Sarandë; Bie në humnerë maunia, një i vdekur
Një aksident i rëndë është shënuar në orët e mesditës së djeshme në Qafë-Muzinë të Sarandës. Një maune është rrëzuar në humnerë dhe për pasojë ka humbur jetën shoferi dhe është plagosur rëndë një pasagjer. Aksidenti i rëndë ka ndodhur në orën 14:30 dhe forca të shumta policie kanë shkuar menjëherë në vendngjarje për të nxjerrë nga humnera automjetin. Mësohet nga policia se drejtuesi i mjetit ka humbur kontrollin në kthesat e shumta në Qafë-Muzinë dhe për pasojë maunia e ngarkuar me xhama ka rënë në humnerë. Mendohet se viktima është 20-vjeçari Ilirian Guri dhe është nga qyteti i Beratit, pasi edhe mjeti që ai drejtonte ishte me targa të Beratit. Ndërkohë ende nuk dihet identiteti i personit të plagosur, pasi ai kishte hipur gjatë rrugës si pasagjer në këtë makinë, që më pas u aksidentua. Sipas policisë, ai është një burrë rreth të 40-ve dhe është ende në gjendje të rëndë shëndetësore. Automjeti ishte i ngarkuar me xhama dhe po udhëtonte nga Gjirokastra për në Sarandë.