"Lucia di Lamermoor", nisin përgatitjet në TKOB
Teatri Kombëtar i Operës e Baletit, ka nisur përgatitjen për premierën absolute të operës "Lucia Di Lamermoor". Vepra do të vihet në skenë në bashkëpunim me Teatrin Maggio Musicale të Firences. Regjia i përket italianit Nicola Zorzi, skenografia Alfredo Troisi, ndërsa mjeshtër koncertues është Gianluca Martinenghi. Ajo do të vijë para publikut të operës duke nisur nga data 1 nëntor, ndërsa shfaqja e fundit do të jetë më 22 nëntor.Para se më 26 shtator 1835 të vihej në skenë në San Carlo të Napolit "Lucia di Lamermoor", 38-vjeçari Gaetano Donizetti kishte kompozuar në 17 vite aktivitet dyzetetre opera. "Lucia di Lamermoor" nuk ishte i pari sukses i madh i Donizetit në llojin e operës "serioze"; "Anna Bolena" (1830), "Lucrezia Borgia" (1833) kishin qenë të suksesshme gjithashtu. Por, ndryshe nga dy të fundit, "Lucia di Lamermoor" edhe sot e kësaj dite bën pjesë në repertorin e zakonshëm teatror, gjë që i mungonte skenës shqiptare të operës. "Lucia di Lamermoor", opera e cila u vu në skenë në Napolin e goditur nga kolera dhe në një klimë të ashpërsuar të kulturës së censuruar, shënon një etapë themelore për melodramën romantike të 800-ës, mbi të gjitha për lirizmin e jashtëzakonshëm të protagonistes që shpëtimin nga meskiniteti i burrave e gjente në çmendurinë verbuese. Donizetti vdiq në Bergamo, në moshën 52-vjeçare, me turbullime mendore, pasi kishte kompozuar 70 opera. Te "Lucia di Lammemoor" e Gaetano Donizetti, që me të drejtë është konsideruar një kryevepër e melodramës, përfshihen të gjithë elementët tipikë të Romanticizmit: dashuri e kundërshtuar dhe e pamundur, rivaliteti i papajtueshëm mes familjeve, ndarja me anë të mashtrimit, martesa e detyruar, vrasja, deliri, çmenduria dhe në fund vdekja në atmosferën e aluçinacioneve. Lucia është cilësuar si një nga majat më të larta të dramaturgjisë doniziane. Atmosfera romantike përshkruan gjithë operën. Personazhi i Lucias është një nga më të plotët e operës romantike. Këndimi i saj i pastër dhe ekspresioni i kësaj kreature delikate, e cila që në momentin e parë është e vetëdijshme për fatin e saj të trishtë, për çmendurinë e saj. Vetëm nëpërmjet delirit, ajo do të mund të jetojë atë që jeta reale nuk ia ka lejuar.