E Diel, 1 Nëntor 2026

Paraditen e sotme, u organizua në mjediset e hotel Sheraton, ceremonia kokteil, me rastin e 94 vjetorit të krijimit të Forcave të Armatosura shqiptare. Kryeministri Berisha mori pjesë në kë

Paraditen e sotme, u organizua në mjediset e hotel Sheraton, ceremonia kokteil, me rastin e 94 vjetorit të krijimit të Forcave të Armatosura shqiptare.

Kryeministri Berisha mori pjesë në këtë takim, së bashku me Ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediu, si dhe përfaqësues të tjerë të kabinetit. Të pranishëm në ceremoni ishin gjeneralë, oficerë, përfaqësues të trupit diplomatik, si dhe të ftuar të tjerë.

Duke e vlerësuar themelimin e Forcave të Armatosura shqiptare, 94 vjet më parë, si një akt madhor për kombin, Kryeministri Berisha, në fjalën e tij, u shpreh se këto Forca, në historinë e tyre, shënuan përpjekje të mëdha, duke u shndërruar në shtyllën kryesore të rezistencës së shqiptarëve në periudha të ndryshme të historisë.

Duke u ndalur në reformat, që Forcat e Armatosura pësuan në 15 vitet e fundit, Kryeministri vlerësoi se ato ishin përcaktuese për sigurinë, paqen dhe për integrimin e vendit në Aleancën e Atlantikut të Veriut.

Kryeministri siguroi se qeveria shqiptare është e vendosur të bëjë çdo përpjekje për të plotësuar të gjitha kërkesat dhe standardet, në mënyrë që vendi ynë të meritojë me dinjitet ftesën për anëtarësim në NATO.

Më tej, në përshëndetjen e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:

"Është një rast për mua t'ju përcjell ju, të gjithë ushtarëve, oficerëve dhe nënoficerëve të Forcave tona të Armatosura, punonjësve civilë të këtyre forcave, urimet më të përzemërta në këtë ditë të shënuar për mbarë kombin, mbarë Shqipërinë. Themelimi i Forcave të Armatosura të Shqipërisë nga qeveria e Ismail Qemalit, në javën e parë të shtetit të pavarur shqiptar, përbënte një zhvillim madhor, të rëndësishëm, si për mbrojtjen e pavarësisë së saposhpallur dhe lirisë kombëtare të Shqipërisë, ashtu dhe për modernizimin e shtetit shqiptar.

Sot, pas 94 vitesh, Forcat e Armatosura të Shqipërisë shënojnë një bilanc, në të cilin, në tërësi, duhet të jenë krenarë. Të themeluara si Forca të Armatosuara të një vendi të lirë, ato bënë përpjekje të mëdha dhe u shndërruan në shtyllën kryesore të rezistencës së shqiptarëve në mbrojtje të pavarësisë së tyre, në shtyllën kryesore të rezistencës së shqiptarëve gjatë Luftës së Dytë Botërore, organizmin e njësive partizane, organizimin e asaj lufte e cila i renditi shqiptarët në anën e drejtë të historisë.

Forcat e Armatosura pësuan një antireformë gjatë diktarturës, pasi ato u strukturuan në përputhje me strategjinë bunker të diktatorit paranojak. Por pas shembjes së perdes së hekurt dhe përmbysjes së diktaturës, anëtarët e tyre, me një përkushtim të admirueshëm, me nje shpejtësi të madhe, bënë të mundur që vendi më i izoluar i Europës dhe mbase i planetit, në një hark kohor dy-tre vjecar, të shndërrohet ndër të parët partnerë të Alenacës së Atlantikut të Veriut.

Në këto 15 vjet ju ndërmorrët reforma të thella, të dhimbshme, por përcaktuese për sigurinë, paqen dhe për integrimin e vendit në Aleancën e Atlantikut të Veriut.

Sot, anëtarë të Forcave të Armatosura të Shqipërisë janë të shpalosur në vende të ndryshme të botës, së bashku me njësitë e NATO-s, të Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera mike. Këto njësi nuk janë të mëdha në rrafshin numerik, por janë të shkëlqyera në rrafshin cilësor. Ato ju përfaqësojnë ju dhe kombin me dinjitet të respektuar dhe janë shndërruar në ambasadorë të shkëlqyer të integrimit të Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut.

Samiti i Rigës dërgoi një mesazh optimist dhe të rëndësishëm, i cili përfaqëson në vetvete dhe një vlerësim real të progresit tuaj në këto 15 vite. Natyrisht, Samiti i Rigës parashtron para Shqipërisë dhe Forcave të Armatosura detyra shumë të rëndësishme. Dua t'ju garantoj se qeveria është e vendosur të bëjë çdo përpjekje që këto kërkesa dhe standarde të plotësohen, në mënyrë që me dinjitet të meritojmë ftesën për anëtarësim në NATO, si të ardhmen më të sigurtë dhe më të mirë për Shqipërinë dhe shqiptarët. Në këtë kontekst, ne do të mobilizojmë të gjitha burimet e domosdoshme për reformën e Forcave të Armatosura, për shndërrimin e tyre në një ushtri profesionale, të vogël e dinamike, të aftë për të përballuar të gjitha kërkesat në kohë paqeje brenda vendit dhe e aftë për të përmbushur me dinjitet të gjitha misionet që do t'i kërkohet të përmbushë në kuadrin e Aleancës së Atlantikut të Veriut.

Ju përshëndes edhe një herë përzemërsisht, ju, familjet tuaja, të ushtarëve, oficerëve dhe nënoficerëve dhe t'ju uroj gëzuar këtë ditë historike për Shqipërinë dhe shqiptarët."

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›