E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zoti i dënoi të pafetë?!

Nga Express më 26 mars 2011 në ora 13:00

Pas tërmetit dhe tsunamit katastrofal që goditën Japoninë, më 11 mars 2011, shumica e rusëve shprehën ngushëllime dhe ofruan ndihmë për popullin japonez. Por jo të gjithë. Portali francez, ‘France24’, nënvizon se, sipas regjisorit rus, Nikita Mikhalkov, tsunami erdhi direkt nga Zoti, i cili deshi që kështu t’i dënojë “japonezët e pafe”.

I pari që u vërsul ishte prifti ortodoks rus, Aleksandar Shumski, autor i artikullit të publikuar më 14 mars, me titull “Fundi i Mrekullisë Japoneze’. Ai në këtë tekst shkruan se tërmeti dhe tsunami paraqesin dënimin nga Zoti për Japoninë, për shkak se e kishte fyer Rusinë. Sipas tij, katastrofa e goditi Japoninë për shkak se disa demonstrues morën guximin të digjnin flamujt rusë dhe portretet e presidentit, Dmitry Medvedev, pas vizitës së i bëri ishujve Kurile. Në fakt, Japonia dhe Rusia ende zhvillojnë debate të ashpra për këtë arkipelag në veri të Japonisë.

Jehona e të njëjtës kambanë erdhi edhe nga Elena Jampolskaya, zëvendëskryeredaktore e gazetës ruse ‘Izvestia’, që njihet për lidhjet e afërta me Kremlinin. Sipas mendimit të saj, tërmeti është dëshmi e qartë se Zoti po e mbron Rusinë nga kriminelët japonezë.
Megjithatë, duket se gurin më të madh në moçal e hodhi, nga distanca, Nikita Mikhalkov Sergeyevic. Ky regjisor filmik rus me nam botëror sikur është me kontroversa. Gjatë një fjalimi që, më 16 mars, e mbajti në forumin filmik të Moskës, Mikhalkov deklaroi se tërmeti dhe tsunami janë dërguar në Japoni, në mënyrë që banorët e këtij shteti të dënohen për shkak “të gjynaheve dhe të pafesë”.

Një xhirim amator i fjalimit të tij u shpërnda si era nëpër rrjetet ruse të internetit, duke shkaktuar diskutime të gjalla nëpër blogjet dhe mediat ruse. Megjithëse disa shfrytëzues rusë të internetit e respektojnë ‘sinqeritetin’ e regjisorit, shumica mendojnë se ai i ka tejkaluar kufijtë dhe është mbuluar me turp.

Dy ditë më vonë, regjisori i sqaroi në Youtube qëndrimet e shprehura.

tani ai pohonte se qëndrimet e tij ishin shtrembëruar. Sepse, sipas tij, japonezët ishin dënuar, jo për shkak të gjynaheve të veta, por të të gjithë botës. Mirëpo, kritikuesit e tij konsiderojnë se sqarimet e tij janë vonuara dhe të pamjaftueshme.

Njëri nga ta, madje, u shpreh : “Zoti, mbase japonezët i dënoi me tërmet, por Rusinë e dënoi me Nikita Mikhalkov”.

E, Rusia lidhur me këtë materie ka edhe parahistorinë e saj. Në të kaluarën, sa herë që bëhej fjalë për popujt që goditshin nga katastrofat e ngjashme natyrore, ide të ngjashme me këto shpaloste edhe patriku ortodoks, Kiril, shef i Kishës Ortodokse Ruse. Kështu, në janar 2010, patriku rus erdhi në përfundim se Zoti e kishte dënuar Haitin me tërmet. Po atë vit, në gusht, ai, megjithëse me fjalë shumë më të zgjedhura, paralajmëroi se zjarret malore në zonën përreth Moskës ishin dërguar (nga Zoti) si dënim ndaj mëkateve të tyre.

“Mendimi im është që z. Mikhalkov po teoretizon për diçka që qartazi i tejkalon kufijtë e tij të të kuptuarit. Nuk e di se çfarë e shtyu të jepte këso vlerësimesh, por shpirti i tij është shumë larg atij të krishterimit”, deklaroi Dioniziy Pozdnyayev, një prift ky 40-vjeçar i Kishës Ortodokse të Shën Palit, në Hong Kong.

Ati Konstantin Kravcov (47), një prift ky i Kishës së Ungjillit të Shenjtë, në Moskë, është shumë më konkret.

“Në traditën e krishterimit judit , besimtarët e shohin dorën hakmarrëse të Zotit në të gjitha katastrofat, qofshin ato natyrore apo shoqërore. Kjo është një traditë biblike që ka të bëjë jo vetëm me pendimin para Zotit, por edhe me kërkimfaljen. Mund të themi se Cherbobil, tërmeti në Haiti, apo edhe katastrofa në Japoni, janë paralajmërime që ia përkujtojnë njerëzimit në mënyrë tejet realiste varësinë dhe lëndueshmërinë e tij. Njerëzit duhet ta shikojnë botën në mënyrë më reale, duhet të mendojnë për jetën dhe vdekjen, dhe për brishtësinë e planetit tonë. Këtë gjë mund ta quajmë si dënim të Zotit, ose si katastrofë natyrore, nuk janë me rëndësi fjalët.

Me rëndësi janë përfundimet që i nxjerrim nga këto dukuri. A do të bëhemi më të mençur, më të urtë, më njerëzorë, për t’iu dalë në ndihmë atyre që goditen nga katastrofat, apo nëse do t’i konsiderojmë të gjitha këto si dënim të të keqes – ngase, fatkeqësisht, ka edhe këso tendence. Natyrisht, nuk është punë e jona që t’i gjykojmë ata që vuajnë dhe që e pësuan. E jona është që të lutemi për ta – për viktimat dhe për të mbijetuarit”.
(France24)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›