Mos e hiq pallton, kapelen, shallin dhe dorezat
Premiera e baletit “Kopelia – Vajza me sy smeraldi” që vazhdon të shfaqet sot dhe më 25-26 dhjetor, në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, po tërheq shumë publik. Vepra në muzikë e Leo Delibes, një nga kryeveprat e repertorit botëror, ka për koreograf Ilir Kernin, dalja në skenë e të cilit dy net pra, në rolin e ciganit, vetëm për dhjetë minuta, ishte një nga kulmet e shfaqjes.
Për fat të keq magjia nuk mundi të vijë e plotë deri te publiku për shkak të “kushteve atmosferike”. Jashtë Tirana ishte veshur nga bryma dhe temperaturat e ulëta deri 3-4 gradë, ndërsa salla aq e ngrohtë sa fryma e spektatorëve. Ndonjë në të rrallë guxoi dhe e hoqi pallton që dhjetëra të tjera shtrëngonin pas trupit dhe mblidhnin duart në prehër kush me doreza, kush me shall, burra a gra, pa llogaritur ata që nuk i hoqën kapelat apo kapuçët.
Vetëm fëmijët që nxehesin nga vrapi ndërmjet akteve nëpër shkallë, nuk e ndjenë të ftohtin. Të paktën kështu thonë në sondazhin aty për aty që bëri “Shekulli” pas premierës.
Gjendja nuk ka ndryshuar që nga ora 19.00 deri në 21.30. Kolla e thatë dhe teshtimat janë të zakonshme për të dy teatrot tanë kombëtarë, i Operës dhe i Teatrit.
Të diskutosh sot për kushtet klimaterike dhe sidomos për sistemin e kondicionimit në opera apo në teatër, do të thotë të jesh “jashtë modës së debatit”. Fjala dhe kritika është zhvlerësuar krejt. Dëshira se duke i vënë në dukje problemet, diçka do të ndryshojë, në mos po nuk do të bjerë në vesh të shurdhër, shndërrohet në hiç.
Prej kohësh është përgatitur një projekt për sistemin e kondicionimit të TOKB, por deri tani asnjë hap nuk është hedhur për të ndryshuar situatën. Projekti pret vëmendjen e qeverisë gjatë vitit 2009, thonë në Opera, sepse është projekt i kushtueshëm. Histori e vjetër dhe kjo.
Jo më larg se dje i kapur nga entusiazmi për ato që kreu Zhani Ciko, i quan arritje të institucionit, e krahasoi çështjen e rikonstruksionit të TKOB-it me një ajsberg. “Ajsbergut i shihet vetëm pjesa në sipërfaqe dhe jo ajo që është brenda në ujë. Edhe rikonstruksioni i Operës është bërë nga brenda dhe pret që t’i dalë maja”,- u shpreh ai.
Se për çfarë minierë ari flet drejtori Ciko këtë duhet ta dijë ai vetëm. Pastaj edhe kjo gjuhë propagande është po aq e vjetër. Lexoni fletushkën e ftesës që TOB ka shpërndarë edhe për “Vajzën me sy smeraldi”.
“Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit, dëshiron t’i shprehë falenderimet e thella të gjithë atyre që mundësuan realizimin e kësaj premiere absolute, kontributin e të cilëve ne e konsiderojmë si bashkautor në realizimin e kësaj shfaqjeje:
Prof. Dr. Sali Berisha, Kryeministrit të Shqipërisë, për miratimin e buxhetit shtesë me rastin e festimit të 55-vjetorit të T.K.O.B
z. Ylli Pango, Ministër i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve
z. Ridvan Bode, Ministër i Financave
etj.”
A thua këta burra kanë zgjidhur qeset e buxheteve familjare.
Më poshtë qytetarët e shtetit që drejtojnë këta burra iu përgjigjen pyetjes “a kishit ftohtë sonte?”
Femër (40 vjeç): Po bënte ftohtë.
Brunilda (28 vjeç): Shumë, aq sa nuk arrita ta shijoj mirë shfaqjen. Kjo ditë ma përkeqësoi gjendjen. Jam me grip.
Mashkull (55 vjeç): Jo, fare.
Drita (45 vjeç): Sot ishte goxha ftohtë. Këtu zakonisht ftohtë është.
Alketa (30 vjeç) Po, shumë.
Suzana (35 vjeç) Jo, absolutisht.
Ina (11 vjeç) Jo, fare.
Marjana (65 vjeç): Është pak ftohtë sepse është dimër. Të vjen keq që vjen për të parë një balet kaq të bukur, të mrekullueshëm dhe në vend që të duartrokasësh nga entuziasmi, dridhesh nga i ftohti. Unë vij shpesh në opera. Jam e pasionuar. Kjo gjendje është e zakonshme. Ndërsa në Pallatin e Kongreseve ku kemi parë shumë spektakle, së fundi edhe “Tre tenorët”, kënaqesh edhe me ambientin. Atje bën ngrohtë.
Roza (16 vjeç): Po kisha ftohtë. Kjo është hera e parë që vij në opera në Tiranë. Unë nuk jetoj në Shqipëri, por e frekuentoj teatrin atje ku banoj. Kur hyn në opera, në dimër, hiqen gjithmonë në garderobë palltot, xhaketat. Nuk i hoqa as kapuçin as shallin se më paralajmëruan të tjerët që në opera bën ftohtë.
Doriana (24 vjeç) Kishim shumë ftohtë.
Sadedini (70 vjeç): Frynte ajër i ftohtë. Isha ulur në rreshtin e dytë dhevinte i ftohti nga skena. Sot ishte edhe më ftohtë ndoshta ngaqë jashtë bënte vërtet dimër.
Aleksandra (60 vjeç) Jashtëzakonisht ftohtë. Ja, me pallto gjatë gjithë kohës.
Ermir Krantja (dirigjenti i orkestrës): Unë nuk ndjeva gjë dhe zakonisht nuk e ndjej të ftohtin kur dirigjoj, sepse jam në lëvizje. Tek orkestra vura re që gishtërinjtë e instrumentistëve e ndjenin të ftohtët. Ndërsa në verë nuk bën shumë vapë këtu brenda, ruhet një lloj freskie. Por në dimër është pak problem për ngrohjen.