E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zot i Sheshit Skënderbe

Konkursi ndërkombëtar për gjallërimin e sheshit të Tiranës shpall fitues studion belge e cila prej tre vitesh punon në Shqipëri. Çfarë preket dhe çfarë ruhet. Flet arkitekti ai projektit Johan Anrys

 

"Le ta quajnë shesh të shqyer apo shesh sadistësh, ai është sheshi ynë. Jemi mësuar ka vite dhe shyqyr që i shpëtoi betonit." Pak pas shpalljes fituese të studios së arkitekturës që do të gjallërojë qendrën e Tiranës, "Miranda urbanistja" e quan këtë fitore të urbanistëve. "Vini re: të urbanistëve, jo të arkitektëve që na kanë mbytur në beton." Të mos zihet sheshi. Çfarë kemi tonat, të jenë tonat. Jemi rritur me atë Skënderbe. Këto ishin pretendimet që ngrinin qytetarët, të ftuar afro 200, për të votuar projektin më të mirë, vendim që do ta linte gjithsesi të pavarur jurinë në zgjedhjen e saj. Nuk u puqën shijet. Konkursi i organizuar më 10-11 prill nga Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me lartmadhërinë e tij Emirin e Kuvajtit, nxori fitues të çmimit të publikut projektin e studios nga Nju Jorku, Daniel Libeskind Architects dhe të çmimit të jurisë, projekti i studios belge 51N4E, autori i të cilës, Johan Anrys ishte i vetëmi i pranishëm nga fituesit.

Edi Rama që dje e quajti veten "kryetar i një qyteti të jashtëzakonshëm" e vlerësoi si konkursin e konkurseve për Tiranën. Pavarësisht arritjeve dhe zgjedhjeve, ndihej në diskutime dhe në mbajtjen vesh të njerëzve atmosfera e pavarësisë dhe e reflektimit, jo vetëm për folur të lirshëm nga lartësitë e arkitekturës për sheshin "Skënderbe", po edhe për të vendosur. Shkurt, të pranishmit thanë: Në krahasim me konkurset e tjerë, këtu nuk u ndje shteti. Ky i fundit nëpërmjet kreut të financave, Ridvan Bode ka nënshkruar tashmë marrëveshjen për fondin 5 milionë euro që qeveria kuvajtiane do të japë për restaurimin e Sheshit Skënderbe dhe për xhaminë e Et'hem Beut.

Për të 6 studiot konkurrente sfida të sheshit janë parë kontradiktat e tij: arkitektura e shartuar në ndërtesat statike të operës dhe muzeut, "kombinimi" i simboleve kombëtare, historike dhe religjioze, dhe sigurisht hapësira e zbrazët nga brenda tij dhe e mbingarkuar nga trafiku jashtë tij, çështja e shfrytëzimit vetëm nga qytetarët, apo e mundësirave për të përfituar edhe nga nëntoka.

Po të citonim prapë Miranda urbanisten, fitorja e urbanistëve në këtë konkurs është zbritja e projekteve dhe ideve më afër qytetarëve për një shesh me "elementë antiglobalistë". Sadoqë kishte mes tyre ide për një "shesh kameleon" i shfrytëzueshëm sipas stinëve verë-dimër dhe sipas ngjarjeve masive publike, apo dizajne simbolike që paraqesin sistemet politike, apo tramvaje që e presin sheshin tek stacioni i Tiranës së re, apo edhe teleferikë që të hedhin nga aty për në Dajt, pra pavarësisht këtyre, uji dhe gjelbërimi ishin parashikuar patjetër, si të domosdoshëm për të mbetur ky shesh qytetar.

Nuk kaloi pa u vënë re jo vetëm njohja që transmetuan studiot për historinë e sheshit që nga fillesat e tij e deri tek ndryshimet e sistemeve, po edhe interpretimi i kësaj njohje në idetë për ndryshime.

Juria e përbërë nga Edi Rama, Marin Biçoku (Anëtar i KRRTRSH-së), Maks Velo (Arkitekt), Arben Kumbaro (Regjisor), Andreas Ruby (Gjermani), Elia Zenghelis (Greqi), Ismail Khudhr Al-Shatti (Kuvajt), Marco Casamonti (Itali), Valerio Olgiati (Zvicër), Xaveer de Geyter (Belgjikë), e kryesuar nga kroati Vedran Mimica shpalli si përfundim fitues: 51N4E nga Brukseli (Çmimi I), MRVDV nga Roterdami (Çmimi II) dhe MAP – Architects Studio nga Barcelona (Çmimin III).

Mimica theksoi se projekti fitues "paraqiste një dikotomi midis ambientit përreth të gjelbër dhe pjesës së zbrazët të sheshit të Tiranës. Ne i kuptojmë cilësitë shumë të mëdha konceptuale të këtij projekti, sikurse aspektin e kohës që përmban ky projekt, pra të realizimit sa më të shpejtë të tij. Juria pa mundësinë që ofron ky projekt për të filluar realizimin e tij brenda një viti dhe gjithashtu mundësinë për ta vazhduar projektin në të ardhmen. Dua të vë në dukje, dhe për këtë jam mjaft i kënaqur, që diskutimet e jurisë ishin mjaft unanime. Të gjithë anëtarët e jurisë ishin dakort për të tre çmimet. Vendimi ishte unanim".

Intervista

Johan Anrys: Nuk kemi për t'i ridënuar ndërtesat

Çfarë sheshi paraqet projekti belg? Një qendër që nuk ka për t'i dënuar përsëri ndërtesat, një qendër ku bashkëjetojnë njerëzorja me monumentalen. Në intervistën dhënë "Shekullit", arkitekti i studios 51N4E, kërkon në njëfarë mënyre mbështetjen e qytetarëve.

51N4E është studio arkitektonike e krijuar në vitin 2000, me qendër në Bruksel. Merr pjesë për herë të dytë në një konkurs ndërkombëtar të zhvilluar në Tiranë, pasi është fituese e projektit të TID Toëer. Përveç variacionit në shkallë dhe program, projektet e tyre kanë në vëmendje të vazhdueshme kujdesin për cilësitë hapësinore dhe inovacionkrijues. Disa nga veprat e tyre janë: LAMOT, Cultural and Convetional Center, KAZERNE Master Plan, Restauration and Reconversion of Old Coal Mine, T.I.D. Toëer, NOKA Block, TILE Project, etj.

Urime! Mund të na tregoni ku e kishte pikën e fortë projekti juaj?

Ndoshta tek ndjeshmëria që kemi treguar dhe tek përpjekja për kuptuar jetën dhe qytetin shqiptar. Qysh nga koha që punojmë këtu, prej tre vitesh, ne kemi ndëtuar një mori lidhjesh dhe një vetëdije të mprehtë për të kuptuar jetën publike. Edhe përpara këtij konkursi, kam vrarë mendjen si mund të ishte ky shesh, sepse dukej qartë që nuk po punohej me të. Këto kohë të konkursit ishin për mua ditë kur kam kthjelluar gjithçka që kam diskutuar me njerëz të ndryshëm. Me një fjalë, pika më e fortëkëtij projekti ka qenë ndjeshmëria që kemi treguar karshi jetës së vendasve.

Një qytetar që ka për t'u ndierë zot i sheshit tha kryetari bashkisë. Në ç'mënyrë?

Në vërtetë ajo që tha kryetari i bashkisë ka lidhje mbase me titullin fillestar që ka pasur ky projekt. Jemi pëpjekur gjithnjë për të gjetur një titull të mirë. Dhe një nga titujt që mundt'i jepej këtij projekti ishte: "Mbreti dhe unë", por ky titull nuk kapër të qenë sepse projekti është më shumë se kaq.

Çfarë mundësish u jepni qytetarëve?

Mendoj se ka për t'iu dhënë mundësinë e atij çasti kur qyteti pushon, e çastit kur jeta kaotike, endja në rrugë, në kafene, në hesape tregtare, ndalon. Pra, në njëfarë mënyre ju lëvizni jashtë qytetit. Duke mbërritur në këtë qendër, mund ta kthesh kokën pas dhe kjo qendër të lejon të reflektosh, të jetosh brenda saj. Do të jetë një shesh ku njerëzit takohen, lidhen me njëri-tjetrin. Është më shumë se qendër, është një hapësirë takimi. Kafenetë dhe baret do të jenë përtej qendrës tregtare. Mbushja e sheshit me ndërtesa që përmbajnë bare dhe restorante, do të ishte e gabuar. Të mbash publike hapësirën publike, kjo është çështje kyçe. Mendoj se kam fiksuar gjithçka në projekt.

Si kombinohen simbolet historike, me ato monumentale dhe religjioze?

Duke u dhënë të njëjtën rëndësi ndërtesave që janë në shesh, në raport me përmasat e tij. Duke e bërë operën po aq të rëndësishme sa muzeu historik po aq sa Banka e Shqipërisë. Pra për mua kjo mbeten ndërtesa që kanë pasur rëndësi në historinë e vendit tuaj. Të shkatërrosh këto ndërtesa apo t'i ndryshosh, ato do tregonte po aq respektin që ne si njerëz kemi ndaj të afërmëve tanë, ndaj nënës, babait, motrës. Këto ndërtesa do të jenë ndanë nëjra tjetërës, në të njëjtin nivel. Këtë kam bërë unë.

Ju thatë më parë se sfida më e madhe ishin zgjidhja e kontradiktave të sheshit. Cilat?

Ka njerëz që nuk e pëlqejnë monumentin e Skënderbeu, sepse është shumë i madh, madje nuk i pëlqejmë monumente të këtij lloji. Problemi është se si mund të bëhet më shumë njerëzor, më human. Por duke shtruar kësi lloj pyetjesh duket sikur ti duhet të zgjedhësh ndërmjet monumentit dhe njeriut. Për mendimin tim të dy rrinë pranë e pranë, së bashku. Kështu i sheh projekti ynë kontradiktat e këtij sheshi që krijohen ndërmjet monumentales dhe njerëzores. Them se pjesë e qenies sonë njerëzore është edhe monumentalja.

Qytetare po tregëtare. Ky ka qenë një temat bazë të të gjithë diskutimeve mbi projektet.

Siç ju thashë edhe më përpara, e gjithë Tirana sot ka për qëllim të kosumojë qytetin, të shfrytëzojë sa më shumë tokë të sajën, sa më shumë metër katrorë. Të gjithë duan të ndërtojnë, të gjithë duan të bëjnë para dhe të gjejë mënyrën se si, dhe kjo është logjike, është e rëndësishme, duhet të mbijetosh. Ajo që Sheshi Skënderbe ofron është diçka që nuk e gjen në qytet. Një ditë vere në Tiranë po vija re diçka dhe nuk po arrija ta kuptoj atë që shihja: me dhjetëra njerëz që ecnin lart e poshtë bulevardit, një pjesë ishin ulur në shesh, hanin, luanin. Kjo është diçka për të cilën shpresoj dhe jam pak i frikësuar që në të ardhmen nuk do të jetë si sot. Dëshirat e mia më të vërteta dhe më të thella janë që shqiptarët të përpiqen për të mbrojtur këto cilësi, sepse perëndimorët do të vijnë të shohin, të kuptojnë dhe të ndjejnë, atë që ata e kanë humbur. Pra në një kuptim, Sheshi Skënderbe nuk duhet t'i çojë dëm dhe të heqë dorë nga këto vlera.

Do të filloni nga puna brenda vitit?

Brenda vitit? Jo, për katër muaj

Ndërhyrjet në objektet ekzistuese:

Në hyrjen e Operës.

Xhamia kornizohet nga një dysheme e re.

Ndërtesat e Ministrive janë trajtuar në një linjë me kopshtin e fundosur, duke shtuar pemë të mbjella që mbulojnë gjithë hapësirën e kopshtit dhe të rrugës. Kështu, kompleksi njësohet në një identitet të vetëm duke u theksuar.

Teatri i Kukullave e gjen veten në shesh dhe lidhet me një hapësire të re të ndërtuar përpara tij duke ripërdorur pemët ekzistuese.

Banka Kombëtare, merr se fundi vëmendjen që meriton, duke shmangur çdo ndërhyrje vetëm duke ndryshuar platformën përpara saj.

Qendra Tregtare ngjitur me bankën është ripropozuar. Funksionet tregtare plotësohen nga një hapësire ekspozitash për ngjarje kulturore. Hapësira kulturore do të menaxhohet nga qyteti dhe mund të bëhet partner konkurrent i Galerisë Kombëtare të Arteve.

Lidhja e Muzeut Kombëtar me vendin ku qëndron është ndryshuar duke riorganizuar shkallët kryesore. Fasada e tij një-dimensionale do të ndryshohet në një tipografi multidireksionale.

Kulla Qytetare (the Civic Toëer) është rivendosja e shërbimeve publike të qytetit në një kullë të vogël. Në të ardhmen qytetaret e Tiranës do ta mbajnë mend këtë ndërtese si vendin me të cilin lidhen ngjarje të rëndësishme të jetës së tyre, regjistrimi i lindjes ose i martesës…

Natën, sheshi do te jete e kundërta e tij: i ndriçuar fort përreth brezit, duke krijuar një zonë muzgu në qendër. Të qenurit në qendër të qytetit do të jetë një moment që do të jetë vështirë të harrohet.

Ambicia bazë e sheshit është t'u mundësoje banorëve të Tiranës të shkëputen nga qyteti i tyre duke qenë në zemrën e tij, e cila ju ofron një hapësire ku përsëri mund të kthejnë kokën mbrapa, tek qyteti.Gjesti i parë në projektin e vetë sheshit është drejt për së drejti i lidhur me ketë ambicie. Sheshi ngjitet butësisht në qendër (pjerrësi 3 %), duke arritur ne lartësinë 2.3 m mbi lartësinë e skajeve.Ky manipulim e shtyn njeriun të lëvizë: sheshi nuk mund te shihet nga një pozicion i vetëm.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Edi Rama:

"Besoj që vlerësimi për gjashtë konkurentët ka qenë maksimal, por në fund të fundit jeta nuk është gjë tjetër, veçse detyrimi për të bërë zgjedhjet dhe çdo zgjedhje ka vështirësinë e vet sepse natyra njerëzore ështrë e prirur që të ketë atë që s'do dhe të dojë atë që s'ka. Gjithmonë puna e jurisë është puna më e padëshirueshme sepse duhet bërë një zgjedhje. Koha do të tregojë nëse juria ka bërë zgjedhjen e duhur, por unë jam i bindur që cilado nga zgjedhjet do t'i jepte Tiranës një mundësi për të vështruar të ardhmen dhe jam plotësisht i bindur se ideja e studios 51N4E na jep mundësi ta shikojmë të ardhmen.

Sipas këtij varianti, sheshi Skënderbej do të jetë një piramidë e vendosur nën pushtetin e qytetarëve dhe çdo qytetar i Tiranës, duke shkuar në pikën qëndrore të Piramidës e cila është një pikë që i jep mundësinë një njeriu të vetëm të qëndrojë aty dhe ta shohë sheshin nga të katër anët, nga lart-poshtë, do ketë mundësi të jetë zoti i qytetit të tij,.në një qytet që vjen nga një histori ku gjithmonë zot ka qenë dikush tjetër".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›