E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Zonja Shnajder" nis betejën për "Oskar"

"Trishtimi i zonjës Shnajder" është filmi i jetës për regjisorin Piro Milkani. Për vite me radhë ka menduar të sjellë para publikut atë pjesë të jetës së tij, të cilën e kaloi në Çekosllovaki. Dhe ia doli mbanë. Historia e studentore e djaloshit shqiptar, Piro Milkani, është rrëfyer në filmin autobiografik. Ai, djaloshi na Shqipëria, me studime në Çeki, përjeton një romancë dashurie me zonjën Shnajder... Pas premierës, filmi ka udhëtuar mjaft. Për gjashtë javë, ai u shfaq në rrjetin e kinemave "Millenium" në Shqipëri, ndërsa u shfaq edhe në kinematë "Imperial". Duke nisur nga 28 maji, pas premierës në kinemanë Lucerna të Pragës, filmi filloi qarkullimin e tij në rrjetin e 540 kinemave në Çeki. "Trishtimi i zonjës Shnajder", vazhdon të jetë në qarkullim, duke rritur edhe më shumë numrin e spektatorëve. Deri tani, numri i tyre në Çeki shkon në më shumë se 20 mijë. Por vendimi që filmi shqiptaro-çek të konkurronte për një çmim "Oskar" u mor gjatë shfaqjes së tij në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Karlovi Vari. Aty, filmi u shfaq në seksionin e filmit komercial dhe pati dy projeksione. Gjatë shfaqjes së filmit në sallë ndodhej edhe shefja e zyrës së çmimeve "Oskar", Torene Svitil. Pikërisht ajo sugjeroi që "Trishtimi i zonjës Shnajder" të ishte pjesë e konkurrimit për çmimin "Oskar" në edicionin e 81-të të tij. Atëherë vendosën. Piro dhe Eno Milkani, dy regjisorët e filmit shqiptar-çek, "Trishtimi i zonjës Shnajder", në një konferencë për shtyp, kanë deklaruar zyrtarisht se filmi është pjesë e konkursit në "Oskar Award Academy 2009" në sesionin e filmave jo anglishtfolës. Sipas regjisorit Piro Milkani, pjesëmarrja dhe konkurrimi i filmit në një aktivitet kaq të rëndësishëm është një dëshmi se filmi shqiptar është në një nivel të kënaqshëm. Në rastin e "Trishtimit të zonjës Shnajder", një dëshmi suksesi është edhe pjesëmarrja në festivalin e filmit të Valencias, në Spanjë. Filmi u vlerësua me Palmerën speciale të jurisë. Një vlerësim që i ka bërë të ndihen jo pak të lumtur dy regjisorët. Ndër të tjera, shoqëria "TPE - Tele Produzioni Elettroniche" me eksperiencë 30-vjeçare në prodhim kinematografike dhe televizive, është menaxher për pjesëmarrje në Festivale Ndërkombëtare dhe distributor ekskluziv i filmit "Trishtimi i zonjës Shnajder" në të gjithë botën.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›