E Shtunë, 31 Tetor 2026

Killeri Paja, lexohet kërkesa për gjykim

Prokurori i Krimeve të Rënda, Njazi Seferi, ka lexuar dje në gjykatë kërkesën për gjykim ndaj killerit Ilir Paja, i akuzuar për vrasje për shkak të cilësive të veçanta ndaj një punonjësi të policisë. Paja, mjaft i njohur edhe në shtetin italian, ku ka mundur të arratiset dy herë, do të përballet para togës së zezë me akuzën e vrasjes e mbetur në tentativë ndaj oficerit Bledi Haxhimali. Ngjarja ka ndodhur në datën 6 mars 2008 rreth orës 10:00, ku punonjësit e policisë Bledi Haxhimali dhe Roland Mete, me detyrë agjent në njësinë e operacioneve speciale në Drejtorinë e Policisë Tiranë kanë qenë me shërbim në vendin përballë maternitetit "Koço Glozheni" Tiranë. Aty rastësisht kanë parë një person që po lëvizte me një automjet të markës "Fiat Punto" me targa BC 983 DP, me ngjyrë gri dhe që ngjasonte me shumë me personin në kërkim Ilir Paja. Menjëherë kanë njoftuar eprorin, nga i cili janë udhëzuar të vihen në ndjekje të personit. Dy punonjësit e policisë me motorin e tyre të shërbimit të tipit "Skuter" janë vënë në ndjekje të automjetit që po lëvizte personi në kërkim dhe në kryqëzimin që të çon te spitali "Nënë Tereza" janë pikasur nga Paja. Ky i fundit, gjatë manovrave për t‘u larguar, ka tentuar të vrasë Haxhimalin, por në këtë moment është plagosur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›