Zonat e izoluara, nis shpërndarja e ndihmave nga ajri

Pas një pauze dy ditore si pasojë e borës dhe erës, helikopterët kanë fluturuar sot drejt zonave të izoluara për të vijuar operacionet për shpërndarjen e ndihmave ushqimore. Dy helikopterët e parë me ndihma janë nisur drejt Pukës ndërsa pritet që në orët në vazhdim të ketë fluturime të tjera në zonat e izoluara nga dëbora.
Ditën e djeshme ministri i brendshëm Bujar Nishani deklaroi se qeveria ka alokuar një fond prej 400 milionë lekësh vetëm për zhbllokimin e rrugëve të bllokuara nga dëbora.
Situata në Veri të Shqipërisë vazhdon edhe sot të jetë e rënduar, ku mijra banorë vijojnë të mbeten të izoluar prej gati dy javësh.
Më e rënduar situata është në Dibër, Kukës, Has, Tropojë, Pukë, Shkodër e Malësi e Madhe, ku një pjesë e madhe e rrugëve kombëtare vazhdojnë të jenë të bllokuara prej tre ditësh, ndërkohë që rrugët që shkojnë drejt komunave malore janë tërësisht pakalueshme.