PE: Të shembet ‘muri’ i vizave
Në prag të hartimit të propozimit nga Komisioni Europian, raportuesja për Shqipërinë, Tanja Fajon, propozon një projektrezolutë ku bëhet thirrje për heqjen sa më shpejt të vizave për Shqipërinë dhe Bosnjen. Eurodeputetja ka paraqitur dje në Komisionin e çështjeve Ligjore draftin, i cili do të votohet për t’u kaluar më pas në seancën parlamentare. Sipas “Top Channel”, eurodeputetja i kërkon Komisionit Europian që Shqipëria dhe Bosnja të kalojnë nga aneksi i parë, ku janë vendet, qytetarët e të cilëve janë të detyruar të pajisen me vizë për në zonën Shengen, në aneksin e dytë, ku nuk duhet një e tillë. “Bashkimi Europian ka përgjegjësinë politike për të përfunduar këtë proces. është paradoksale që pas më shumë se 20 vite nga rënia e murit të Berlinit, ne ende kemi ‘murin e vizave’ ndaj fqinjëve tanë të drejtpërdrejtë”, thuhet në draft. Në të njëjtën kohë Fajon kërkon që heqja e vizave për qytetarët e Shqipërisë dhe Bosnjës të trajtohet si “çështje urgjente”, në bazë të angazhimit të përbashkët të shprehur nga Këshilli dhe Parlamenti vitin e kaluar. “Liberalizimi i vizave ka një impakt të rëndësishëm psikologjik në mendjen e njerëzve. Dhe këtu nuk flasim për politikanët, biznesmenët apo njerëz me para. Ata kanë mënyrat e tyre për të udhëtuar jashtë vendit. Ne jemi të shqetësuar për studentet dhe ata njerëz që duhet të mbajnë radhën, në rreshta të gjatë, përpara konsullatave”, theksohet më tej në draftin e eurodeputetes sllovene. Projektrezoluta, e cila do të miratohet edhe në Parlamentin Europian, kërkon që propozimi që do të vijë nga Komisioni të miratohet sa më shpejt të jetë e mundur. Gjatë seancës së mbrëmshme në Komisionin për çështjet e Lirisë, Reformave, Drejtësisë dhe Sigurisë përfaqësuesja e Presidencës së Belgjikës theksoi para anëtarëve se, pasi komisioni të vlerësojë nëse janë përmbushur kriteret edhe këshilli do të marrë një vendim për këtë çështje. Gjithashtu është parashikuar që në 6 shtator komiteti të shprehet për draftin për liberalizimin. Më pas çështja do t’i kalojë Parlamentit Europian dhe Këshillit të Ministrave të BE-së.
Ratifikimi nga secili shtet
Vendimi i heqjes së vizave nuk do të merret vetëm nga Komisioni Europian dhe Parlamenti Europian. Në procedurën e parashikuar nga ligjet e BE-së për heqjen e regjimit të vizave mes një vendi dhe Unionit është parashikuar që përpara vendimit të Këshillit të Ministrave të BE-së të shprehen Parlamentet e secilit vend. Kështu, 27 vendet e BE-së pritet të miratojnë propozimin e Komisionit Europian nga i cili do të përfitojnë Shqipëria dhe Bosnja. Mendohet që Parlamenti Europian të shprehet me votë në muajin shtator dhe Këshilli i BE-së ta kalojë vendimin në tetor ose nëntor të këtij viti.
Projektrezoluta
Të transferohen dy vendet e rajonit nga Aneksi I, që liston ato vende ku shtetasit detyrohen të kenë një vizë për të kaluar kufirin e vendeve anëtare, në Aneksin II, që përmban listën e vendeve të treta që përjashtohen nga ky detyrim.
Bashkimi Europian ka përgjegjësinë politike për të përfunduar këtë proces. është paradoksale që pas më shumë se 20 vite nga rënia e murit të Berlinit, ne ende kemi “murin e vizave” ndaj fqinjëve tanë të drejtpërdrejtë.
Heqja e vizave për qytetarët e Shqipërisë dhe Bosnjes të trajtohet si “çështje urgjente”, në bazë të angazhimit të përbashkët të shprehur nga Këshilli dhe Parlamenti vitin e kaluar.
Liberalizimi i vizave ka një impakt të rëndësishëm psikologjik në mendjen e njerëzve. Dhe këtu nuk flasim për politikanët, biznesmenët apo njerëz me para. Ata kanë mënyrat e tyre për të udhëtuar jashtë vendit. Ne jemi të shqetësuar për studentët dhe ata njerëz që duhet të mbajnë radhën, në rreshta të gjatë, përpara konsullatave.
Një garanci që Bashkimi Europian do të lëshojë regjimin e lirë të vizave ndaj të dy vendeve, veçanërisht ndaj Bosnje-Hercegovinës, në fillim të vjeshtës 2010, do të ulte risqet për një paqëndrueshmëri më të madhe etnike e politike, forcon bashkëpunimin ekonomik e politik në rajon dhe rrit mbështetjen popullore për BE-në dhe perspektiven e integrimit europian, zgjeron horizontin e njerëzve dhe frenon forcat ekstremiste dhe anti-europiane.
Kosova mbetet një shqetësim serioz. është e vetmja pjesë e Ballkanit Perëndimor, e cila lihet tërësisht jashtë procesit të liberalizimit të vizave, e nuk është parashikuar as edhe një perspektive bisedimesh. Kjo shkaktohet natyrisht nga ndasitë mes vendeve anëtare për njohjen e pavarësisë. Kompleksiteti politik i këtij problemi është i kuptueshëm, por qytetarët e Kosovës nuk mund të lihen në një vrimë të zezë të krijuar nga këto mosmarrëveshje.