"Zoti ministër i Mbrojtjes Mediu, Zoti Shef i Shtabit të Përgjithshëm të FA, Gjeneral Hoxha, Të nderuar ministra dhe deputetë, Shkëlqesi Ambasadorë dhe Atashe Ushtarakë, Të dashur ush
"Zoti ministër i Mbrojtjes Mediu,
Zoti Shef i Shtabit të Përgjithshëm të FA, Gjeneral Hoxha,
Të nderuar ministra dhe deputetë,
Shkëlqesi Ambasadorë dhe Atashe Ushtarakë,
Të dashur ushtarë, nënoficerë, oficerë, efektiva civilë të FA shqiptare,
Të dashur veteranë luftëtarë
Eshtë nder i veçantë për mua që, në emër të qeverisë, t'ju përshëndes dhe t'ju uroj nga zemra Gëzuar 4 dhjetorin, ditën e krijimit të Forcave të Armatosura shqiptare!
Ne, sot, sëbashku festojmë vendimin e burrit të madh të kombit, Ismail Qemalit, që mori vetëm pak ditë pas shpalljes së pavarësisë, 94 vjet më parë, për krijimin e Ushtrisë së shtetit të pavarur shqiptar.
Ushtria shqiptare, vërtetë u krijua në javën e parë të lindjes së Shqipërisë së pavarur, por ajo u krijua mbi bazën e njërës prej traditave më të shkëlqyera luftarake, mbi bazën e një trashëgimie të ndritur që daton nga koha e Skënderbeut, luftërat dhe betejat e tij, që mbart trashëgimiminë e madhe të komandës ushtarake elitë e ushtrisë imperiale, që mbart trashëgiminë e madhe të kryengritjeve të mëdha të shqiptarëve të viteve 8-12 të shekullit që shkoi, kryengritje që e bënë Shqipërinë të pavarur. Jo rastësisht, në krye të kësaj ushtrie do të vendosej njëri nga komandantët legjendar të këtyre kryengritjeve, Mehmet Pashë Dërralla.
4 dhjetori është një ditë historike për Shqipërinë dhe kombin shqiptar. Forcat tona të Armatosura, që u krijuan javën e parë të jetës së Shqipërisë së pavarur, kishin si mision kryeso, mbrojtjen, konsolidimin, garantimin e përpjekjeve shekullore të shqiptarëve për pavarësi, liri dhe dinjitet. Me këtë vendim, themeluesi i shtetit shqiptar krijoi dhe një nga shtyllat më kryesore të një shteti modern shqiptar, të denjë për të rreshtuar vendin përkrah vendeve dhe shteteve të tjera të Europës.
Sot, pas 94 vjetësh, ne festojmë ditën e krijimit të Forcave të Armatosura, me ndjenjën e thellë të mirënjohjes dhe të nderimit të madh ndaj tyre. Të krijuara si Forca të Armatosura të një Shqipërie të pavarur, ato u organizuan dhe me shpejtësi u shndërruan në mbrotjës kryesore të pavarësisë së sapo shpallur dhe në pengesë të pakapërcyeshme të ambicjeve për copëtimin e mëtejshëm të trojeve shqiptare. Ato dhanë një ndihmesë të madhe në konsolidimin e shtetit shqiptar. Pas pushtimit të vendit, gjatë Luftës së Dytë Botërore, qindra e qindra anëtarë të këtyre forcave ushtarë dhe oficerë, morën malet dhe organizuan njësitë partizane, të cilat me luftën e tyre shkruan një faqe të ndritur në historinë e kombit, renditën kombin dhe Shqipërinë në anën e drejtë të historisë së njerëzimit, renditën kombin dhe Shqipërinë në koalicionin fitimtar botëror.
Nder të gjithë atyre ushtarëve, nënoficerëve dhe oficerëve të ushtrisë shqiptare që luftuan dhe dhanë jetën për flamurin dhe lirinë e kombit.
Për pothuajse një shekull, fati i strukturave të Forcave tona të Armatosura ishte ngushtësisht i lidhur me fatin e kombit dhe organizimi i tyre u përcaktua gjerësisht nga sistemet dhe regjimet që përjetoi Shqipëria. Ato u themeluan dhe u modeluan mbi bazën e një tradite ushtarake të shkëlqyer, si forca të një vendi të lirë, me një vokacion perëndimor. Por, pas luftës, ato u strukturuan sipas modelit bunker të një vendi bunker që diktatori imponoi në Shqipëri, me diktaturën e tij. Shpesh herë mendoj ato vite dhe asnjë krahasim tjetër nuk gjej, për ata qindra e mijëra ushtarakë aktivë dhe rezervistë, se sa me skllevërit e periudhës së Faraonëve. Bunkerë që mbushën fushat, kodrat e malet e Shqipërisë, si dëshmi e një doktrine antikombëtare, çnjerëzore. Këto ishin lumenj të vërtetë djerse, sakrifice të tyre, natyrisht për qëllime tërësisht të mbrapshta.
Por pas shembjes së diktaturës komuniste, Forcat e Armatosura të vendit u angazhuan me përkushtim të madh, në reforma të thella dhe të shumëanëshme, të cilat së bashku me reformat politike dhe ekonomike të vendit, bënë të mundur që Shqipëria, vendi i diktaturës bunker, të ishte ndër të parët që do të rreshtohej në partneritet me Aleancën e Atlantikut të Veriut, bënë që Shqipëria të ftohej për të firmosur partneritetin me NATO-n dhe të zhvillojë me këtë Aleancë, në 15 vjet, një bashkëpunim besnik, të frytshëm dhe të shkëlqyer në të gjitha fushat.
Në këto 15 vjet, Forcat tona të Armatosura, të vendosura tërësisht nën kontrollin civil, pësuan ndryshime të mëdha, u përshtatën plotësisht me ndryshimin e sistemit dhe u shndërruan në një faktor të rëndësishmë të integrimit të vendit në NATO, por në tërësi edhe në familjen e vendeve të zhvilluara. Njësitë e Forcave tona të Armatosura u shpalosën gjatë këtyre viteve, së bashku me njësitë e vendeve anëtare të NATO-s dhe vendeve të tjera mike, në Bosnje, Afganistan, Irak dhe, së afërmi do të shkojnë edhe në Liban.
Vërtetë, njësitë e tyre në misionet jashtë vendit janë të vogla, por me disiplinën, përkushtimin, profesionalizmin, ato kanë shkëlqyer, atje ku kanë shkuar. Ne jemi shumë krenarë me ta.
Ne sot festojmë 94 vjetorin e Forcave tona të Armatosura, në një kohë kur vetëm një javë më parë, në deklaratën përfundimtare të Samitit të Rigës, kryetarët e shteteve dhe të qeveritëve të vendeve anëtare, njoftuan Shqipërinë, së bashku me Maqedoninë dhe Kroacinë, si vende të mundshme kandidate për të marrë ftesën për anëtarësim në NATO, në Samitin e ardhshëm të zgjerimit të saj.
Me këtë rast, unë dua t'u shpreh mirënjohjen më të thellë Presidentit amerikan Bush dhe kryetarëve të shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare, për këtë mesazh historik që i dërguan Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Gjithashtu, dua të falënderoj me mirënjohje të madhe të gjitha ushtritë e vendeve mike, ushtrinë e SHBA në radhë të parë, për ndihmën e jashtëzakonshme që dhanë në këto 15 vite në reformën e thellë dhe të gjithanshme të Forcave tona të Armatosura.
Për Shqipërinë dhe shqiptarët, anëtarësimi në Aleancën e Atlantikut të Veriut, Aleancën politike, ushtarake më të shkëlqyer në historinë e qyterimit botëror, është e ardhmja më e sigurt, më e mirë e tyre. Ndaj edhe ne kemi deklaruar se, në emër të kësaj të ardhmjeje, jemi të gatshëm të marrim çdo vendim, të paguajmë çdo çmim për të garantuar për qytetarët shqiptarë të ardhmen e sigurt që meritojnë.
Mesazhi i Samitit të Rigës ishtë një vlerësim i madh për përpjekjet e shqiptarëve për liri, demokraci, dinjitet dhe integrim, ishte vlerësim për rezultatet e arritura në reformat politike, ekonomike dhe ushtarake, si dhe për përmbushjen me nder dhe dinjitet të detyrave të njësive të ushtrisë shqiptare, brenda dhe jashtë vendit.
Por mesazhi i Samitit të Rigës është një detyrim madhor për qeverinë, për Forcat e Armatosura, shtetin dhe shoqërinë shqiptare në tërësi. Samiti i ardhshëm mund të mblidhet pas 15 muajsh. Por ne, për të marrë ftesën kaq shumë të dëshiruar, duhet ta konsiderojmë këtë periudhë jo më shumë se 15 javore, duhet të angazhohemi me të gjithë potencialin tonë për të përmbushur kërkesat dhe detyrimet që rrjedhin për marrjen e ftesës.
Unë, me këtë rast, siguroj shqiptarët se qeveria do të bëjë çdo përpjekje për konsolidimin e shtetit ligjor, si kusht themelor i një shoqërie të lirë, për luftën me zero tolerancë ndaj krimit dhe korrupsionit, reformën e mëtejshme të ushtrisë shqiptare, me qëllim krijimin e një ushtrie të vogël, profesionale, dinamike, të mirëstërvitur, të mirëpajisur, të aftë për të vepruar me efiçensë, në përmbushje të të gjitha detyrimeve të saj paqësore dhe luftarake, brenda dhe jashtë vendit.
Dua ta mbyll fjalën time, duke shprehur edhe njëherë ndjenjën e mirënjohjes më të thellë ndaj jush, duke ju siguruar se qeveria nuk do të kursejë përpjekjet e saj për modernizimin e Forcave të Armatosura të vendit, për t'i mbështetur ato fuqimisht në të gjitha aspektet. Dua gjithashtu te përcjell, edhe njëherë, urimet më të mira për të gjithë ushtarët, nënoficerët, oficerët dhe civilët e Forcave të Armatosura, për fëmijët dhe familjet e tyre. Gëzuar!"