E Diel, 1 Nëntor 2026

Zullumi i KEK’utNga Zekirja Shabani, "Express"Gani Aliu, nga e marta, nuk do t`i paguajë faturat e energjisë elektrike. Paga prej 160 eurosh, nuk i mjafton këtij 57-vjeçari nga Prishtina që t`i mbulojë të gjitha shpenzimet për familjen e tij pesëanët

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Zullumi i KEK’utNga Zekirja Shabani, "Express"Gani Aliu, nga e marta, nuk do t`i paguajë faturat e energjisë elektrike. Paga prej 160 eurosh, nuk i mjafton këtij 57-vjeçari nga Prishtina që t`i mbulojë të gjitha shpenzimet për familjen e tij pesëanëtarëshe.

Tash tri vjet, ai në vazhdimësi e ka reduktuar pagesën ndaj Korporatës Energjetike të Kosovës dhe përfundimisht sivjet ka vendosur që të shkëputet nga kjo kompani.

“Le ta marrin edhe orën. Çdo vjet po e shtrenjtojnë rrymën, un s’kam zgjidhje tjetër, pos të jetoj në terr”, thotë ai. Këtë vendim, ai e ka marrë me të dëgjuar lajmin se fundi i marsit do të jetë edhe fundi i çmimit aktual të energjisë në Kosovë.

Ganiu nuk është nga ata që nuk duan t’i paguajnë faturat e rrymës, por hyn në kategorinë e 45 për qind të qytetarëve që jetojnë me më pak se 1 euro në ditë.

Megjithatë, kjo ka pak rëndësi për Qeverinë e Kosovës, e sidomos për menaxhmentin e KEK-ut. Ashtu siç ishte pritur, Korporata Energjetike e Kosovës, të martën ka kërkuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë rritjen e tarifave të energjisë elektrike për 14.6 për qind, me të cilën do të mbulonte koston operative.

Në kërkesën që kjo kompani ka dorëzuar në ZRrE, thuhet se aplikimi tarifor për vitin 2010 ka për qëllim që t’u sigurojë qytetarëve furnizim të mjaftueshëm me energji elektrike, për këtë edhe duhet ngritur tarifat që t’i mundësohet KEK-ut të punojë normalisht.

“Veçanërisht për sektorin e mirëmbajtjes dhe shpenzimeve kapitale për operimet në miniera, njësitë gjeneruese dhe rrjetin shpërndarës”, thuhet në këtë kërkesë.

ZRrE-ja do ta shqyrtojë aplikimin e KEK-ut si dhe dokumentet mbështetëse të aplikimit dhe pritet t’i publikojë komentet e veta më 25 shkurt, ndërsa më 15 mars rregullatori pritet që të vendosë për tarifat finale me të cilat do të ngarkohen konsumatorët nga 1 prilli 2010.

Pavarësisht se KEK-u ende vepron si ndërmarrje publike nën mbikëqyrjen e Qeverisë, ministrja e Energjisë dhe minierave, Justina Shiroka-Pula, thotë se është çështja e tarifave është në kompetencë të plotë të KEK-ut dhe Ministria nuk ndërhyn në këtë.

“KEK-u është kompani e pavarur dhe unë kam dëgjuar në gazeta për rritjen e tarifave”, pohon Shiroka-Pula.

Sipas saj, rregullatori është ai që përcakton arsyeshmërinë e ngritjes së tarifave, ndërsa për Ministrinë, e arsyeshme është tarifa, e cila e mbulon koston e prodhimit.

Adelina Murtezaj, nga zyra e Rregullatorit të energjisë thotë se është fillimi i procesit për shqyrtimin e aplikacioneve për faturat e energjisë dhe nuk mund të komentojnë se sa do të jetë rritja.

Vitin e kaluar, megjithëse KEK-u pati kërkuar rritje afro 20 për qind, ZrrE-ja pati aprovuar tarifat e reja me 2.5 për qind rritje.

Burime të gazetës Express bëjnë të ditur se edhe sivjet tarifat do të pësojnë rritje të njëjtë.
Çmimi i tanishëm i një kilovati rrymë në Kosovë 5.6 centë, që është më i shtrenjtë se vendet përreth, përveç Serbisë, e cila gjithashtu po bën përpjekje për të rritur çmimin.

Rritja e vazhdueshme e çmimit për kilovat i ka përcjellë kosovarët që nga viti 2008, kur çmimi i energjisë elektrike ishte shtrenjtuar për 5 për qind.

Ndryshe nga menaxhmenti i KEK-ut, drejtori i KOSTT-it (Operator i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut), Fadil Ismajli, thotë se ky institucion nuk ka kërkuar ngritje të tarifave të shërbimeve për këtë vit. “E kemi dorëzuar aplikimin për tarifat e reja dhe nuk ka ndonjë ngritje për sivjet, pasi që kemi arritur që me menaxhim të mirë t’i ulim disa shpenzime”, thekson Ismajli. Ndikimi i tarifës së KOSTT-it në faturat e konsumatorëve, sipas tij, nuk është më e madhe se 0.5 për qind.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›