Zonja S, Kakomeja dhe Tuneli i Kalimashit
Autori i Lajmit: Bardh Rugova
Zonja S. e kishte rregulluar shtëpizën e saj në Shtoj, afër Ulqinit dhe kur dielli kishte nisur të përcëllonte në fund të majit, i kishte fërkuar duart duke i përfytyruar tufat e majme të eurove. Në fillim të muajit qershor i kishin ardhur myshterinjtë e parë. Pesë automjete ishin ndalur para shtëpisë së saj.
“Njizet e pesë euro lloma”,- kishte thënë ajo prerazi. Mysafirët po përpiqeshin më kot ta negocionin çmimin, duke ofruar nga 15 euro për dhomë. Zonja S. kërkonte 25 euro dhe pikë. Pesë minuta më pas, të pesë automjetet u larguan nga pjesa e oborrit para shtëpisë së zonjës S. për të gjetur pesë dhoma të tjera diku tjetër. E mbetur vetëm nën një pjergull në oborrin e saj, zonja S. thoshte: “Më mirë me më mbetë zbrazët llomat, se me i lëshu për xhabe”. Për të, t i lëshosh pesë dhoma nga 15 euro, nuk nënkuptonte fitim prej 75 eurosh në ditë, por humbje prej 50 eurosh. Kur java e parë e gushtit po ikte, zonja S. më nuk po i fërkonte duart. Dhomat i kishte të zbrazëta, edhe pse çmimin e kishte zbritur 5 euro për shtrat që i bie herë 10 e herë 15 euro për një dhomë. E ulur nën të njëjtën pjergull, ajo mallkonte përditë turistët kosovarë që po ia anashkalonin shtëpinë.
***
Jean-Marie Masselin nuk kishte mbushur ende 30 vjet, kur në një natë fatale kishte humbur orientimin tek po lundronte me barkë gome në detin Jon. Ai ishte menaxher i një hoteli francez në ishullin Korfuz të Greqisë, por tani me barkën e tij kishte zbarkuar jo në Korfuz, por në plazhin e fshatit Kakome të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë. Ai kishte dalë nga deti si një siluetë e frikshme. Në dorë kishte mbajtur një mjet që ishte dukur si tytë pushke. Dy roja kufitare, djem të rinj, me kapelë me yll të kuq në kokë, ishin stepur nga frika. Masselin u kishte thënë diçka në frëngjishte dhe rojat kishin shtënë. Të nesërmen, Republika Popullore e Shqipërisë kishte raportuar për cenim të kufijve të saj. Askush nuk e kishte përmendur francezin e vrarë me plumb në kokë që ishte hedhur në det tok me harpunin e tij për zhytje që ishte dukur si tytë pushke. Në atë kohë, fundi i viteve tetëdhjetë, Shqipëria komuniste ishte ende një vend i izoluar nga bota. Nja njëzet vjet pas vrasjes së menaxherit francez, një nga drejtuesit e lartë të kompanisë së Masselinit, kishte fluturuar me helikopter në bregdetin e Jonit, duke kërkuar një vend të përshtatshëm për të ndërtuar hotele për turistë perëndimorë. Ai kishte shpresuar të gjente një vend të përshtatshëm në territorin e Greqisë, por kishte mbetur i mahnitur me natyrën dhe bukurinë që ofronte një fshat në jug të Shqipërisë. Ishte pikërisht Kakomeja. Drejtori francez kishte kërkuar që hotelet të ndërtoheshin aty. Ai kishte nisur të paramendonte se si do të dukeshin hotelet. Njëri nga bashkëpunëtorët e tij shqiptarë kishte deklaruar: “Fshati Kakome do të jetë më i bukuri në botë”. Mirëpo, drejtori francez dhe bashkëpunëtori i tij shqiptar nuk kishin ditur se nuk është aq e lehtë të zbukurohej Shqipëria. Fshatarët e Kakomesë kanë refuzuar projektin francez: “Nuk japim tokat tona”. Më kot, për disa vjet drejtuesit e projektit ishin përpjekur të tregonin se pikërisht ata, fshatarët e Kakomesë, do të jenë të punësuar në hotele, se vendi do të pasurohej nga turizmi dhe nga qarkullimi i turistëve të huaj. Do të hapeshin vende pune. Do të kishte qarkullim paraje. “Nuk japim tokat tona”,- kanë ngulur këmbë fshatarët. Dhjetë ditë më parë, drejtuesit e Club Med të Francës kanë vendosur të dorëzohen. “Nuk ka më një projekt të Club Medit në Shqipëri”, kanë theksuar ditë më parë zyrtarët francezë, transmeton Reuters. Kakomeja ia ka dalë të ruajë tokat e veta. Për vete. Dhe varfërinë e vet. Projekti i hoteleve tretet si kufoma e Masselinit në detin Jon. Fshatarët e Kakomesë nën hije ulliri mallkojnë fatin, zotin dhe shtetin për varfërinë e tyre.
***
Këtë të enjte, në ditën që do të mbahet mend si ditë e bashkimit shqiptar, nuk kanë dominuar flamujt kombëtarë shqiptarë. As ata të Kosovës. Kanë dominuar flamujt e partisë së Sali Berishës. Dikush mund të thotë se e ka merituar. Socialistët e kanë pasur shansin e tyre që ta ndërtonin rrugën dhe në ditën e madhe të kremtonin me flamurë të PS-së. Flamujt e partive do të ndërrohen herë pas here në ditët historike. Do të përpiqen më kot të vjedhin shkëlqimin e historisë. Fëmijët e sotëm as nuk do ta dinë pas nja pesë a gjashtë vjetësh se dikur, një farë vakti, shqiptarët e Kosovës kanë udhëtuar nga 10 orë për të mbërritur në Tiranë a Durrës. As nuk do ta kujtojnë atë ditë si ditë të valëvitjes së flamurit të PD-së. Ata do të shkojnë në mëngjes në Durrës dhe do të kthehen në mbrëmje, pasi të kenë kryer plazhin dhe do ta kujtojnë këtë si gjënë më të zakonshme në botë. Për shumë kohë, shqiptarët nuk kanë ditur të shfrytëzojnë potencialin e tyre. Edhe sot e kësaj dite, shpeshherë nuk dinë ta bëjnë këtë. Tuneli i Kalimashit, me gjithë ata flamuj partiakë e me fushatë elektorale, nuk është rast i tillë. Është shans i mirë i zhvillimit, i integrimit rajonal. Tash vetëm mbetet për ta bindur zonjën S. se më me rëndësi është të fitohen 75 euro, se të humben 50 dhe banorët e Kakomesë se mund t i mëshojnë shkelm varfërisë së tyre nëpërmjet turizmit. Me fjalë të tjera: Do të bëhet mirë!
Ky lajm është publikuar: 04/07/2009