Atentat 52-vjeçarit, qëllohet me armë në mes të Shkodrës
SHKODER/ RIDVAN DIBRA
Të shtëna arme në mes të Shkodrës, por fatmirësisht objektivi i këtij atentati ka mundur t'u shpëtojë plumbave, duke u larguar me vrap. Ngjarja që terrorizoi dhe rrezikoi dhjetëra kalimtarë ndodhi në orën 13:30 në lagjen "Tom Kola".
Sipas policisë, në rrugën "Skënderbeg" në afërsi të shkollës së mesme pyjore të Shkodrës, atentatorët të cilët dyshohet të kenë qenë më shumë se dy, kanë shtënë disa herë me pistoletë. Objektivi i kësaj ngjarjeje ishte 52-vjeçari me inicialet Q.H. Policia për efekt sigurie nuk e bëri publik emrin e tij. Personat që tentuan ta vrasin ende nuk janë identifikuar, ndërsa viktima e mundshme pasi u mor në pyetje mohoi t'i ketë njohur ata. Sipas policisë, Q.H., në momentin e ngjarjes ishte duke lëvizur në drejtim të katedrales së qytetit me automjetin e tij, tip "Fiat Tipo". Një makinë tjetër tip "Benz" i është afruar dhe ka ecur pak metra paralelisht me të. Më pas, personat që ndodheshin në "Benz" kanë qëlluar disa herë me armë ndaj 52-vjeçarit. Por asnjë nga plumbat nuk e kanë prekur shënjestrën e tyre. I ndodhur në një situatë të tillë, viktima braktisi mjetin dhe vrapoi duke u futur nëpër rrugët e ngushta të kësaj lagjeje. Sipas dëshmitarëve, 52-vjeçari është ndjekur disa metra, duke u qëlluar me pistoletë nga personat që kishin planifikuar vdekjen e tij. Veprimi i tyre ka rrezikuar edhe jetën e kalimtarëve të shumtë, të cilët janë terrorizuar nga kjo ngjarje e rëndë e ndodhur në mes të ditës. Por viktima ka mundur të largohet pa marrë asnjë plumb. Autorët e atentatit, pasi qëlluan edhe në ajër janë larguar me shpejtësi me mjetin e tyre, pa mundur të identifikohen nga kalimtarët. Pas kësaj ngjarjeje, policia mbërriti në vend dhe nisi hetimet. Ekspertët e kriminalistikës gjetën dhe sekuestruan 6 gëzhoja pistolete, të cilat u dërguan në laboratorin përkatës, nga ku do të kryhen veprimet e duhura hetimore. Disa prej dëshmitarëve u shoqëruan dhe rrëfyen tmerrin që kishin parë, ndërsa vetë viktima e mundshme mësohet se ka deponuar në polici thjesht skenarin e ngjarjes. Sipas burimeve, ai ka mohuar t'i ketë njohur personat që ishin nisur për ta vrarë. Policia tha se po heton në disa pista për të bërë të mundur identifikimin e tyre.