E Diel, 1 Nëntor 2026

Vetëhelmohet gruaja, nuk e lanë të shohë fëmijët

• TIRANE- E dhunon burri i divorcuar, vetëhelmohet me ilaçe gruaja 36-vjeçare, nënë e dy fëmijëve.

Policia filloi procedimin penal ndaj ish-bashkëshortit të gruas së dëmtuar me akuzën e ushtrimit të dhunës dhe shtyrjes në vetëvrasje. Shkak i konfliktit mes protagonistëve të ngjarjes dyshohet se ka qenë fakti se, bashkëshorti nuk lejonte gruan të takonte fëmijët pas divorcit mes tyre. Rudina Shkëmbi, ka mbërritur mbrëmjen e së hënës në Spitalin Ushtarak, në gjendje të rëndë shëndetësore, për shkak të konsumimit të një sasie të konsiderueshme medikamentesh. Menjëherë është lajmëruar policia, e cila ka nisur hetimin për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes. Policia ka shoqëruar në ambientet e komisariatit ish-bashkëshortin e viktimës, Hysen Shkëmbi, 40 vjeç, banues në lagjen Kombinat të Tiranës. Ai është shoqëruar nga blutë, pasi gruaja e plagosur kishte qenë në banesën e tij përpara se të mbërrinte në spital. Nga marrja në pyetje e Shkëmbit, është mësuar se bashkëshortët ishin ndarë mes tyre para rreth 6 muajsh për shkak të mosmarrëveshjeve. Që nga ajo kohë gruaja ka banuar në Korçë tek të afërmit e saj, ndërsa dy ditë më parë, ajo ka mbërritur në Tiranë për të takuar fëmijët e saj. Sipas burimeve të policisë, Hysen Shkëmbi nuk e ka lejuar Rudinën të takojë fëmijët, të cilët i mbante vetë që prej ndarjes së tyre. Ish-bashkëshorti i saj nuk e linte t’i takonte dhe vazhdimisht i nxirrte pretekste e pengesa, që ajo të mos kishte mundësi qoftë edhe t’i shikonte fëmijët. Të hënën sipas pretendimit të gruas, ajo dhe i shoqi janë konfliktuar edhe fizikisht mes tyre. Pas këtij veprimi të Hysen Shkëmbit, gruaja 36-vjeçare ka ndërmarrë edhe veprimin ekstrem. Policia pas veprimeve hetimore, ka proceduar penalisht Shkëmbin, ndërsa është vendosur në bashkëpunim me Prokurorinë, që ai të hetohet në gjendje të lirë.                        d.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›