Shehu: Reformat në shëndetësi, shpresë për të ardhmen
Reformat e ndërmarra në sistemin shëndetësor, janë një bazë e mirë për të ardhmen e këtij sistemi, tha të premten kryetari i Komisionit Parlamentar të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë, Tritan Shehu. I pranishëm në takimin "Reforma financiare në shërbimin shëndetësor parësor, çështjet dhe sfidat", të zhvilluar në Hotel 'Rogner",
Shehu tha se "janë dy elementë që dalin tashmë për t'u marrë parasysh në të ardhmen; së pari të shtojmë rolin e pushteti lokal në nivelin financues dhe politikëbërës në kujdesin parësor, që mendohet të shtrihet më tej në sistemin spitalor, dhe së dyti, të mendojmë për modele të tjera drejt profesionit të lirë të paguar dhe financuar nga sigurimet shëndetësore". Duke u ndalur në reformën në kujdesin shëndetësor parësor, Shehu tha se "lidhja që u krijua në kujdesin parësor midis kontributit direkt të popullsisë dhe shërbimit të ofruar dhe paguar, është një lidhje direkte e rëndësishme, e cila pas lidhjes së parë që krijuam midis kësaj pagese dhe shërbimit farmaceutik, përbën provën më të mirë se kjo është rruga ku duhet të ecë shërbimi shëndetësor shqiptar". "Politikisht mendimi ynë është i qartë; ne do të ecim drejt kontributit direkt të popullsisë për sistemin shëndetësor, duke u larguar gjithnjë e më shumë nga taksimi i përgjithshëm, tha ai. Në këtë mënyrë, sipas tij, "u krijua modeli i autonomisë dhe decentralizimit të sistemit, i cili u tregua efiçent, me guximin për ndryshime të tjera në të ardhmen drejt përsosjes dhe autonomisë politike të sistemit".
Last Updated on Friday, 20 February 2009 21:31
Last Updated on Friday, 20 February 2009 21:31