E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekspertët: Avantazhet e amnistisë fiskale

Berberi: Të ruhen ekuilibrat. Hoxha: Fitojnë të dyja palët. Preçi: Rriten investimet
Duket se është kriza ekonomike ajo që e ka detyruar qeverinë të ndërmarrë amnistinë fiskale dhe jo nevoja që ka biznesi. Këtë pikëpamje ndajnë disa ekspertë të ekonomisë, ndërsa disa të tjerë gjykojnë se është nevojë e të gjitha palëve. Në thelb, ekspertët e financave dhe ekonomisë e vlerësojnë inicimin e amnistisë si mjetin e duhur për të rritur investimet, zgjerimin e likuiditetit etj. Adriana Berberi, pedagoge e Financës Publike, thotë se amnistia krijon mundësi për qeverinë për të shtuar likuiditetet në qarkullim, apo edhe për të rritur të ardhurat, kurse biznesi futet në dilemën e pagesës së taksave. Artan Hoxha, drejtues i Institutit të Studimeve Bashkëkohore, gjykon se është koha e duhur për të dyja palët. Kurse Zef Preçi, ekspert i njohur i ekonomisë dhe tregut, vë në dukje avantazhet tek investimet, bankat, forcimi dhe konkurrenca.
Sipas ministrit Bode, amnistia mund të sjellë në ekonominë formale rreth 3 miliardë euro, ose 30 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto të vendit. Në fakt është një studim i vjetër i Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD, sipas akronimit anglisht), e cila ka vlerësuar se 30 për qind e aktivitetit ekonomik në Shqipëri kryhet pa paguar taksat.
Amnistitë fiskale janë kryer nga shumë vende të botës në të shkuarën, me qëllim që të kthejnë në atdhe paratë që investohen nëpër botë përmes kompanive të regjistruara në parajsat fiskale. Në shumicën dërrmuese të rasteve, amnistia mbart detyrimin e subjekteve për të paguar një taksë ekstra. Për rastet e vendeve të varfra dhe të prapambetura, amnistitë fiskale janë përdorur nga qeveritë gjysmëdiktatoriale për të legalizuar paratë e fituara përmes abuzimit me pushtetin.
Teorikisht, amnistitë falin mëkatet e bëra gjatë krijimit të pasurive pa paguar taksa, por në shumë vende njerëzit që arrijnë të kryejnë biznes pa taksa e bëjnë këtë vetëm falë mbështetjes politike që gëzojnë.
 
Adriana Berberi:Qeveria ta marrë seriozisht
Amnistia fiskale është një praktikë e mirënjohur në vendet e zhvilluara, por edhe të atyre në zhvillim. Përgjithësisht, amnistia fiskale është përdorur si një mundësi që çliron administratën fiskale nga pesha e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve me biznesin për detyrimet fiskale për një periudhë afatmesme, por njëkohësisht edhe si mundësi për biznesin për të mbyllur historitë e kaluara dhe një lloj kuptimi për ta filluar të dyja palët nga e para.
Në Shqipëri diskutimet për amnistinë fiskale kanë qenë të përsëritura, por të paktën deri tani nuk kemi pasur asnjë hap konkret për amnisti fiskale të mirëfilltë. Ka pasur falje detyrimesh dhe gjobash për tatime të veçanta, kryesisht për kontributin e sigurimeve shoqërore etj. Diskutimi më i gjatë ishte ai në fund të vitit 1997 e fillim të 1998-s, por që në fakt me "ndihmën" e politikës nuk u çua dot deri në fund. Opozita e atëhershme e konsideroi si mundësi pastrimi parash dhe në fakt anashkaloi dëmet dhe problematikat me të cilat u përball biznesi nga trazirat e ‘97-s dhe falimentimi i skemave piramidale.
Sot ne shikojmë që përsëri është hedhur në diskutim amnistia fiskale, por që me sa duket nuk u prezantua si e tillë nga qeveria kur ndryshoi legjislacionin fiskal, por vetëm kur ekspertë të ndryshëm të fushës filluan ta trajtonin problematikën që mbarte në vetvete mënyra sesi ishte draftuar neni përkatës. Natyrshëm lind pyetja: Përse ndryshimi i legjislacionit në "frymën e amnistisë fiskale" nuk u parapri nga një diskutim me ekspertë, forume biznesi, grupe interesi? Unë nuk mund t’i jap përgjigje pyetjes, por gjithsesi mund të shpreh vlerësimin tim.
Kur një çështje nuk trajtohet me transparencë, do të thotë që ose kemi frikë ta bëjmë publike, ose duam ta zbatojmë për grupe të veçanta.
Unë ndaj mendimin që vendit, biznesit, administratës fiskale, por edhe më tej, do t’i vinte në ndihmë një amnisti fiskale. Por nga ana tjetër, jo çdo lloj amnistie do ta realizonte këtë qëllim. Kjo kërkon përcaktimin e qartë të fushës së shtrirjes, të mekanizmave të implementimit, por edhe të kontrollit, si dhe nevojën e harmonizimit me legjislacionin që parandalon pastrimin e parave etj., etj. Nëse nuk kemi të qartë fushën e shtrirjes së saj, nuk mund të paragjykojmë askënd. Propozimi i paraqitur në legjislacion nuk mund “të shitet” si amnisti fiskale dhe nëse nga hartuesit është konceptuar si e tillë, duhet të ndalet sa nuk është vonë.
Aktualisht amnistia fiskale mund të krijojë një mundësi për qeverinë për të shtuar likuiditetet në qarkullim, apo edhe për të rritur të ardhurat, por nga ana tjetër ajo mund të jetë një hallkë më shumë në zinxhirin që i rri varur në qafë biznesit, sepse ai mund të vihet përballë dilemës së vazhdimit të biznesit apo përfitimit nga amnistia. Nëse problemin nuk e shohim me të dy polet e tij, si dhe nëse nuk vlerësojmë forcën tërheqëse të secilit pret tyre, mund të na ndodhë që "padashje" të prishim ekuilibrat dhe më tej askush nuk mund t’i vlerësojë apo parandalojë më pasojat. Unë do të vlerësoja, që nëse qeveria e ka seriozisht këtë politikë, të mos vonohet me diskutime boshe, por të iniciojë tryeza institucionale përfaqësimi dhe të pranojë të implementojë atë që është më racionalja për të gjitha palët në këtë proces.
 
Artan Hoxha:Premton Dobi Neto Publike
Amnistitë fiskale janë përjashtim nga rregulli, ashtu siç edhe janë amnistitë penale apo faljet. Instrumenti është legjitim dhe s’duhet të paragjykohet, nga ana tjetër përdorimi i tij duhet të prodhojë përfitim neto publik.
Kuptimi i kohës së duhur është cilësor, nuk është kalendarik, pra kur ekziston një kombinim i përshtatshëm i faktorëve që prodhojnë dobi publike nga përdorimi i amnistisë. Në rastin e Shqipërisë:
• Për arsye objektive të stadit të zhvillimit ekonomik dhe institucional të vendit, operimi me një farë shkalle evazioni fiskal të agjentëve ekonomikë ka qenë i pashmangshëm, një farë detyrimi “për të rënë në mëkat”. Kjo ka prodhuar edhe një sasi kapitali që qarkullon jashtë sistemit formal.• Disiplina fiskale ka arritur sot në atë pikë që përdorimi i amnistisë ka më shumë gjasa të perceptohet si “forcë dhe arsye e shtetit” dhe jo “dobësi e tij”, pra premton ulje të evazionit fiskal pas zbatimit të amnistisë.• Efekti psikologjik mbi agjentët ekonomikë (biznese dhe individë) është pozitiv. Këta çlirohen nga stresi “i mëkatit” dhe nga nevoja që të mbulojnë “mëkatin e shkuar” me rirënie “në mëkat” në të ardhmen.• Administrata shtetërore çlirohet nga stresi për të hetuar dhe ndëshkuar të shkuarën fiskale dhe përqendrohet në të ardhmen fiskale.• Reformat fiskale të kryera: ulje e taksave, forcim i disiplinës, përdorim i teknologjisë së informacionit, premtojnë uljen e evazionit fiskal në të ardhmen.• Një sasi kapitalesh çlirohen nga nevoja për t’u fshehur dhe hyjnë në qarkullimin formal ekonomik.• Një sasi të ardhurash, qoftë edhe modeste, si taksë e amnistisë, hyjnë në buxhetin e shtetit.• Nuk ka asnjë efekt negativ mes amnistisë fiskale dhe shkallës së suksesit të shtetit në përballjen me krimin e organizuar e mafioz dhe qarkullimin e kapitaleve të krijuara prej tij. Efekti, nëse nuk është zero, mund të jetë veçse pozitiv.• Vende të tjera rreth nesh apo europiane, pra në tregjet me të cilat komunikon ekonomia shqiptare, e kanë bërë, po e bëjnë, ose do të bëjnë amnisti fiskale, ndaj ne jemi ca edhe “si të dënuar” që ta bëjmë amnistinë fiskale.Nuk kam ndonjë ide të thelluar mbi procedurat dhe kriteret e imëta. Në përfundim mendoj se duhet bërë, tashmë pa vonesë, pasi premton Dobi Neto Publike.
 
Zef Preçi:Proces i gjerë transparent
Duhet parë si një iniciativë e re ekonomike, që kishte nisur me vendosjen e “taksës së sheshtë” disa vite më parë, si një masë që gjallëron ekonominë tonë kombëtare me përfitime përgjithësisht pozitive për qeverinë, biznesin dhe shoqërinë në tërësi në kushtet e rënda të krizës që po kalon vendi.
Në vlerësimin tim, qeveria është e interesuar dukshëm në shtimin e të ardhurave në buxhetin e shtetit në këtë periudhë krize, që janë në rënie krahas me rritjen e borxhit publik të vendit. Ajo është e angazhuar gjithashtu edhe në një proces (që pritet të zgjasë) të përshtatjes së politikave fiskale në kuadër të hapave për anëtarësimin e vendit në BE, synimi i të cilave është sigurimi i zhvillimit të qëndrueshëm të ekonomisë sonë kombëtare. Studime të kryera në shkallë rajoni tregojnë se mesatarisht çdo 1 dollar shtesë apo pakësim në nivelin e GDP-së kombëtare shoqërohet me zgjerimin (ngushtimin) e informalitetit me 31 cent ose afërsisht me 1/3 dollarë. Kjo vlen për të kuptuar si rëndësinë e informalitetit si një nga rezervat e mëdha që përmban nga pikëpamja fiskale, por edhe rreziqet që sjellin ndërhyrjet e pamenduara mirë.
Në këndvështrimin e biznesit, mendoj se ka ende shumë paqartësi, mosbesim dhe rreziqe në zbatimin e amnistisë fiskale të shpallur ditët e fundit nga qeveria. Mendoj se duhet të jetë e qartë se amnistia është dhe duhet të jetë një proces me përfitime të ndërsjella qeveri-biznes dhe më gjerë. Pra ndërmarrja e saj do të thotë se vendi ynë po shndërrohet në një “parajsë fiskale” për paratë e krimit, korrupsionit etj., por duke çliruar kapitalet dhe paratë në forma të ndryshme të padeklaruara deri më sot, i mundësohet qeverisë të shtojë të ardhurat fiskale të vitit që në një farë mënyre kompensojnë rënien e tyre në vitin e fundit dhe ka gjasa edhe në vitin në vazhdim. Sipas mendimit tim, qeveria duhet të harmonizojë prezantimin e amnistisë fiskale dhe të kapitaleve me masa të tjera që përmirësojnë klimën dhe marrëdhëniet e saj me komunitetin e biznesit.
Ndër ta, heqja e sistemit të referencave për pagat, duke e shoqëruar këtë masë me një pakt të gjerë publik trepalësh qeveri-punëdhënës-punëmarrës për mbajtjen në punë të punonjësve që gjenden aktualisht. Sidoqoftë, “loja” sapo ka nisur dhe në ditët që vijnë pritet që qeveria të prezantojë gjithë procesin, shkallën dhe mënyrën e përfshirjes së aktorëve të ndryshëm etj. Një aspekt tjetër që mund të përfshihet në paketën e amnistisë, është edhe qëndrimi ndaj parave të shqiptarëve të depozituara jashtë vendit, qoftë në formën e kapitaleve, fitimeve nga aktiviteti i biznesit, apo në formën e kursimeve monetare të emigracionit. Përvoja botërore si e Italisë, Gjermanisë, Moldavisë etj., tregon se për suksesin e masave të tilla për kthimin e parave nga jashtë apo për zbutjen e informalitetit, duhen zbatuar nivele modeste taksimi, apo duhet përdorur një fleksibilitet i mjaftueshëm që harmonizon interesat e palëve, duke synuar të mirën e përbashkët.
Në këndvështrimin e mbarë shoqërisë shqiptare, një amnisti e plotë do të ndihmonte të zgjeroheshin investimet private në ekonomi; biznesi do të orientohej dhe zhvendosej më lirisht nga njëri sektor apo veprimtari ekonomike në tjetrën, përmes një procesi ristrukturues me fleksibilitetin e mjaftueshëm; do të rritej presioni pozitiv mbi bankat për të ulur normat e tyre të interesave bankare për kreditë që ofrojnë; si dhe do të shtoheshin mundësitë për punësim. Në pikëpamje të kohës, mendoj se amnistia fiskale duhet të ndërmerret mbas një debati të gjerë publik dhe në institucionet shtetërore (Kuvend etj.), duhet shoqëruar me ndryshimet fiskale përkatëse edhe në buxhetin e shtetit.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›