E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zvicra censuron librin e Del Pontes: Pa etikë profesionale

• Libri i fundit i Karla Del Pontes, ish-kryeprokurores së Gjykatës së Krimeve të Luftës në Hagë, është censuruar pikërisht në Zvicër, vend të cilin ajo e përfaqëson si ambasadore në Argjentinë.

 Libri i del Pontes mbi luftën Kosovë-Serbi, ka hapur mjaft polemika për disa detaje, publikimi i të cilave është vlerësuar nga vetë Ministria zvicerane si mungesë profesionalizmi politik dhe etike profesionale.  
Ministria e Jashtme zvicerane ka ndaluar promovimin e librit të  kryeprokurores së Hagës, Karla Del Ponte. Sipas agjencisë italiane ANSA, Del Ponte, aktualisht ambasadore zvicerane në Argjentinë, nuk është lejuar të promovojë librin e titulluar, “Gjuetia në Milan”, sepse punëdhënësit e saj, Ministria e Jashtme zvicerane, e ka refuzuar atë. Sipas ministrisë, libri i Del Pontes përmbante informacion “që një zyrtar i qeverisë zvicerane nuk duhet t’ia lejonte vetes të publikonte”. Ministria nuk ka specifikuar se për çfarë ekzaktësisht e kishte fjalën kur citonte informacione që nxitën censurën e librit. “Promocioni i librit nuk është në përputhje më pozicionin e Znj. Del Ponte si ambasadore e Zvicrës”, tha një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme  zvicerane. Libri i Karla Del Pontes, i cili përshkruan situatën e luftërave në Ballkan dhe krimeve të kryera mes viteve 1998-1999, kryesisht mbi konfliktin e Kosovës, ka hapur mjaft polemika dhe ka nxitur debate të ashpra për disa detaje që janë bërë publike që para daljes së tij në treg dhe madje edhe promovimit të parë. muajin e kaluar, një shoqatë e familjeve të serbëve të rrëmbyer të Kosovës kanë deklaruar se, do të hapin një çështje ligjore kundër Karla Del Ponte, pasi ka disa detaje në librin e saj që hedhin dritë mbi fatin e serbëve të zhdukur gjatë konfliktit të luftës me Kosovën. Shoqata e Familjeve të serbëve të rrëmbyer dhe të vrarë të Kosovës thanë se, do të hedhin në gjyq Karla del Ponten për fshehjen e krimeve të kryera kundër serbëve të Kosovës të rrëmbyer dhe vrarë nga kosovarët, sipas presidentit të kësaj shoqërie, Simo Spasiç. “Del Ponte na ka thënë në Hagë në vitin 2004, se ajo kishte informacione mbi serbët e rrëmbyer dhe informacionet e saj tregonin mbi vrasjen e tyre, por ajo nuk na tha se e dinte mbi faktin që pjesë të gjymtyrëve të tyre u ishin hequr para se t’i vrisnin”, tha Spasiç në një gazetë të përditshme malazeze, “Dan”. Në librin e saj, “The Hunt” (Gjuetia), Del Ponte tha se kishte mësuar nga një grup gazetarësh mjaft të besueshëm se, rreth 300 serbë ishin dërguar në veri të Shqipërisë në verën e vitit 1999, pas përfundimit të bombardimeve të NATO-s në Serbi dhe mbërritjes së forcave të tyre në brendësi të Kosovës. Sipas saj, viktimave serbe u ishin hequr më parë organet dhe më pas ishin vrarë. Del Ponte tha se ajo kishte vendosur ta linte këtë çështje, pasi ishte e pamundur që hetimet të shkonin deri në fund të saj dhe se në Shqipëri ishte e pamundur të kryheshin hetime. Prokuroria e Krimeve të Luftës në serbi, ka deklaruar se ata më parë kishin pasur disa informacione të zbehta mbi këtë çështje dhe njoftuan se do të hapin një hetim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›