E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zv/kryeministri Peleshi: Oferta e Edi Ramës dhe pengjet si kryebashkiak

TIRANE - Kryetari i Bashkisë së Korçës e tashmë Zv.kryeministër i Shqipërisë, Niko Peleshi tha dje, se për të është një vlerësim shumë i madh, përzgjedhja në ekipin qeverisës të kryeministrit Edi Rama. Ai njofton në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” se do të japë dorëheqjen nga drejtimi i Bashkisë së Korçës, por ky mbetet një nga pengjet e tij, për faktin se nuk mundet dot ta përfundojë mandatin e kryebashkiakut të Korçës deri në 2015.
Si e pritët përzgjedhjen për postin e zv.kryemi-nistrit, një detyrë mjaft e rëndësishme?
Së pari unë dua të jap një vlerësim shumë të madh për të gjithë mënyrën se si është formatuar qeveria, sepse që në formatin e saj, që në përbërjen dhe në cilësinë e kualiteteve të emrave që ajo ka tregon që është një qeveri pune, një qeveri që është e gatshme të çojë përpara misionin e transformimit dhe të Rilindjes së Shqipërisë. Janë disa gjeste shumë të rëndësishme që mund të lexohen në këtë qeveri dhe unë pa dashur të bëj analizën e të gjithë formatit të qeverisë do të kthehem tek pyetja juaj. Për mua personalisht padyshim që është një vlerësim i madh, por dua ta lexoj më tepër se kaq, si një vlerësim që në fakt i bëhet punës që shumë administratorë në të gjithë Shqipërinë bëjnë në nivelin lokal. Pra, në fund fare qeveria është një tërësi lokalitetesh dhe puna mes faktorëve lokalë të zgjedhur dhe të mandatuar drejtpërdrejt nga qytetarët shqiptarë është një punë e cila është në fakt ajo ç’ka qytetarët prekin përditë, janë shërbimet, janë hapësirat publike që administrohen nga ata. Përzgjedhjen në këtë pozicion të rëndësishëm unë e shikoj edhe si një vlerësim që kryeministri i Shqipërisë i bën pikërisht kësaj shtrese shumë të madhe të kontributorëve të zhvillimit të Shqipërisë. Padyshim që më pëlqen ta lidh me qytetin tim, me Korçën. Unë kam drejtuar bashkinë e qytetit dhe jam mandatuar dy herë nga qytetarët e Korçës për 6 vjet me radhë dhe mendoj që për shumë vite kjo do të jetë pjesa më e rëndësishme e gjithë punës dhe karrierës time. Larg lokalizmit do të thoja që ky është një vlerësim edhe për këtë rajon, edhe për qytetarinë korçare dhe do shtoj së fundi që përtej gatishmërisë dhe vlerësimit me të cilën unë kam pritur këtë detyrë kam edhe pengjet e mia që lidhen me një kontratë ende të papërfunduar me qytetarët e Korçës, madje në dy vitet më të mira besoj të këtij mandati që ngelet. Deri më sot, në qytetin e Korçës janë bërë goxha punë, jo vetëm për shkakun tim dhe të qeverisë që unë drejtoj, por edhe për shkak të qytetarëve të Korçës, të cilët respektojnë ligjin dhe që na kanë bërë kredibël përpara institucioneve ndërkombëtare. Për hir të së vërtetës ka munguar vullneti i qeverisë qendrore për tu dhënë suport projekteve tona. Sot, unë jam i bindur që kjo qeveri do të ketë vullnetin të bashkëpunojë me bashkitë dhe komunat e Shqipërisë, pavarësisht nga ngjyra, sepse njoh qasjen dhe begraundin e kryeministrit Edi Rama, i cili vjen vetë nga një eksperiencë si kryetar bashkie. Mua më duhet të kaloj në një tjetër detyrë të rëndësishme për Shqipërinë. Por jam i bindur që kjo paketë premtimesh nuk do ngelet në mes të rrugës, pasi edhe nga unë personalisht, edhe nga vetë qeveria, ashtu si të gjitha qytetet e tjera do ketë vëmendjen e duhur për të përshpejtuar projektet e zhvillimit.
Pra, ju do të jepni dorëheqjen si kryetar i Bashkisë së Korçës. E ndalon ligji t’i mbani të dy postet?
Ligji kam përshtypjen që e kondicionon dorëheqjen, por gjithsesi edhe nëse nuk do të ishte ligji, praktikisht do të ishte e vështirë, madje e pamundur që të administrohen të dyja, kështu që do të duhet që ne të futemi në zgjedhje të parakohshme. Më vjen keq që më duhet të ndërpres një mandat që ka buruar nga vota e popullit, por jam i bindur që Korça ka potencialet, ka kapacitetet intelektuale për të zgjedhur drejtues kaq të mirë, i cili do ta ketë më të lehtë punën, sepse po punon me një qeveri të vullnetshme dhe me një vëmendje më të veçantë për Korçën, pse jo.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb) Lidhje te tjera Ministrat lënë mandatin, ja deputetët e rinj që hyjnë në Parlament Qeveria e re, LSI 5 poste ministrore, PBDNJ mbetet jashtë, Ngjela pa post ministror

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›