Kryeministri Berisha takohet me liderët botërorë në Samitin e Ndryshimit të Klimës, që u mbajt nga OKB-ja

Në seancën e hapjes së OKB-së, e cila iu kushtua klimës, fjalën kryesore e ka mbajtur presidenti amerikan Barack Obama, ndërkohë që gjatë takimeve bilaterale të ditës së parë, kryeministri Sali Berisha u ndal tek reformat e kabinetit të tij si dhe tek ritmet që po e afrojnë vendin me hapësirat euroatlantike
TIRANE – Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha mori pjesë dje përkrah liderëve botërorë në hapjen e Samitit mbi Ndryshimin e Klimës që zhvillon punimet në SHBA. Gjatë seancës së samitit, palët i përshëndeti President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama dhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon. Pas ceremonisë, në kuadër të Samitit të Ndryshimit të Klimës, kryeministri Berisha ishte i ftuar në drekën zyrtare dhe pasdite mori pjesë në Tryezën e Rrumbullakët të Kryetarëve të Shteteve dhe të Qeverive, të cilët diskutuan gjerësisht mbi këtë temë kaq shqetësuese për mbarë botën. Ndërkohë më herët, kryeministri Berisha, u takua me liderë botërorë dhe drejtues të organizatave ndërkombëtarë, pjesëmarrës në sesionin e 64-të të Asamblesë së OKB-së, në Nju Jork. Berisha pati rastin të takohet dhe të bisedojë me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon, me Presidentin e Kinës Hujintao si dhe me disa homologë të tij, Kryeministrin e Japonisë, Hotajama, Kryeministrin e Kuvajtit, Kryeministrin e Australisë, Kryeministrin e Zelandës së Re. Gjithashtu zu takua edhe me Presidentin e Austrisë, me Presidentin e Finlandës dhe disa personalitete te tjera, të pranishëm në Samit. Gjatë bisedës me ta u diskutua dhe u shkëmbyen pikëpamje mbi zhvillimet në Shqipëri, reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare për integrimin e vendit në BE. Ne fokus te bisedimeve ishin gjithashtu edhe zhvillimet ndërkombëtare. Kryeministri Berisha ftoi liderët botërorë të vizitojnë Shqipërinë si dhe u shprehu atyre gatishmërinë për një intensifikim të marrëdhënieve me vendet e tyre si në rrafshin politik ashtu dhe në atë ekonomik.
...