajo ka kërkuar që ndaj personit në fjalë të zhvillohen hetime të tjera, pasi dyshohet se ka kryer vepër penale. Në kërkesë thuhet se pas hetimeve të prokurorit të çështjes, Arben Kraja, janë zbuluar shkelje të deputetit Neranxi që besohet të kapin shifrën e rreth 136 milionë lekëve dëm ndaj shtetit shqiptar. Kalimi i mallrave në doganë pa i deklaruar u zbulua fillimisht nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, e cila i referohet vitit 2004-2005 për abuzime edhe të vetë doganierëve në këtë çështje. Fillimisht, dosja u hetua nga njësia antikorrupsion në Prokurorinë e Tiranës "Task-Forca", ku u verifikuan të dhënat e para. Janë pyetur dhjetëra dëshmitarë të cilët kanë treguar për kontrabandën e firmës së Neranxit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›