Dështon për të katërtën herë Buxheti i Tiranës
Dështon për të katërtën herë miratimi i Buxhetit të Tiranës. Edhe dje në mbledhjen e Këshillit Bashkiak debatet kanë qenë të forta mes përfaqësuesve të djathtë e të majtë. Këshilltarët e djathtë bënë propozime të reja për buxhetin, të cilat u konsideruan nga këshilltarët e majtë si absurde. Kryetari i Këshillit Bashkiak, Sokol Dervishaj, e cilësoi buxhetin e vitit 2010 si teorik e aspak real, duke kërkuar kështu edhe një tabelë të plotë të taksave. Ai, por edhe këshilltarët e tjerë të maxhorancës, kërkuan sqarime për mungesën e tabelave shpjeguese për taksat që paguajnë qytetarët. "Kemi 6 muaj që kërkojmë këto tabela dhe ju nuk na i sillni. Kërkojmë të bëhen përmirësime në buxhetin e vitit 2010, një e drejtë kjo që na e jep ligji", tha Poni. Sipas tij, bashkia duhet të vërë në dispozicion "deklarimin e fondeve të mbartura nga viti 2009", "planin e shpenzimeve të bashkisë", dhe listat e taksave e nivelin e vjeljes së tyre. Ndërkaq nënkryetarja, Albana Dhimitri, theksoi se informacioni që kërkohet është në paketën fiskale bashkangjitur buxhetit, por anëtarët e maxhorancës po përpiqen ta mbajnë të bllokuar. "Bashkia e Tiranës po zbaton një vendim të miratuar nga ju përpara 3 vjetësh. Jemi në vitin e 3-të dhe në mes të vitit fiskal nuk mund të bëhen ndërhyrje, informacionet i keni të detajuara në paktën fiskale. Bashkia e Tiranës nuk ka rritur taksat për qytetarët, ashtu siç doni ju të dezinformoni opinionin publik", tha Dhimitri. Ajo përgënjeshtroi edhe akuzat për administratën e bashkisë, të bëra nga kryetari i grupit të PD-së në Këshill, Ferdinand Poni. "Në rast se keni akuza për administratën, drejtohuni organeve përkatëse, si punonjëse e kësaj administratë nuk ju lejoj të flisni me këtë mënyrë", tha Dhimitri.