E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zv/ ministri i Ekonomisë, Bozdo tregon rezultatet e programit të SME

Ministria e Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës, nëpërmjet zëvendësministrit të saj, Eno Bozdo ka parashtruar rezultatet e programit të strategjive të SME për periudhën 2007-2009. Gjatë një takimi të zhvilluar ditën e djeshme me donatorët për SME, zv. ministri, Bozdo ka theksuar se në zbatim të memorandumit, të mirëkuptimit që është nënshkruar bashkërisht, ky takim i radhës është shprehje e vullnetit të bashkëpunimit dhe kooperimit të të gjithë donatorëve, organizatave financiare ndërkombëtare dhe programeve të ndryshme, që operojnë në Shqipëri dhe që kontribuojnë në zhvillimin e SME. Sipas tij, nëpërmjet realizimit të këtij programi, po përmirësohet gjithnjë e më shumë krijimi i mjedisit tërheqës për investimet, dhe kjo sjell rritje të shanseve të zhvillimit të SME dhe të punësimit. Sipas Bozdos, sektori i SME duke mbuluar mbi 80% të PBB dhe mbi 80% të punësimit, ka një kontribut të rëndësishëm në rritjen ekonomike prej 6% në Shqipëri. Për vitin 2008, thekson Bozdo janë regjistruar 17,773 biznese te reja, dhe në zbatim të programit strategjik të SME, janë ndërmarrë disa reforma të rëndësishme. Reforma në regjistrimin e biznesit, ku regjistrimi i biznesit bëhet në një ditë pranë QKR, me një kosto më pak se 1 Euro si dhe reduktimi i numrit të hapave për regjistrimin e një biznesi të ri nga 10 hapa, në 5 hapa. Një hap i rëndësishem është ndërmarrë gjithashtu, në reformën për thjeshtimin e licensave dhe të procedurave të licensimit, ku nga 170 licensa dhe leje ekzistuese, janë eleminuar ose thjeshtuar 104 prej tyre. Shumë shpejt do të fillojë funksionimin Qendra Kombëtare e Licensimit, është shprehur zv.ministri i Ekonomisë, i cili ka përmendur edhe reformat e tjera të ndërmarra si ato në fushën e legjislacionit, si miratimi i ligjit Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare, ligji  Për nënshkrimin elektronik ndryshimi i ligjit Për ndërmarrjet e vogla e të mesme, hartimi i draft ligjit për tregtinë elektronike etj. Gjithashtu, Bozdo ka përmendur edhe raporti e Bankës Botërore për 2009, për lehtësirat në biznes, i cili e rendit Shqipërinë në vendin e 86, ku ka veçuar uljen e barrës fiskale për tatimet për sigurimet shoqërore për punëdhënësit me 9 pikë përqindjeje (nga 29%, në 20%), e prezantojnë vendin tonë një ndër vendet me barrën më të ulët fiskale në rajon.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›