Fushë-Krujë, të dënuarit sulmojnë policët me bombola gazi të ndezura
FUSHE KRUJE - Bombola gazi ndaj policëve ka qenë kulmi i revoltës në burgun e Fushë-Krujës. Mbrëmjen e së shtunës, pasi kishin kaluar tre ditë në mungesë të ujit, ushqimit, energjisë elektrike dhe daljes në ajrim të dënuarit e sigurisë së lartë të Fushë- Krujës kanë hedhur bomba gazi të ndezura ndaj specialëve të burgjeve, të cilët kishin blinduar sektorin e qelive. Burime nga ky institucion pohojnë se të burgosurit protestues, të cilët prej dy ditësh thuajse kishin marrë kontrollin në sektorin e qelive të tyre, kanë reaguar duke penguar policinë të hynte në këtë zonë. Ndërkohë, mësohet se të dënuarit, shumica me dënime kapitale nga 20 vjet deri në burgim të përjetshëm, kanë refuzuar negociatorët e Burgjeve për të normalizuar situatën. Mbrëmjen e së shtunës të dënuarit iu kanë dhënë përmasa të tjera protestave, ku pas zhurmës së krijuar nga përplasja e dyerve, kanë ndezur bombola gazi dhe i kanë hedhur drejt policëve. Kaq ka mjaftuar që policia të ndërhynte dhunshëm duke marrë kontrollin brenda pak minutash. Pas normalizimit të gjendjes ish-i forti i Vlorës në vitin 1997, Gazmir Braka që njihet si Gaxhai dhe Nikolin Topalli, të dy të dënuar përjetë, kanë përfunduar në qelitë e izolimit të burgut pasi janë konsideruar si organizatorët e protestës dhe më pas qëndresës së dhunshme ndaj policisë. Kurse dy vëllezërit shkodranë Admir dhe Genci Tafili, si dhe bashkëvuajtësi me ta Gëzim Guri janë transferuar në burgje të tjera. Burime nga të burgosurit pohojnë se, ndaj tyre është ushtruar dhunë nga policia, por kjo është mohuar nga autoritetet e institucionit. Sipas tyre, janë marrë masa të tjera por jo të jetë ushtruar dhunë fizike. Ndërkohë gjatë ditës së djeshme, rreth 160 të burgosurit kanë lajmëruar nisjen e grevës së urisë në burg. Ata kanë vazhduar të refuzojnë ushqimin, të cilin nuk e kishin marrë prej tre ditësh për shkak të protestave, ndërsa pohohet nga familjarë të të dënuarve se një pjesë e të burgosurve që morën pjesë në protesta janë dërguar në spitalin e burgut, si pasojë e dhunës policore. Burime nga burgu i Fushë Krujës bëjnë të ditur se pas mbylljes në izolim të Gaxhait dhe Nikolin Topalli, si nxitës të revoltës në burg, tre bashkëvuajtësit e tyre; vëllezërit Tafili dhe Gëzim Guri janë transferuar në burgje të tjera. Ndërkohë që forcat speciale të burgjeve janë dislokuar tashmë në ambientet e burgut për të ruajtur rendin në këtë institucion, ku të burgosurit tashmë kanë hyrë në grevë urie, duke e parë si të vetmen mënyrë për të kontaktuar me drejtuesit e burgut dhe për zgjidhjen e probleme që kanë ngritur më parë, shto këtu edhe një kërkesë tjetër që ka të bëjë me transferimin e të burgosurve nga ky burg në Burrel, Peqin dhe Bënçë. Këta janë etiketuar nga autoritetet e burgjeve si organizatorë dhe të përfshirë në revolta. Pohonte gjithashtu se transferimet janë bërë natën, dhe nën masa të rrepta sigurie pasi këta njihen si të burgosur problematikë. Ndërkohë është sqaruar se protestat në këtë burg kanë nisur kanë nisur nga të dënuarit me burgim të përjetshëm dhe ata të dënuar nga Krimet e Rënda, por që më pas është mbështetur edhe nga të burgosurit e tjerë. Kërkesat e të burgosurve ishin për mosmbylljen e dyerve të qelive gjatë ditës dhe shtimin e orareve të ajrimit. Mbyllja e dyerve të qelive ishte bërë pak ditë më parë me një urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, ndërsa shkurtimi i orarit të ajrimit me urdhër të kreut të institucionit. f.m./r.n