OKB, çmim Shqipërisë për prokurimet elektronike
Kryeministri Sali Berisha tha se prokurimet publike kanë pësuar një transformim të madh nga viti 2005. Këtë deklaratë kreu i Qeverisë e bëri gjatë dorëzimit nga Koordinatorja e Përhershme e Kombeve të Bashkuara dhe Përfaqësuese e Përhershme e PNUD-it në Shqipëri, Gülden Türköz-Cosslet, e çmimit që OKB akordoi në kategorinë: Përmirësimi i transparencës, përgjegjësisë dhe gatishmërisë në Shërbimin Publik. “çështja e prokurimeve publike është një nga veprimtaritë madhore të çdo administrate dhe mund t’u them se në vitin 2005 rekordi i Shqipërisë, që sot merr çmimin e dytë në botë, ishte ndër më negativët. Dy ishin problemet më madhore: së pari, mbi 75 për qind e tyre ishin direkt apo me negocim, çka do të thotë se paratë shkonin aty ku paracaktohej dhe jo aty ku duhej dhe së dyti, në mënyrën më absurde, autoritetet kontraktuese nuk u jepnin kompanive dokumentet e tenderëve. Kjo ishte tmerrësisht revoltuese”, tha kreu i Qeverisë. Sipas tij, “Këto tri projekte, me një përkushtim të madh të kompanive të kontraktuara nga USAID-i dhe Qeveria shqiptare, të punonjësve të administratës shqiptare, u zbatuan me korrektesë në një kohë rekord”.