Zopel: Zgjidhja e krizës, duke zbatuar rekomandimet e OSBE
Aristir Lumezi
Christoph Zopel, ish-ministri gjerman i shtetit, ishte për vizitë në Tiranë ku takoi përfaqësues të lartë të opozitës dhe maxhorancës për krizën politike. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama”, pak para largimit të tij, zoti Zopel komentoi situatën politike në vend dhe u dha rekomandime palëve politike. Ai e sheh zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri tek zbatimi i rekomandimeve të OSBE-së për zgjedhjet dhe bërja e reformës zgjedhore për zgjedhjet e ardhshme. Zopel përgëzon përpjekjet e bëra nga dy kryetarët e grupeve më të mëdha parlamentare në PE, Doul dhe Shultz, për gjetjen e zgjidhjes së krizës dhe i kërkon Kryeministrit Berisha të pranojë draftin e tyre, ashtu siç bëri Edi Rama. Christoph Zopel shprehet se u ka rekomanduar socialistëve shqiptarë të mos bojkotojnë zgjedhjet e ardhshme, por të punojnë për të ndërtuar një shtet të së drejtës.
Zoti Zopel, ju jeni që prej tri ditësh në Shqipëri dhe keni zhvilluar takime të rëndësishme dhe shpresoj që qëllimi i tyre ka lidhje me situatën politike në Shqipëri. Mund të na thoni se cilët personalitete ka përfshirë axhenda juaj?
Unë kam takuar shumë përfaqësues të Qeverisë dhe opozitës në Shqipëri. Nga opozita kam takuar kryetarin e PS dhe Bashkisë së Tiranës z.Rama, z.Majko, znj.Leskaj, z.Malaj dhe z. Milo. Ndërsa nga Qeveria takova z.Pollo dhe zv.kryeministrin dhe Ministrin e Jashtëm, z.Meta.
Ekspozeja që ata kanë bërë rreth situatës politike, si gjykohet nga ana juaj. Si kalohet ngërçi për zgjidhjen e kësaj situate?
Vendi vuan akoma nga çështja e zgjedhjeve, e sipas raporteve të OSBE-ODIHR, ato nuk kanë qenë objektive. Dua të citoj vetëm një fakt, sipas raportit, në 17 qendra votimi është votuar për vetëm një parti, gjë që nuk mund të jetë e saktë. Në gjykimin tim, unë mendoj se Qeveria duhet të plotësojë të gjitha vërejtjet e OSBE-së deri në zgjedhjet lokale, pra jo propozimet e opozitës, por detyrimet sipas raportit të OSBE-ODIHR të shtatorit të kaluar.
Por palët ndahen në mënyrën e zgjidhjes së krizës, nëse opozita kërkon hapje kutish edhe përtej afateve, madje duke kërkuar ligj që do të prekte Kushtetutën për të realizuar transparencën, nga ana tjetër Qeveria këmbëngul që të zbatohet ligji aktual për transparencën. Duket sikur kemi një ngërç ligjor dhe kërkohet një zgjidhje politike. Si mendoni ju?
Unë e njoh këtë debat nga të dyja palët, megjithatë këmbëngulja që secila palë ka të drejtë nuk mund të vazhdojë gjatë. Kjo nuk është bazë për polemikat mes opozitës dhe Qeverisë, por baza duhet të jenë propozimet e OSBE-së. Të gjitha propozimet e OSBE-së përputhen me Kushtetutën, por çdo ligj, kur e kërkon nevoja, duhet të ndryshohet.
Ka shumë aktorë që shprehen në Shqipëri se reforma zgjedhore është shumë e vonuar, ndërkohë që shumë shpejt Presidenti do të shpallë datën e zgjedhjeve vendore, ndërsa reforma zgjedhore duhet të kishte përfunduar. Opozita duket shumë e pavendosur për zgjedhjet e ardhshme vendore, madje ka opinione se ajo mund t’i bojkotojë ato. Cili do të ishte gjykimi dhe këshilla juaj në këtë rast?
I takon stilit politik të këtij vendi, ku çdo gjë i lihet kundërshtarit dhe besoj se i gjithë vendi ka nevojë të mësojë për mënyrat e kompromisit. Ky është një fakt që vjen dhe nga përfaqësuesit e lartë e të dy partive të mëdha të Parlamentit Europian. Të dy kryetarët e grupimeve të mëdha europarlamentare, Doul dhe Shultz, kanë bërë një propozim shumë të mirë kompromisi. Zoti Rama e pranoi këtë kompromis, ndërsa zoti Berisha nuk e ka pranuar. Zoti Rama ka sqaruar se mendimi europian nuk gjen vend te z.Berisha. I dhashë rekomandime PS të marrë domosdoshmërisht pjesë në zgjedhjet e ardhshme.
Në këtë moment në të cilin ndodhet situata politike në Shqipëri, si gjykohet ajo nga të majtët e Parlamentit Europian dhe sa ajo ndikon në proceset integruese të Shqipërisë?
Socialdemokratët europianë kanë dhënë një kontribut shumë të madh, në mënyrë që demokracia të funksionojë në këtë vend. Ata kanë ndikuar dhe te z.Rama që të kthehet në Parlament. Kontributi që duhet të japë z.Berisha është që duhet të shkojë në drejtimin që duhet të ndryshojë patjetër ligjin elektoral sipas rekomandimeve të OSBE-së. Zoti Shultz e ka dëshmuar sërish qëndrimin e tij për të bërë akoma më shumë përpjekje për të forcuar demokracinë.
Duke njohur qëndrimin e europarlamentarëve, zotit Daul dhe zotit Shultz, si dhe qëndrimet e palëkundura të politikanëve shqiptarë, sipas jush, cila është pika që do t’i japë një zgjidhje kësaj situate, sepse ju i keni tashmë njohjet dhe informacionet të detajuara nga palët?
Unë po e them shumë qartë; s’arrij ta kuptoj, por them se një zbatim i rekomandimeve të OSBE-së, duke përfshirë dhe PE, Parlamenti, Qeveria dhe opozita duhet të binden se kjo është rruga për të ndërtuar një shtet të së drejtës. Vetëm shtetet e së drejtës mund të kërkojnë të marrin statusin e një vendi kandidat për në BE.
Pritet të kemi një takim të mundshëm, mes zotit Rama dhe Berisha për zgjidhjen e krizës?
Një sinjal i rëndësishëm për zotin Berisha është të pranojë kompromisin e ofruar nga zoti Daoul dhe zoti Shultz. Zoti Rama e ka pranuar këtë ide dhe partia e tij po punon në Parlament dhe i mbetet zotit Berisha të punojë në këtë drejtim.
A morët ndonjë premtim konkret nga palët që ju takuat në Tiranë?
Unë nuk pres të më premtojnë diçka, por mblodha fakte dhe informacione. Nëse nuk do punohet për krijimin e shtetit të së drejtës, Shqipëria e ka të vështirë të ecë në rrugën e integrimit.
Mos ndikuat dhe ju te socialistët për rikthimin në Parlament, pasi një javë më parë ata gati sa nuk e bojkotuan Parlamentin, duke thënë se nuk do të votojnë asnjë ligj?
Po të jap një përgjigje shumë të qartë; unë mund t’i kuptoj shumë mirë shqiptarët, të cilët nuk duan të hyjnë në Parlament në rastet kur pala tjetër nuk do t’i trajtonte siç duhet. Ka vetëm një perspektivë europiane, që të shkohet në Parlament dhe të rezistohet. Që të votosh kundër të gjitha ligjeve, ky është një qëndrim normal në të gjitha vendet demokratike, CDU në kohën e qeverisjes socialdemokrate nuk i votonte të gjitha ligjet.