E Diel, 1 Nëntor 2026

“Shqiptarët respektuan afatet e lëvizjes së lirë në Shengen”

24/06/2011  Funksionarja e lartë belge shpreh vlerësim në takimet me kryepolicin Burgaj e ministrin Nishani

Mbi 238.000 qytetarë kanë lëvizur për herë të parë pa viza

TIRANË- Në takimet që funksionarja e lartë për Imigracionin në Ministrinë Federale të Brendshme të Mbretërisë së Belgjikës, zj. Katy Verzelen me kryepolicin Burgaj e ministrin Nishani, ajo u shpreh tepër e kënaqur me ecurinë e deritanishme të procesit të lëvizjes së lirë për qytetarët shqiptarë. Moskërkimi i azilit, siguria e kufijve dhe respektimi i afateve ishin disa nga temat kryesore që u diskutuan. Në fjalën e saj Verzelen tha se “Shpreh vlerësimet maksimale, për përpjekjet e jashtëzakonshme që kanë bërë autoritetet shqiptare për të informuar qytetarët mbi rregullat e lëvizjes së lirë. Kjo vizitë është në vazhdën e vizitave të zhvilluara dhe në vendet e tjera të rajonit që kanë përfituar nga procesi i liberalizimit të vizave dhe mund të them që Shqipëria ishte proaktive në gjithë këtë proces. Kanë kaluar 6 muaj që nga fillimi i këtij procesi për shqiptarët dhe shifrat e kthimeve janë të papërfillshme krahasuar me vendet e tjera të rajonit. Duke pasur parasysh përvojën që kemi në këtë aspekt, ne jemi të gatshëm t’u ofrojmë ndihmën dhe mbështetjen për sensibilizimin e mëtejshëm të qytetarëve lidhur me rregullat që duhen respektuar në kuadër të lëvizjes së lirë, në mënyrë që procesi të vazhdojë pa probleme”. Ndërkaq, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, u shpreh se “Procesi i liberalizimit të vizave është vlerësuar maksimalisht dhe janë përdorur të gjitha mënyrat për të sensibilizuar qytetarët, si dhe për t’i njohur ato me kushtet dhe rregullat që duhen respektuar në kuadër të lëvizjes së lirë. U është dhënë porosi gjithë strukturave të Policisë Kufitare që të bëjnë kujdes gjatë procesit të intervistimit të qytetarëve në Pikat e Kalimit Kufitar. Në këtë drejtim një ndihmesë të çmuar ka dhënë dhe trajnimi i oficerëve tanë për rreth një muaj në vendet Shengen në kuadër të projektit FRONTEX, si dhe trajnimet e zhvilluara me mbështetjen e partnerëve në Shqipëri në mënyrë të veçantë për Policinë Kufitare. Të gjithë këto elementë, përfshirë dhe bazën ligjore të ngritur për këtë aspekt, kanë dhënë rezultatet e tyre, duke bërë të mundur që ky proces të shkojë pa probleme për qytetarët shqiptar, ku nga fillimi i procesit mbi 238.000 qytetarë kanë lëvizur për herë të parë pa viza”. Ndërkaq, ministri Nishani i cilësoi mjaft inkurajuese për punën e Ministrisë së Brendshme dhe të Policisë së Shtetit vlerësimet pozitive të Komisionit Evropian për Shqipërinë në raportin mbi lëvizjen e lirë të qytetarëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor në zonën Shengen. Ai nënvizoi konkluzionet e këtij raporti mbi përdorimin me efiçencë dhe efektivitet të kapaciteteve njerëzore e teknike për kontrollin e kufirit, për implementimin me sukses të legjislacionit për azilin dhe për faktin se nuk ka pasur kërkesa për azil nga qytetarët shqiptarë në vendet e BE. Përfaqësuesja për Emigracionin e Ministrisë së Brendshme të Belgjikës, znj. Katy Verzelen, përcolli në takim konstatimet pozitive lidhur me respektimin e rregullave të lëvizjes së lirë nga qytetarët shqiptarë dhe theksoi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit mes strukturave homologe për çështje të migrimit dhe azilit të Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Belgjikës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›