E Diel, 1 Nëntor 2026

Zonja e zotërinj, Të dashur motra e vëllezër, shqiptarë kudo që jeni, Në vigjilje të Vitit të Ri 2005 kam kënaqësinë t'ju uroj nga zemra një vit te mbarë për të gjithë. Gja

Zonja e zotërinj,

Të dashur motra e vëllezër, shqiptarë kudo që jeni,

Në vigjilje të Vitit të Ri 2005 kam kënaqësinë t'ju uroj nga zemra një vit te mbarë për të gjithë.

Gjatë vitit 2004 Shqipëria njohu realizime te rendesishme, si në politikën e brendëshme, ashtu edhe në atë të jashtme. Tashmë imazhi i saj dhe i shqiptarëve në përgjithësi është shumë më i mirë se sa një vit më parë. Lufta e vendosur e të gjithëve ne kundër trafiqeve, kundër informalitetit, për krijimin e një standtari të ri të jetës dhe të funksionimit të ekonomisë së tregut të lirë, pa lejuar që shoqëria të shndërrohet në një të tillë, pra në një shoqëri tregu, kanë bërë që shqiptarët të ndjehen më mirë se sa një vit më parë. Ata ndjehen më mirë në radhë të parë sepse jetesa e tyre është më e mirë se një vit më parë.

Pa asnjë dyshim që ne kemi ende shumë punë për të bërë për të arritur standartet e jetesës perëndimore, por fakti që rritja ekonomike e Shqipërisë ka vazhduar të jetë më e larta në rajon dhe parashikohet të jetë e tillë edhe për vitin e ardhshëm, fakti që gjithnjë e më shumë po bëhen prezente në treg sipërmarrje të reja prodhuese që do ulin papunësinë dhe do të rrisin prodhimin vendas, fakti që rritja ekonomike është gjithnjë më e lartë se sa inflacioni, të cilin do të vazhdojmë ta mbajmë nën kontroll, janë garancia më e mirë e një të ardhmeje gjithnjë në përmirësim të dukshëm.

Gjatë vitit 2004 Shqipëria realizoi hapa të dukshëm në proceset e saj integruese. Tashmë zëri i atdheut tonë të dashur sa vjen e respektohet më tepër. Ne jemi të bindur se i intereson në radhë të parë vetë jetës së shqiptarëve një rajon i qetë, stabël dhe në prosperitet, për këtë arsye ne do të vazhdojmë politikën tonë konstruktive dhe bashkëpunuese, pasi ne mendojmë se integrimi rajonal është pjesë e pandarë e integrimit euroatlantik, për sa kohë të gjithë vendet kanë të njëjtën axhendë, atë të integrimit.

Njëherësh, raundet tona të bisedimëve për Marreveshjen e Stabilizim Asociimit me BE-në kanë ecur normalisht. Ne kemi reformuar dhe përafruar jo vetëm legjislacionin tonë sipas kërkesave të Brukselit, por edhe vetë standartet dhe aktivitetit tonë me ato të BE-së. Ndërsa antarësimi në NATO, një tjetër komponent shumë i rëndësishëm i këtij procesi integrues, është vetëm çështje datash që sa vijnë e afrohen.

Me rastin e vitit të ri një urim të veçantë u dërgoj djemve tanë që shërbejnë në mbrojtje të paqes në rajonet e nxehta të botës, nga Bosnjë-Hercegovina, e deri në Irakun e nxehtë. Ata janë jo vetëm pjesë e krenarisë sonë kombëtare, por edhe një nga provat e drejtpërdrejta të progresit që ka bërë vendi ynë. Vetëm pak vjet më parë, si pasojë e qeverisjes së mbrapshtë, Shqipërisë iu desh asistenca e ushtrive të huaja për të garantuar funksionimin e shtetit të vet, tani, përkundrazi, është Shqipëria që i ofron ndihmë vendeve të tjera në nevojë për paqe dhe siguri.

Viti që vjen mbetet një vit tjetër sfidash dhe si pasojë ne na mbetet detyra ta shndërrojmë në një vit suksesesh. Unë jo një herë e kam thënë dhe gjej rastin ta përsëris: përballimi i këtyre sfidave varet drejtpërsëdrejti nga puna e përditëshme e secilit prej nesh, sepse demokracia është pjesëmarrje, pra varet nga puna e çdo qytetari, pavarësisht nga bindjet politike, pavarësisht nga origjina dhe bindja fetare. Pa asnjë dyshim që sfida kryesore e këtij viti do të jetë mbajtja e zgjedhjeve politike sipas standarteve ndërkombëtare. Unë shpreh bindjen edhe një herë, ashtu sikundër e kanë nënvizuar edhe institucionet e specializuara ndërkombëtare që na asistojnë, se nga viti 1996, kur institucioni i zgjedhjeve të lira u shkatërua plotësisht, është bërë një punë e madhe për rindërtimin e tij dhe sjelljen në standartet ndërkombëtare. Ne jemi të vendosur që të përmbushim standartet e kërkuara, pasi, siç e kam deklaruar në emër të maxhorancës progresiste të Shqipërisë, për ne standarti i tyre është më i rëndësishëm se sa rezulati. Sepse në një shoqëri demokratike askush nuk humbet, kur institucionet funksionojnë ashtu si në botën ku duam të integrohemi.

Vëllezër dhe motra,

Viti i Ri që po vjen është një moment që na bën të besojmë se jeta në Shqipërinë tonë të dashur do bëhet edhe më e mirë, edhe më e begatë për secilin nga ne, me kontributin tone të përbashkët.

Edhe një herë: Gëzuar nga mot!

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›