E Diel, 1 Nëntor 2026

Nënkryetari i KLD-së s’tërhiqet nga ambicia e tij për të shpërblyer shërbëtoret

Kreshnik Spahiu nuk “djeg” Manjola Bjelerin, komandon në krye të gjykatës së Tiranës, të dorëhequrin Albert Meçe

TIRANE - Sistemi i Drejtësisë në vend, i cili realisht cilësohet si “regresivi” dhe pjella e problemeve, si pasojë e konfliktit të interesit që gjallon në të dhe përpjekjeve nga ana e disa eksponentëve për të monopolizuar institucionet Kushtetuese, vazhdon të lundrojë në ujëra të turbullta dhe i nënshtruar nga diktati i nënkryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu.
Kësisoj, pasi nuk mundi të propozojë si kandidate për gjykatën e Tiranës, Manjola Bejlerin, ndaj së cilës Kreshnik Spahiu pretendon se ka një detyrim moral, për faktin se e lartpërmendura e ka mbështetur atë dhe ka kundërshtuar fort Ministrisë e Drejtësisë gjatë diskutimeve “Për ligjin e Administratës Gjyqësore”, fenomenet e çuditshme dhe aspak dinjitoze për vetë ndershmërinë, transparencën dhe fizibilietin që duhet të tregojnë institucionet e drejtësisë, nuk kanë të sosur.
Gazeta “55” ka denoncuar vazhdimisht punën dhe reformën gjysmake që po imponon Spahiu në sistemin e drejtësisë dhe pikërisht dy ditë më parë i përcolli opinionit publik një tjetër denoncim, për amullinë që po përjeton drejtësia dhe përpjekjet e pandalshme të Spahiut me aktivisten e një OJQ-je gjyqësore, tërësisht e paligjshme dhe binomin e hershëm të tyre, për t’i bërë karshillëk dhe pse jo paralelizëm antiligjor, Ministrisë së Drejtësisë dhe mohimit të obligimeve ligjore që kanë ndaj Kushtetutës, përballë së cilës organet e drejtësisë duhet të procedojnë me transparencë të plotë dhe në eliminim total të konfliktit të interesit dhe monopolizimeve nga ana e disa personave, në shkelje flagrante me ligjin. 
Megjithatë, gjatë mbledhjes së djeshme të KLD-së, ky institucion deklaroi mbarimin e mandatit të Kryetarit të Gjykatës së rrethit gjyqësor Tiranë, Albert Meçe, shpalljen e vendit vakant dhe më absurdja se deri në emërimin e kryetarit të ri të gjykatës, pra deri në momentin kur për interesa të tij të ngushta personale dhe antiligjore, Spahiu të propozojë kandidaturat përkatëse për këtë post, do ta vazhdojë punën personi i lartpërmendur. 
Sigurisht qëllimet se pse po bëhet kjo lojë e pisët, themi të pisët për faktin se drejtuesja e OJQ-së antiligjore gjyqësore, Manjola Bejleri, janë se, Kreshnik Spahiu i rënë në gropën e shkelësve të ligjit dhe të atyre që mbrojnë “kasapët” e komunizmit, do të përpiqet me çdo kusht që bashkë me Bejlerin, të vonojë zbatimin e ligjit të “Dosjeve”.
Kjo përfaqësuese e paligjshmërisë nuk është gjë tjetër, veçse një instrument apo vegël e rëndomtë e nënkryetarit të KLD-së, Kreshnik Spahiu.
L.Q

Hidhet shorti për anëtarët e Kolegjit Zgjedhor, “digjen” Sollaku, Dedja e Kallço

TIRANE - Këshilli i Lartë i Drejtësisë realizoi dje procedurën e hedhjes së shortit për përzgjedhjen e tetë gjyqtarëve ndër gjykatat e apelit të Republikës, për të qenë anëtarë të Kolegjit Zgjedhor të gjykatës së apelit Tiranë.
Kësisoj, u bë e mundur saktësimi i përfshirjes në short të të gjithë gjyqtarëve të nivelit të dytë që plotësojnë kërkesat e Kodit Zgjedhor, tërheqjen e emrave me përzgjedhje rastësore të tyre nga vetë anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, duke përjashtuar anëtarët ex officio dhe ata emrat e të cilëve përfshihen në listën e gjyqtarëve të Apelit, respektimin e vullnetit të përfaqësuesve të katër partive politike nga pozita dhe opozita, me numrin më të lartë të mandateve në Kuvendin e Shqipërisë, të cilët janë, Partia Demokratike e Shqipërisë, Partia Republikane, Partia Sociale e Shqipërisë, Partia Socialdemokrate.
Në përfundim të procedurës së shortit, rezultuan se emrat rastësisht të përzgjedhur si, Dhurata Haveri, Bashkim Dedja, Astrit Kalaja, Marie Qirjazi, Zegjine Sollaku, Stavri Kallço, Sashenka Jonuzi dhe Meriban Mullaj.
Në zbatim të të drejtës së përfaqësuesve të partive politike - pjesëmarrëse në këtë proces,  për të përjashtuar nga lista e përzgjedhur një prej tetë emrave të përcaktuar me short, e drejtë kjo e cila u aplikua nëpërmjet një procedure të fshehtë dhe pa argumentim të shkaqeve të përjashtimit, u evidentua vullneti i katër subjekteve politikë për të përjashtuar pjesëmarrjen nga Kolegji Zgjedhor të gjyqtarëve, Bashkim Dedja, Zegjine Sollaku dhe Stavri Kallço.
Këshilli i Lartë i Drejtësisë, brenda afatit kohor të parashikuar nga Kodi Zgjedhor, organizoi hedhjen e dytë të shortit për tre emrat e përjashtuar nga ku përfundimisht u përzgjodhën dhe plotësojnë Kolegjin Zgjedhor të Gjykatës së Apelit,  gjyqtarët, Entela Prifti, Tom Ndreca dhe Petraq Koço.
Gjyqtarët e mësipërm, u deleguan menjëherë në detyrë në funksionin e posaçëm të anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor të gjykatës së Apelit Tiranë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›