Babë e bir, 31 vjet burg për trafikimin e vajzës
Babë e bir u dënuan me një total prej 31 vjetësh burg dhe 13 milionë lekë gjobë për akuzën e "trafikimit të qenieve njerëzore". Vendimi u dha dje te Gjykata e Krimeve të Rënda, i cili ndëshkoi me 15 vjet burg e 6 milionë lekë gjobë, Astrit Patën dhe me 16 vjet burg e 7 milionë lekë gjobë, djalin e tij Nelgert Patën. Në seancën e djeshme të pandehurit kundërshtuan mbrojtjen nga avokati i tyre. Duke pohuar se do ta bënin vetë mbrojtjen, të pandehurit hodhën akuza mbi gjykatën, e cila, sipas tyre, ishte bërë palë me Prokurorinë. Në vendimin e saj gjykata e liroi Nelgert Patën nga akuza "shfrytëzim prostitucioni" që rëndonte mbi të. Ngjarja për të cilën u dënuan babë e bir ka ndodhur në vitin 2004. Sipas organit të akuzës, në këtë kohë Astrit Pata ka kaluar një vajzë drejt Greqisë duke i premtuar asaj martesë. Më pas vajza është dërguar në Norvegji me anë të dokumenteve të falsifikuara, ku mendohet të jetë shfrytëzuar si prostitutë. ar.ba