E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zvicra, 5 shqiptarë për Olimpiadë

Selektori i Zvicrës, Pierluigi Tami, ka ftuar pesë futbollistë shqiptarë për Olimpiadën ‘Londra 2012’. Përkundër përfshirjes në listë, Granit Xhaka ende mbetet në dyshim, derisa Xherdan Shaqiri përfundimisht nuk do të jetë pjesë e helvetikëve në Lojërat Olimpike.

Selektori i ekipit U-23 të Zvicrës, Pierluigi Tami, të martën e ka publikuar listën e futbollistëve të ftuar për Lojërat Olimpike ‘Londra 2012’, që do të mbahet nga 27 korriku deri më 12 gusht.

Nga 18 të ftuarit, pjesë e përfaqësueses së Zvicrës në Olimpiadë do të jenë edhe pesë futbollistë shqiptarë: Valon Behrami (Fiorentina), Admir Mehmedi (Dynamo Kiew), Amir Abrashi (Grasshopper), Pajtim Kasami (Fulham) dhe Granit Xhaka (Monchengladbach).

Edhe pse e ftoi në skuadër, selektori Tami nuk është i sigurt nëse do ta ketë në dispozicion apo jo Granit Xhakën. Ngase, Monchengladbachu nuk e ka dhënë ende dritën e gjelbër për 19 vjeçarin.

“Mendoj se Graniti dëshiron të luajë me ne. Mirëpo, nuk e kemi gjetur ende zgjidhjen me klubin. Sidoqoftë, bisedimet po shkojnë mjaft mirë dhe do të luftojmë me të gjitha forcat, që ta kemi Xhakën në ekip”, tha Tami.

Ndërsa, ashtu siç pritej, listës së 18 futbollistëve të ftuar i mungon emri i Xherdan Shaqirit. Mesfushori kosovar preferoi të qëndronte dhe të ambientohet sa më shpejt te ekipi i ri Bayern Munich, para se të rrezikojë dhe të jetë pjesë e Olimpiadës.

“Kam biseduar gjatë me Xherdanin dhe ndiente se kishte prioritete tjera, pas transferimit në Bayern”, deklaroi selektori i ekipit U-23 të Zvicrës, pjesëmarrës në Olimpiadë, Pierluigi Tami

Zvicra bën pjesë në Grupin B së bashku me Meksikën, Korenë e Jugut dhe Gabonin.

Zvicra do ta fillojë eksperiencën olimpike më 26 korrik, kur do të luajë me Gabonin në Newcastle.

Sfida e tyre e dytë do të jetë ajo e 29 korrikut ndaj Koresë së Jugut në Coventry, ndërkaq më 1 gusht, në Cardiff helvetikët do t’i masin forcat me Meksikën. Dy fituesit e grupit do të kualifikohen në çerekfinale.

MT: Fiorentina mund ta pengojë Behramin

Valon Behrami është njëri prej 18 futbollistëve të ftuar nga Zvicra për Olimpiadë, por ende nuk është e qartë nëse futbollisti kosovar do t’i përfaqësojë Helvetikët në ‘Londra 2012’.

Sipas mediave italiane, ekipi nga Firenze nuk do ta lejojë mesfushorin që t’i bashkohet Zvicrës, pasi që preferon ta ketë lojtarin në formën më të mirë, në vazhdën e sezonit 2012/13. Ndër të tjera, klubi Viola ka në konsideratë edhe lëndimet e shumta që Behrami i kishte pësuar sezonin e fundit dhe që këtë sezon do të jetë një trajner i ri, i cili nuk e njeh mirë.

Favre: Xhaka duhet të jetë më i shpejtë

Granit Xhaka e nisi aventurën gjermane të hënën. Mesfushori kosovar iu bashkua Borussia Monchengladbachut në përgatitjet që po zhvillohen në Gjermani. Trajneri i tij, Lucien Favre, ka thënë se pret më shumë nga 19 vjeçari, për të cilin paralajmëron se do ta ketë të vështirë në Bundesligë, në krahasim me përvojën që e pati deri këtë vit në Super League zvicerane.

“Xhaka është një lojtar i ri dhe mjaft i talentuar. Hapi përpara ishte i nevojshëm për të. Në Gjermani, liga është më e fortë dhe i nevojitet kohë për t’u ambientuar. Objektiv i tij duhet të jetë ai që të luajë teknikisht më shpejt”, ka thënë Favre për magazinën zvicerane Blick.

Në anën tjetër, përfaqësuesi zviceran po e shijon fillimin e aventurës në ekipin gjerman. “Gjithçka është OK. Jam pritur mjaft mirë nga shokët e rinj të skuadrës”, është shprehur Xhaka i cili është përforcimi më i shtrenjtë i bërë ndonjëherë nga Monchengladbachu.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›