Zv.Kryeministri dhe Ministër i Puneve te Jashtme, Ilir META, zhvilloi një takim me kryetarin e Nismës së Migrim-Azilimit në kuadër të Paktit të Stabilitetit, Z.Soren Jessen-Petersen dhe person
Zv.Kryeministri dhe Ministër i Puneve te Jashtme, Ilir META, zhvilloi një takim me kryetarin e Nismës së Migrim-Azilimit në kuadër të Paktit të Stabilitetit, Z.Soren Jessen-Petersen dhe personat qe e shoqërojnë.
Gjatë takimit u bisedua për problemet e emigrimit legal dhe ilegal, për lëvizjen e lirë të njerëzve dhe regjimin e vizave, si edhe per menaxhimin e kufijve në rajon sipas standarteve të BE-së. Trajtimi i problemeve, u bë në përputhje me vizionin e bashkëpunimit dhe integrimit rajonal, me rolin që ato luajnë për krijimin e një fryme të re bashkëpunimi, si kusht për integrimin europian të Rajonit. U nënvizua roli i tyre në kuadrin e hapjes së negociatave të vendit tonë për Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit me BE-në.
Zoti Meta ritheksoi në takim prioritetin që i jep politika jonë e jashtme bashkëpunimit rajonal dhe kultivimit të fqinjësisë së mirë. Në këtë kontekst ai evidentoi progresin e realizuar në vendin tonë në luftën kundër trafikut ilegal në të gjitha format e shfaqjes së tij dhe afirmoi vullnetin politik të Qeverisë shqiptare për të vazhduar edhe në të ardhmen këtë luftë,veçanerisht nepermjet funksionimit me efikas te Qendres Rajonale Antitrafik ne Vlore.
Ministri i Jashtëm tha se, në kushtet kur janë hedhur hapa pozitivë për nënshkrimin e Marrëveshjeve të Tregtisë së Lirë, si hap drejt krijimit të një tregu të përbashkët rajonal, është e domosdoshme t'i jepen impulse të reja procesit të lëvizjes së lirë të njerëzve, përmes liberalizimit të regjimit të vizave, për konkretizimin e idesë të një "Shengeni" ballkanik. Zoti Jessen-Petersen tregoi interes për problemet që lindin nga flukset e mëdha të lëvizjes të emigrantëve legalë në drejtim te Greqise se fundi dhe shprehu vlerësimet e tij për maturinë e palës shqiptare në kapercimin e emergjences qe u krijua.
Gjithashtu, u diskutua edhe për Takimin Rajonal të Nismës së Migrim-Azilimit të Paktit të Stabilitetit, i cili do të mbahet së shpejti në Tiranë. Në takim do të marrin pjesë përfaqësues nga të gjitha vendet e Ballkanit, të BE-së dhe nga organizata të rëndësishme ndërkombëtare. Palët u shprehën të gatëshme që të vazhdojnë bashkëpunimin për realizimin me sukses të këtij aktiviteti si dhe të programeve të tjera në të ardhmen.